Një telefonatë mund të zgjasë vetëm disa minuta, por shpërqendrimi i shoferit mund të ndryshojë gjithçka. Për prindërit që udhëtojnë me fëmijët, përdorimi i telefonit gjatë vozitjes nuk është thjesht një shkelje e rregullave të trafikut—është një rrezik që mund të ketë pasoja të rënda.
Vera në Kosovë sjell më shumë udhëtime, trafik më të ngarkuar dhe lëvizje të shumta të familjeve. Vetëm gjatë korrikut 2026, sipas të dhënave të Policisë së Kosovës të raportuara nga KOHA, tetë persona humbën jetën në aksidente trafiku në Kosovë, ndërsa tre të tjerë humbën jetën në aksidente pranë kufirit në Maqedoninë e Veriut. Në fund të korrikut u raportuan gjithashtu disa aksidente fatale brenda vetëm pak ditësh.
Këto shifra nuk tregojnë se telefonat kanë qenë shkak i këtyre aksidenteve specifike. Por ato na kujtojnë se siguria në rrugë nuk duhet të lihet në dorë të fatit.
Telefoni nuk është vetëm shpërqendrim i duarve
Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), përdorimi i telefonit gjatë drejtimit të automjetit lidhet me një rrezik rreth katër herë më të lartë për përfshirje në aksident. Telefoni ngadalëson reagimin, e vështirëson mbajtjen e korsisë dhe distancës së sigurisë dhe mund të largojë vëmendjen nga semaforët dhe këmbësorët.
Edhe përdorimi i pajisjeve “hands-free” nuk e eliminon plotësisht problemin, sepse një pjesë e rrezikut vjen nga shpërqendrimi mendor, jo vetëm nga mbajtja fizike e telefonit. Në Kosovë, përdorimi i telefonit të mbajtur në dorë gjatë vozitjes është i ndaluar. Por për një prind, pyetja duhet të jetë edhe më e thjeshtë: A ia vlen një telefonatë të rrezikojë sigurinë e fëmijës tim?
Fëmijët kanë nevojë për një shofer të përqendruar
Kur fëmijët janë në veturë, përgjegjësia bëhet edhe më e madhe. Një fëmijë nuk mund të kontrollojë mënyrën se si vozit prindi. Ai beson se i rrituri pas timonit do ta mbrojë.
Prandaj, prindërit duhet ta vendosin telefonin në heshtje ose në modalitetin “Mos shqetëso” para nisjes. Telefonatat dhe mesazhet mund të presin. Nëse një telefonatë është vërtet e domosdoshme, ndaloni në një vend të sigurt përpara se të përgjigjeni. Mos harroni edhe telefonin e fëmijës. Nëse fëmija kërkon t’ju tregojë diçka në telefon, më mirë shpjegojini se shoferi nuk duhet të merret me telefon gjatë lëvizjes.
Edukimi fillon me shembullin
Fëmijët mësojnë jo vetëm nga këshillat, por edhe nga sjellja që shohin. Një prind që nuk përdor telefonin gjatë vozitjes po i mëson fëmijës një rregull të rëndësishëm pa thënë asnjë fjalë: jeta dhe siguria kanë përparësi ndaj çdo telefonate.
Në këtë fund vere, me rastin e Muajit të Ndërgjegjësimit për Trafik, para se familjet të rikthehen plotësisht në rutinën e shkollës, le ta bëjmë edhe këtë qështje pjesë të edukimit: telefonin mund ta kontrollojmë edhe më vonë.Por fëmijën tonë duhet ta mbrojmë tani.
Prinderimi.com
