Nga: Andrew MI Lee, JD
Rishikuar nga: Charles A. MacArthur, PhD
Këshillë e shpejtë (1)
Bëhu vet një shkrues.
Akti fizik i marrjes së fjalëve në letër është shpesh një pengesë për të shkruar. Lërini fëmijët të thonë me zë të lartë atë që duan të shprehin. Më pas, shkruani atë përgjithësisht ose shkruajeni fjalë për fjalë.
Këshillë e shpejtë (2)
Bëjeni këtë si argëtim.
Praktikimi i shkrimit të dorës duhet të jetë si një punë e përditshme, mirëpo përziejini gjërat dhe bëni të duken argëtim, për shembull: duke i kërkuar fëmijët të gjurmojnë shkronjat (qoftë edhe në krem rroje) ose të vizatojnë rrugën e tyre nëpër labirint.
Këshillë e shpejtë (3)
Provoni një organizues grafik.
Një skicë ose shabllon i strukturuar mund t’i ndihmojë fëmijët të krijojnë ide dhe të organizojnë detyra me shkrim.
Këshillë e shpejtë (4)
Përdorni një tastierë.
Tastiera nuk do ta rregullojë dorëshkrimin e çrregullt por, përdorimi i saj i lejon fëmijët të shprehen lirshëm pa u shqetësuar për formimin e shkronjave ose qëndrimin brenda rreshtave.
Këshillë e shpejtë (5)
Përdorni kontrollin gramatikor.
Ju keni dëgjuar për kontrollin e drejtshkrimit. Këto ditë, shumë pajisje kanë aplikacione dhe mjete falas që fëmijët mund të përdorin për të kontrolluar gramatikën e tyre. Disa madje sugjerojnë fjalë alternative nëse fëmijët janë të ‘mbërthyer’.
Disa fëmijë kanë probleme me shkrimin (quhet ndyshe edhe si disgrafia). Ata mund të kenë dorëshkrim të çrregullt ose të shkruajnë një fjali plot me gabime drejtshkrimore. Ose edhe mund të mos jenë në gjendje as të fillojnë të shkruajnë kur u kërkohet të shkruajnë diçka.
Këto lloj vështirësish me shkrim nuk janë të rralla. Por, kur bëhen ato raste shqetësimi?
Ekzistojnë dy fusha kryesore të shkrimit ku fëmijët mund të kenë probleme:
- Shkrimi i dorës dhe drejtshkrimi
- Shprehja e ideve me shkrim
Edhe fëmijët e zgjuar mund të kenë probleme në një ose në të dyja fushat e lartcekura. Ata mund të luftojnë për një sërë arsyesh. Fëmijët zhvillojnë aftësitë e të shkruarit me ritme të ndryshme, dhe disave u duhet më shumë kohë se të tjerët për t’i mësuar këto aftësi. Dhe, ndonjëherë fëmijët thjesht kanë nevojë për ndihmë shtesë për t’u përmirësuar në të shkruar.
‘Zhytu më thellë’
Shkrim dore i çrregullt
Shkathtësitë e shkrimit të dorës janë pjesë e një fushe shkrimi të quajtur transkriptim. Edhe nëse fëmijët kanë ide të mirëformuara dhe të organizuara, ato ide mund të jenë të palexueshme në një farë mënyre.
Kur fëmijët e kanë të vështirë me shkrimin e dorës, ata mund të kenë probleme me:
- Formim të shkronjave
- Vendosja e shkronjave dhe fjalëve në faqe
- Bërja e shkronjave dhe fjalëve në madhësinë e duhur
- Mbajtja dhe kontrolli i një lapsi
- Shkrimi në vijë të drejtë
Problemet me shprehjen e ideve
Disa fëmijë kanë vështirësi në mbledhjen e ideve dhe planifikimin se si t’i vendosin ato në formë të shkruar. Kjo aftësi shpesh quhet shprehje me shkrim.
Fëmijët mund të mos jenë në gjendje të arrijnë atë që duan të thonë. Ose mund të mos dinë se ku të fillojnë. Ndoshta fillojnë të shkruajnë, por më pas nuk dinë si ta organizojnë pjesën tjetër.
Problemet me shprehjen e shkruar shpesh shkaktohen nga aftësitë e dobëta të planifikimit dhe organizimit. Por, mund të ketë edhe faktorë të tjerë.
Përdorni mjete si organizatorët grafikë, për të ndihmuar fëmijët të planifikojnë shkrimin e tyre. Provoni strategjitë e shkrimit, si t’u kërkoni fëmijëve të reflektojnë përpara se të shkruajnë.
Hapat e ardhshëm
Të vëresh se një fëmijë e ka të vështirë të shkruajë është një hap i parë i rëndësishëm. Ju mund të flisni me fëmijën për sfidën. Sigurohuni që ata e dinë se të gjithë kanë vështirësi me diçka dhe se të gjithë njerëzit kanë gjithashtu pika të forta.
Vazhdoni të vëzhgoni fëmijën dhe të mbani shënime. Nëse ka një model që vazhdon për një kohë si i njejtë pa rezultate të dukshme, është mirë të flisni me të tjerët.
Nëse jeni prind ose kujdestar, kontaktoni mësuesin e fëmijës suaj. Mësuesit mund të jenë burime të shkëlqyera informacioni dhe këshilla. Nëse jeni mësues, ndani mendimet tuaja me familjen e fëmijës.
Burimi: Understood
Rreth autorit:
Andrew MI Lee, JD është një redaktor dhe avokat që përpiqet të ndihmojë njerëzit të kuptojnë çështjet komplekse ligjore, arsimore dhe prindërore.
Shqyrtuar nga:
Charles A. MacArthur, PhD është profesor emeritus i arsimit special. Ai hulumton udhëzimet e shkrimit, strategjitë e vetërregulluara dhe teknologjinë ndihmëse.
Përktheu: Perparim Blakaj
Prinderimi.com