Motivimi drejt librit është një prej rrugëtimeve të tij. Kur fillon ta përshkruash, nuk kthehesh dot më mbrapsht. Është një kënaqësi, që kërkon ta kesh me vete deri në fund të jetës. Ndaj, ka vlerë të këmbëngulni t’i njihni fëmijët me këtë vlerë, e cila ka sjellë pasuri të pashoqe në njerëzim.
Në aktivitetet e përditshme, prindërit, ndër të tjera, duan që fëmijët e tyre të marrin një libër në dorë. Pjesa më e madhe e tyre ankohen që ata rrinë gjithë ditën me kompjuter në dorë, ndërkohë që do të duhet të kalojnë kohë edhe me një libër në dorë. Përballë tundimit të një loje në kompjuter dhe zgjedhjes së një libri, duket sikur zgjedhja është shumë e thjeshtë. Fëmija do të zgjedhë lojën. Kështu prindërit zhgënjehen e zhgënjehen, pa menduar për një zgjidhje më të mirë se si t’u kërkojnë me ngulm që të lexojnë.
Por si mund t’ia dalim që fëmija të lexojë një libër? A është aq e vështirë sa duket? A ka një mënyrë që ta bëjmë fëmijën të motivohet më shumë prej librit?
Fillimisht, do të duhet të bëjmë paqe me realitetin e botës elektronike. Kjo e fundit, edhe pse është intrusive në disa prej aktiviteteve gjatë ditës, s’mund të fajësohet për “dëmet” që mund të bëjë në këtë drejtim. Në fakt, në një artikull të ardhshëm do të shikojmë më me kujdes se cilat janë dëmet dhe përparësitë e saj në kohët që jetojmë. Por, në këtë artikull, do të duhet t’u japim një vend aktiviteteve të përditshme dhe librit, gjithashtu, vendin e tij.
Në praktikën time profesionale, përpara se t’i kthehem sjelljes së fëmijëve se përse bëjnë atë që bëjnë, vëzhgoj me vëmendje sjelljen e prindërve, dinamikën e tyre me fëmijët, se përse nuk arrijnë që të bindin një fëmijë të lexojë apo edhe të kryejë aktivitete të tjera të ngjashme. Nuk është e lehtë të bindësh një fëmijë. Për këtë, “loja” fillon me prindërit. Mjaftojnë disa ditë vëzhgimi, mbledhje e të dhënave në raport me sjelljet e fëmijëve dhe reagimet e prindërve, të ambientit ku gjendet fëmija, rutina e ditës, për të kuptuar se dinamika është e atillë që nuk jep shumë rezultat në qëllimet që prindërit duan të arrijnë.
Prindërit thonë, “ne duam që fëmija ynë të lexojë”, por vetë ata nuk shpenzojnë shumë kohë ose thuajse fare kohë duke lexuar. Ata thonë, “ne duam që fëmijët të mos qëndrojnë shumë në telefon apo në ipad, ose në kompjuter”, dhe duket se ata vetë qëndrojnë shumë orë më shumë pranë pajisjeve elektrike. Këto janë modele të cilat nxisin sjellje të ngjashme te fëmijët. Sado fjalë bindëse të thonë prindërit drejt fëmijëve të tyre, shembujt më solid, janë sjelljet tona, modelet tona.
Por, e marrim të mirëqenë që ne, si prindër, vetë nuk lexojmë shumë. E çfarë duhet të bëjmë me këtë gjë? Do të duhet të heqim dorë t’u kërkojmë fëmijëve të lexojnë? Jo, ne nuk do të heqim dorë t’i nxisim fëmijët të lexojmë, por, me siguri, ne do të ndryshojmë strukturën e punës gjatë ditës. Sikurse e kam thënë edhe në artikujt e mëparshëm, rregullat dhe struktura u ofron fëmijëve shumë siguri. Fëmijët duan të jenë pjesë e “planit” tuaj. Thjesht ata duan të ndihen të motivuar për ta realizuar atë. Në këtë rast, JU do të jeni pjesë e planit bashkë me ata.
Pasi keni kuptuar rutinën e fëmijës dhe aktivitetet e parapëlqyera të tij, filloni të ndërtoni një agjendë, një program të përditshëm, duke e ndarë me kohën që i nevojitet secilës detyrë fillimisht, sikundër mund të jenë detyrat e shkollës dhe më pas aktivitetet më të pëlqyera. Fëmijët kanë të drejtë të bëjnë pushim gjatë detyrave, mos e harroni këtë, thjesht ata do të duhet të bëjnë një pushim neutral, pa aktivitete të preferuara, TV, radio, ipad, etj., sepse kështu do ta kenë të vështirë të shkëputen.
Pas pushimit, do të duhet t’u kthehen detyrave. Zakonisht, në programin e ditës, unë i inkurajoj prindërit që t’u vendosin emra programeve të fëmijëve: koha e lojës, e enjtja e Craft-it, e premtja e notit, e diela e pastërtisë (rregullimi i dhomës, me ndihmë kur është e nevojshme) dhe e shtuna e librit. Sikurse e shikoni, nuk ka nevojë që çdo ditë të jetë “dita për të lexuar”, edhe pse kjo mund të kthehet në një rutinë. Por, një prej ditëve mund të kthehet si e këtillë. Janë ato ditët ku ju mund të dilni bashkë, të zgjidhni një libër të ri dhe ta lexoni bashkërisht. Është shumë e dashur kjo kohë kur ka më shumë se një fëmijë në familje. Ndonjëherë unë i inkurajoj prindërit të marrë në shtëpinë e fëmijës edhe ndonjë shok ose të afërm.
Gjatë “ditës së librit”, janë prindërit ata të cilët lexojnë më së shumti. Dhe hera-herës u kërkojnë fëmijëve që të lexojnë ndonjë prej dialogëve që gjendet në libër. Sigurisht që prindi do të duhet të jetë disi i përgatitur për kapitullin që po lexon. Që të mos bëhet i mërzitshëm, pyetjet rreth ndodhive të ndryshme që ndodhin në libër, të lidhura me jetën e fëmijës, janë shumë argëtuese: Çfarë do të bënit ju po të kishit një shpatë magjike? Si do të reagonit ju, nëse do të shkonit në një shpellë me piratë? Cili prej jush ka përjetuar ndonjëherë frikë nga errësira si personazhi në libër dhe ka brofur nga vendi? Etj.
Ndërkohë, librat gjatë javës janë të një tjetër natyre. Atë e zgjedh vetë fëmija dhe e merr në kohës që shtrihet në krevat. Nuk i tregojmë ne se sa duhet të lexojë përpara se të flerë. Thjesht i kërkojmë të bëjë një marrëveshje, që të mund të realizojë, të paktën, dy faqe në mbrëmje. Nëse është shumë i/e lodhur, ato mund t’ua lexojmë edhe ne. Leximi i librit të fëmijës, mund të zgjasë deri në moshën 9-10 vjeç. Mos u çudisni! Alternimi i leximit, u ofron qetësi, paqe, siguri dhe ngrohtësi fëmijëve. Është një vëmendje që e duan hera-herës.
Muzika është një mënyrë shumë e mirë për ta shoqëruar me leximin e librit. Një muzikë e qetë, relaksuese, me një piano në sfond, të cilën e gjeni në internet, mund të vendoset në dhomë gjatë së shtunës apo të dielës së librit. U krijon një frymëmarrje më të plotë fëmijëve, jo vetëm fizikisht por edhe mendërisht.
Pra, në këtë artikull, këmbëngulëm në radhë të parë te modelet që u japim ne fëmijëve. Më pas, prekëm strukturën e ditës për një fëmijë, që organizmi të jetë në vetvete motivues. Dhe, së fundmi, të mund t’u ofrojmë fëmijëve atmosferë mbështetëse.
Gjithashtu, ajo që do të ndihmonte cilësisht në interesin ndaj librave, është edhe vetë interesi i fëmijëve në natyrën e subjekteve që pëlqen, të personazheve e të karaktereve, si dhe angazhimi që u kërkojmë t’i hulumtojmë ata së bashku. Nëse u keni lexuar për heronj dhe kështjella, mos harroni të vizitoni, të paktën, një kështjellë së bashku në jetën tuaj. Nëse u keni folur për natyrë dhe aventura, mos harroni ta bëni një bashkë etj.
Motivimi drejt librit është një prej rrugëtimeve të tij. Kur fillon ta përshkruash, nuk kthehesh dot më mbrapsht. Është një kënaqësi, që kërkon ta kesh me vete deri në fund të jetës. Ndaj, ka vlerë të këmbëngulni t’i njihni fëmijët me këtë vlerë, e cila ka sjellë pasuri të pashoqe në njerëzim.
Nga Drnt. Denata Toçe