A ka fëmija juaj probleme me sjellje? Lidhja jote me të me siguri ka nevojë për pak vëmendje.
Nga: Jeanie Lerche Davis
Rishikimi profesional nga: Brunilda Nazario, MD
E dini skenarin kur fëmija 3-vjeçar e do lodrën e tij, këtë sheqerkë ose atë karamele – dhe duan ta marrin atë sakaq! E qara fillon dhe fëmija “çohet peshë”.
Në librin e tij të ri, “Dhjetë parimet bazike të prindërimit të mirë”, Dr. Laurence Steinberg, jep udhëzime duke u bazuar në studimet kryesore të shkencës shoqërore – diku 75 vite hulumtime. Po i ndoqe ato, do të jesh në gjendje t’i mënjanosh sjelljet problematike të fëmijës, thotë ai.
Tek e fundit, cili është qëllimi kur ju merreni me fëmijë? T’i tregoni kush është bosi? T’i futni frikën? Apo ta ndihmoni fëmijën të bëhet një njeri i denjë me vetëbesim?
Prindërimi i mirë ushqen empatinë, ndershmërinë, vetëbesimin, vetëkontrollin, mirësinë, bashkëpunimin dhe gëzimin, thotë Steinberg. Njëashtu nxit kuriozitetin intelektual, motivimin dhe dëshirën për të arritur. I mbron fëmijët nga zhvillimi i ankthit, depresionit, çrregullimeve të të ushqyerit, sjelljeve antishoqërore dhe konsumit të alkoolit e drogës.
“Prindërimi është një nga lëmet më të studiuara në tërë lëmin e shkencës shoqërore”, thotë Steinberg, i cili është profesor i dalluar i psikologjisë në Universitetin Temple të Philadelphia-s. Provat shkencore për këto parime, ai përvijon, “janë shumë, shumë të qëndrueshme.”
Të shumtë janë prindërit që i bazojnë veprimet e tyre në reagimet e nxituara. Megjithatë, ka prindër me instinkte më të zhvilluara, sipas Dr. Steinberg. Fëmijët asnjëherë s’duhet të goditen – as edhe një shuplakë në prapanicën e vogëlushit. “Nëse fëmija juaj shkon drejt rrezikut, drejt trafikut, mund ta kapësh e ta mbërthesh, por assesi ta qëllosh.”
Dr. Ruby Natale, profesoreshë e pediatrisë klinike në Universitetin e Shkollës Mjekësore të Miami-t ka fjalë të njëjta. Sipas saj, “shumë njerëz përdorin të njëjtat metoda që kanë përdorur prindërit e tyre, e shumë herë në thelbin e tyre ka qenë përdorimi i diciplinës së ashpër.
Një lidhje e prindit me fëmijën e tij/saj do të reflektohet në veprimet e fëmijës – duke përfshirë problemet me sjellje të fëmijës, shpjegon Dr. Natale. “Nëse ju nuk keni një lidhje të mirë me fëmijën tuaj, ata nuk do t’ju dëgjojnë. Mendo raportet e tua me të rriturit e tjerë. Nëse ti ke raport të mirë me ta, atëherë iu beson më shumë, ua dëgjon mendimet dhe s’e ke telashe të ndash mendime të njëjta me ta. Po qe dikush që nuk na pëlqen, ia injorojmë mendimin.”
10 parimet e Steinberg-ut qëndrojnë të vërteta për secilin që ka punë me fëmijë – trajner, mësues ose dado, thotë ajo.
10 parimet e prindërimit të mirë
- Veprimi yt ka rëndësi.
“Ky është një nga parimet më të rëndësishme”, thotë Dr. Steinberg. Ajo çka veproni përbën ndryshimin. Fëmijët po të shohin. Mos reago në moment të parë. Pyete veten: “çka dua të arrij me këtë, dhe a do të arrijë ky veprim atë rezultat?”
- Nuk duhet të jeni aq shumë të dashur.
“Kurrsesi të llastoni fëmijën me dashuri të tepruar”, shkruan ai. “Ajo që ne e konsiderojmë produkt të llastimit të fëmijës nuk ëshë kurrë rezultati i shfaqjes së tepruar të dashurisë. Zakonisht është pasoja e dhënies së gjërave në vend të dashurisë – gjëra si butësia, pritshmëritë e ulta ose gjërat materiale.”
- Përfshihu në jetën e fëmijës tënd.
“Të jesh një prind i përfshirë kërkon kohë dhe punë të madhe, që i bie t’i rimendosh dhe t’i rirenditesh prioritetet tua. I bie të sakrifikosh atë që dëshiron ta bësh për atë që fëmija yt ka nevojë ta bëjë. Ji aty si mendërisht, ashtu edhe fizikisht.”
Të jesh i përfshirë nuk do të thotë t’ia bësh fëmijës detyrat e shtëpisë, as t’ia lexosh dhe përmirësosh. Detyrat e shtëpisë janë një mjet i mësuesve me anë të të cilit e dinë nëse fëmija po mëson ose jo, sipas Dr. Steinberg. Ai vazhdon të thotë se “nëse ju ia bëni detyrat e shtëpisë fëmijës, ju nuk po lejoni mësuesin të dijë çka dhe sa është duke mësuar fëmija.”
- Përshtate metodën e prindërimit sipas fëmijës tënd.
Mbaj ritmin e zhvillimit të fëmijës tënd. Fëmija yt po rritet. Ki parasysh si mosha po ndikon në sjelljen e fëmijës.
“Shtysa për pavarësim që po e bën 3-vjeçarin tënd të thotë “jo” gjithë kohën është e njëjtë me atë që po e nxit atë të pavarësohet edhe në nevojat fiziologjike”, shkruan Dr. Steinberg. Vrulli i njëjtë i rritjes intelektuale që po e bën 13-vjeçarin tënd kureshtar dhe kërkues në klasë, gjithashtu po e bën atë fjalosës në tavolinën e drekës.”
Për ilustrim, një fëmijë i klasës së tetë lehtë shpërqëndrohet dhe irritohet. Në shkollë mund të mos ia dalë mirë me nota. Fjalosjen e kanë opcion primar. A duhet prindërit t’i shtyjnë ata më shumë, apo duhet të jenë të kuptueshëm ashtu që vetëbesimi i tyre të mos zbehet?
“Me një 13-vjeçar, problemi mund të jetë një varg gjërash”, pohon Dr. Steinberg. “Ai mund të jetë i dëshpëruar. Mund të flejë shumë pak gjumë. Ndoshta atij i nevojitet vetëm pak ndihmë në rregullimin e orarit për t’i lënë vend studimit. Ndoshta ai mund të ketë vështirësi për të mësuar. Të shtysh atë për t’ia dalë mirë nuk është zgjidhja. Problemi duhet të diagnostifikohet nga një profesionist.”
- Vendos rregulla
“Nëse nuk menaxhoni sjelljen e fëmijës kur ai është i vogël, ai do ta ketë të vështirë të mësojë menaxhimin e vetëvetes kur të rritet pa praninë tuaj. Në çdo kohë të ditës dhe të natës, ju gjithmonë duhet të jeni të gatshëm t’iu përgjigjeni këtyre tri pyetjeve: Ku është fëmija im? Me kë është fëmija im? Çfarë është duke bërë fëmija im? Rregullat të cilat fëmija i mëson nga ti do t’i formësojnë rregullat të cilat do t’i zbatojë ai për veten e tij.
Megjithatë gjithsesi, nuk mund ta mikromenaxhoni fëmijën tuaj. Sapo ai t’i mbushë 10 vjeç, duhet ta lini atë t’i bëjë vetë detyrat e shtëpisë, t’ia fillojë të marrë pakëz vendime për vete dhe të mos i ndërhyjmë.”
- Ujite pavarësimin e fëmijës tënd
“Vurja e limiteve e ndihmon fëmijën të zhvillojë një lloj të vetëkontrollit. Nxitja për pavarësim e ndihmon atë të zhvillojë një lloj të vetëudhëzimit. Që të jetë i suksesshëm në jetë, fëmijës do t’i duhen që të dyja këto”, thotë Steinberg.
Ai vijon të thotë se është e natyrshme për fëmijët të kërkojnë autonomi. Shumë fëmijë gabimisht barazojnë pavarësimin e fëmijës së tyre me rebelim ose mosbindje. Fëmijët shtyjnë kah pavarësimi ngase dëshira për vetëkontroll është pjesë e natyrës njerëzore.
- Ji konsistent.
“Nëse rregullat e tua ndryshojnë përditë në mënyrë të paparashikueshme, ose nëse ju ua obligoni ato rregulla ndërprerazi, sjellja e keqe e fëmijës është faji yt, jo i tij. Vegla jote më e rëndësishme diciplinuese është konsistenca. Dallo rregullat e tua të panegociueshme. Sa më shumë që autoriteti yt ndërtohet në urtësi e jo në forcë, aq më pak fëmija juaj do të kundërshtojë.”
Shumë prindër orvaten me të qenurit konsistent. Kur ata s’janë konsistentë, fëmijët hutohen. Duhet ta shtyni veten të bëheni më konsistentë!
- Mënjano diciplinën e ashpër
Prindërit s’duhet të godasin fëmijën, në asnjë rrethanë. Fëmijët që rrihen, goditen ose marrin shuplakë janë më të prirur të rrihen me fëmijët e tjerë, sipas Dr. Steinberg. “Në këtë mënyrë, ata kanë më shumë gjasë të bëhen bullizues dhe të përdorin agresivitet për të zgjidhur konfliktet me të tjerët.”
Ka një mori provash se të goditurit e fëmijës me shuplakë shkakton agresivitet te fëmijët, që mund të shpie në probleme të marrëdhënieve me fëmijët e tjerë, thotë Dr. Steinberg. Ka mënyra tjera të shumta për të diciplinuar një fëmijë, si p.sh. dënimi me përjashtim nga dhoma, i cila kryen punë më shumë dhe nuk përfshin agresivitet.
- Shpjego rregullat dhe vendimet tua
“Prindërit e mirë kanë pritshmëri sipas të cilave duan që fëmijët e tyre të jetojnë. Përgjithësisht, fëmijët e teprojnë duke iu shpjeguar fëmijëve të vegjël ndërkaq ngecin t’iu shpjegojnë aq sa duhet adoloshentëve. Çka është e qartë për ty mund të jetë e paqartë për një 12-vjeçar. Ai nuk i ka prioritetet, gjykimin ose përvojën qe e ke ti.”
Një ilustrim: Një 6-vjeçar është fort aktiv dhe fort i mençur, por përgjigjet pa leje në klasë, nuk iu lë rend fëmijëve të tjerë dhe flet më shumë se që duhet në klasë. Mësuesi/ja duhet të merret me problemin e sjelljes së nxënësit. Ai duhet t’i flasë fëmijës për këtë, sipas Steinberg. Prindërit mund të takohen me mësuesin dhe të zhvillojnë një strategji të përbashkët. Ai fëmijë duhet të mësojë t’u japë fëmijëve të tjerë mundësinë t’iu përgjigjen pyetjeve.
- Trajtoje fëmijën tënd me respekt
Mënyra më e mirë për t’u trajtuar me respekt nga fëmija juaj është që ta trajtoni atë me respekt. Ju duhet të jeni xhentilë me fëmijën tuaj njëlloj si me të tjerët. Foli atij me mirësjellje. Respektoi mendimet e tij. Kushtoi vëmendje kur ai të flet ty. Trajtoje atë me mirësi. Provo ta kënaqësh atë kur ke mundësi. Fëmijët i trajtojnë të tjerët njësoj si i trajtojnë prindërit e tyre ata. Marrëdhënia jote me fëmijën tënd është themeli i marrëdhënies së tij me të tjerët.
Për shembull, zemërimi në shoping mund të evitohet, thotë Natale. Fëmijët i përgjigjen mjaft mirë strukturës. Ju s’mund të dilni në shoping pa i përgatitur ata për të. Tregojuni atyre: “Ne do të vonohemi në shoping 45 minuta. Mami ka nevojë ta blejë këtë gjë. Tregojua listën. Po s’i përgatitët, ata do të lodhen dhe mërziten nga kallabëllëku i njerëzve.”
“Prindërit harrojnë të mendojnë për fëmijën, ta respektojnë fëmijën”, thotë Natale. “Ju punoni për marrëdhëniet e juaja me të rriturit e tjerë, shoqëritë e juaja, martesën tuaj. Por si qëndron puna me marrëdhënien me fëmijën tuaj? Nëse keni një marrëdhënie të mirë dhe ju vërtet keni një harmoni me fëmijën tuaj, kjo është ajo që ka rëndësi.”
Rreth autorit:
Jeanie Lerche Davis shkruan për shëndetin dhe mjekësinë që nga 1990 në platforma të ndryshme, si për Universitetin e Teksasit, Shoqërinë Amerikane kundër Kancerit, Qendrën për Shkenca Mjekësore të Universitetit të Emory-t etj. Ajo ka fituar disa çmime, përfshirë një çmim ndërkombëtar në shkrimin special “Si t’i flasësh tinejxherit tënd”.
Burimi: WebMD
Solli në shqip: Prinderimi.com