Disa sugjerime për të zhvilluar ndjenjën e përgjegjësisë të adoleshentëve:
– Të kesh një ndjejë të përgjegjësisë është të ndiesh se ke kontroll ndaj sjelljes tënde, se për atë që e bën do të japësh llogari. Veprat e mira dhe konstruktive do të shpërblehen dhe do të kenë rezultat pozitiv, sjelljet e këqija do të kenë rezultat të keq dhe të rëndë. Përveç kësaj, të kesh një ndjenjë të përgjegjësisë do të thotë që individi të kuptojë se çka kërkohet prej tij nga detyrat fetare dhe shoqërore. Kur kjo ndjenjë e përgjegjësisë është plotësisht e zhvilluar, individi do të jetë plotësisht i njohur me atë që duhet të bëjë për të ardhmen dhe qëllimet që duhet të përpiqet t’i arrijë.
– Ne si prindër duhet ta kuptojmë se adoleshentët po dalin nga një fazë kur ne kemi qenë gjithçka për ta dhe janë varur te ne për nevojat e vogla dhe të mëdha. Ndërsa tani, adoleshenti pretendon se di gjithçka dhe insiston që opinioni i tij ose i saj të dëgjohet për çdo çështje që mund të lindë. Ata po përpiqen të dalin nga ‘kafazi’; ata tashmë thonë se janë liruar prej tij. Sigurisht se e dimë se kjo pjekuri nuk është një çështje aq e thjeshtë, se do të bëj kohën e vet. Prandaj të kuptuarit e adoleshentëve se çka kërkohet prej tyre vjen gradualisht dhe ngadalë, ne duhet të jemi tolerant dhe të durueshëm. A nuk është e natyrshme që personi i rritur dhe i pjekur të jetë ai i cili shfaq më tepër tolerancë dhe durim?
Ndjenja e përgjegjësisë nuk zhvillohet në një atmosferë të mbikëqyrjes së afërt, as nën presion dhe detyrim. Kjo ka nevojë për një atmosferë të lirisë për të lulëzuar dhe për t’u rritur. Kështu jepi të birit ose të bijës liri të mjaftueshme, ki besim në të, trajtoje adoleshentin si një person të respektueshëm, meritor për besimin tënd dhe të aftë për ta kryer detyrën që i caktohet. Për shembull lëre të lirë të planifikojë dhe të përgatisë një udhëtim të familjes, lëre të lirë t’i blejë disa gjëra për familjen, të përgatisë një fjalim gjatë takimit mujor të familjes, lëre t’i ndihmojë vëllait, i cili po ngec në studime ose caktoji menaxhimin e buxhetit familjar për një javë.
Kur t’i besosh të birit ose të bijës një detyrë, përpiqu të sigurohesh se atyre u pëlqen ose të paktën nuk u pengon ta kryejnë.
– Të kesh të qartë në mendje se ata do të bëjnë gabime, sepse kjo është një gjë e natyrshme në procesin e mësimit, kështu mos nxito t’ua tërheqësh detyrën për shkak të një gabimi, e as mos merr vendim që të mos u japësh detyra të tjera. Tregoju në mënyrë të butë ku kanë gabuar kur je veç me ta dhe sqaroju se si mund ta evitojnë gabimin në të ardhmen. Është ide e mirë t’u tregohet se edhe ju keni bërë disa gabime qesharake në moshën e tyre.
Kur i biri, e bija kurthohet me ndonjë barrierë, ndihmoji për herën e parë, mirëpo thuaji: “Nëse merr në thua edhe njëherë, mos prit se do t’ju ndihmoj.” Një baba tregon se si biri i tij harroi t’i marrë me vete letrat e nevojshme për një projekt të caktuar që e kishte detyrë nga shkolla. Kështu babai shkoi në shtëpi dhe ia mori letrat e kërkuara. Ai e përsërit këtë tri herë, ndërsa herën e katërt, ai tha: “Jo, nuk t’i sjell përsëri. Duhet të përballesh me pasojat e neglizhimit tënd!” Mësuesi nuk e notoi për atë projekt, mirëpo ai mori një mësim të mirë për të ardhmen.
– Sigurohu që biri ose e bija ka një orë me alarm, ose një telefon me alarm. Atëherë lëre në përgjegjësinë e tyre të zgjohen për namazin e sabahut, për shkollë dhe për detyrat e tjera të rëndë- sishme. Kjo do t’i detyroj t’i bartin pasojat e dështimit për t’u zgjuar në kohën e duhur për të bërë atë që u kërkohet.
– Trajnoje të birin ose të bijën të menaxhojë kohën mirë, sidomos sa i përket studimit dhe kryerjes së detyrave. Inkurajoji ata të shkruajnë kohën dhe datën për detyrat, takimet dhe rastet e veçanta. Inkurajoji të mbajnë një kimik dhe një fletë që të shkruajnë idetë, shënimet dhe thëniet e urta që mund t’i dëgjojnë ose lexojnë aty- këtu. Kjo e shton ndjenjën e tyre të përgjegjësisë.
Prinderimi.com
Prof. Dr. Abdul Kerim Bekkar, “Adoleshentët”
(Vështrime mbi adoleshentët, si t’i kuptojmë, si t’u qasemi dhe si të ndërveprojmë me ta)