Çdo vit, familjet blejnë telefona të rinj, kompjuterë, tableta dhe pajisje të tjera elektronike. Por çfarë ndodh me pajisjet e vjetra kur ato nuk përdoren më? Shpesh, ato përfundojnë në mbeturina, pa e kuptuar se mund të përmbajnë substanca të dëmshme për mjedisin dhe shëndetin. Dita Ndërkombëtare e Mbeturinave Elektronike, e shënuar më 14 tetor, na kujton rëndësinë e përdorimit dhe asgjësimit të përgjegjshëm të pajisjeve elektronike.
Çfarë janë mbeturinat elektronike?
Mbeturinat elektronike përfshijnë pajisjet elektrike dhe elektronike që nuk përdoren më, si telefonat mobilë, karikuesit, bateritë, kompjuterët, televizorët dhe lodrat elektronike. Sipas Monitorit Global të Mbeturinave Elektronike 2024, në vitin 2022 u krijuan rreth 62 milionë tonë mbeturina elektronike në mbarë botën, ndërsa vetëm 22,3 për qind u dokumentuan si të mbledhura dhe të ricikluara siç duhet.
Këto mbeturina mund të përmbajnë materiale të vlefshme, si bakri dhe ari, por edhe substanca të rrezikshme, përfshirë plumbin dhe merkurin. Kur pajisjet hidhen në mënyrë të papërshtatshme, ato mund të ndotin tokën, ujin dhe ajrin. Prandaj, menaxhimi i tyre është një çështje mjedisore dhe shëndetësore.
Si mund t’i përfshijnë prindërit fëmijët?
Edukimi mjedisor fillon në familje, përmes veprimeve të vogla që përsëriten çdo ditë. Prindërit mund t’i ndihmojnë fëmijët të kuptojnë se teknologjia ka një kosto që shkon përtej çmimit të blerjes.
1. Të kujdesen për pajisjet që kanë. Duke i përdorur me kujdes telefonat, tabletat dhe kompjuterët, fëmijët mësojnë se pajisjet nuk janë sende të përkohshme që duhen zëvendësuar sa herë del një model i ri.
2. Të riparojnë para se të zëvendësojnë. Kur një pajisje prishet, prindërit mund t’i përfshijnë fëmijët në diskutimin nëse ajo mund të riparohet. Kjo nxit kreativitetin, zgjidhjen e problemeve dhe shmangien e konsumit të panevojshëm.
3. Të ndajnë pajisjet e panevojshme. Pajisjet që ende funksionojnë mund t’u dhurohen personave që kanë nevojë për to, duke respektuar privatësinë dhe duke fshirë të dhënat personale paraprakisht.
4. Të mësojnë riciklimin e sigurt. Pajisjet e prishura dhe bateritë nuk duhet të hidhen bashkë me mbeturinat e zakonshme. Familjet mund të kërkojnë pika të autorizuara grumbullimi ose programe lokale të riciklimit.
5. Të zhvillojnë mendimin kritik për konsumin. Prindërit dhe mësuesit mund t’i nxisin fëmijët të pyesin se si prodhohen pajisjet elektronike, sa burime natyrore kërkohen për to dhe çfarë ndikimi kanë në mjedis. Këto diskutime i ndihmojnë fëmijët të kuptojnë se zgjedhjet e tyre të përditshme kanë pasoja dhe se përgjegjësia mjedisore fillon me vendime të vogla, por të vetëdijshme.
Një mësim që vazhdon përtej 14 tetorit
Dita Ndërkombëtare e Mbeturinave Elektronike nuk ka të bëjë vetëm me riciklimin, por edhe me zhvillimin e një qëndrimi të përgjegjshëm ndaj konsumit. Kur fëmijët shohin se të rriturit kujdesen për pajisjet, riparojnë atë që mund të riparohet dhe shmangin blerjet e panevojshme, ata mësojnë përmes shembullit.
Në vend që ta trajtojmë teknologjinë vetëm si mjet për argëtim dhe komunikim, mund ta përdorim edhe si mundësi për të zhvilluar përgjegjësinë, mendimin kritik dhe kujdesin për mjedisin. Ndryshimi fillon me një pyetje të thjeshtë: A na duhet vërtet një pajisje e re, apo mund ta përdorim më gjatë atë që kemi?
Prinderimi.com
