Çdo vit, më 19 nëntor, shënohet Dita Ndërkombëtare e Burrave, një mundësi për të reflektuar mbi mirëqenien, shëndetin mendor dhe rolin e burrave në familje e shoqëri. Një nga përvojat më transformuese në jetën e një burri është kalimi në atësi. Megjithatë, krahas gëzimit që sjell ardhja e një fëmije, kjo periudhë mund të shoqërohet me pasiguri, ankth, lodhje dhe vështirësi emocionale, të cilat shpesh mbeten të pathëna.
Kur lind një fëmijë, ndryshon edhe identiteti i babait
Ardhja e një fëmije ndryshon rutinën, marrëdhënien në çift, përgjegjësitë financiare dhe mënyrën se si një burrë e percepton veten. Shumë baballarë përballen me presionin për të siguruar stabilitet ekonomik, për të mbështetur partneren dhe për të qenë emocionalisht të pranishëm.
Frika nga dështimi si prind, mungesa e gjumit, ndryshimet në marrëdhënien bashkëshortore dhe humbja e hapësirës personale mund të ndikojnë ndjeshëm në mirëqenien psikologjike të baballarëve.
Edhe baballarët mund të përjetojnë depresion pas lindjes së fëmijës
Një metaanalizë e publikuar në revistën shkencore JAMA në vitin 2010, nga Paulson dhe Bazemore, vlerësoi se rreth 10% e baballarëve përjetojnë depresion gjatë periudhës së shtatzënisë së partneres ose vitit të parë pas lindjes.
Megjithatë, depresioni te burrat mund të shfaqet edhe përmes nervozizmit, izolimit emocional, irritimit, angazhimit të tepruar në punë, humbjes së interesit për aktivitetet e përditshme ose konsumimit të shtuar të alkoolit. Këto shenja shpesh keqinterpretohen si mungesë përgjegjësie apo indiferencë ndaj familjes, duke e vështirësuar identifikimin e problemit dhe kërkimin e ndihmës.
Stigma e të qenit burrë dhe baba
Në realitetin tonë, pritshmëritë tradicionale ndaj burrave mund ta vështirësojnë shprehjen e emocioneve. Shprehje të tilla si “burrat nuk qajnë” apo “duhet të jesh i fortë për familjen” mund të krijojnë bindjen se të kërkosh ndihmë është shenjë dobësie.
Udhëzimet e Shoqatës Amerikane të Psikologjisë (APA) për punën psikologjike me djemtë dhe burrat nënvizojnë se normat kufizuese të maskulinitetit mund të pengojnë shprehjen emocionale dhe kërkimin e mbështetjes profesionale. Baballarët kanë nevojë të ndihen të dëgjuar, të kuptuar dhe të mbështetur, pa u gjykuar për vështirësitë që përjetojnë.
Si mund ta mbrojnë baballarët shëndetin e tyre mendor?
Të flasin hapur me partneren për shqetësimet dhe pasiguritë.
Të krijojnë mundësi për pushim dhe aktivitet fizik.
Të ndajnë përgjegjësitë prindërore në mënyrë të balancuar.
Të komunikojnë me baballarë të tjerë për përvojat e përbashkëta.
Të shmangin krahasimin me modelet e idealizuara të prindërimit.
Të kërkojnë ndihmë psikologjike kur shqetësimet vazhdojnë ose pengojnë funksionimin e përditshëm.
Mirëqenia e babait është pjesë e mirëqenies së fëmijës
Studimet mbi përfshirjen e baballarëve tregojnë se marrëdhëniet e ngrohta, të sigurta dhe të qëndrueshme me ta kontribuojnë në zhvillimin emocional, social dhe njohës të fëmijëve. Prandaj, mbështetja e shëndetit mendor të baballarëve nuk është vetëm çështje individuale, por edhe investim në mirëqenien e gjithë familjes.
Edhe institucionet shëndetësore mund të kontribuojnë duke përfshirë baballarët në konsultat para dhe pas lindjes, duke ofruar informim mbi shëndetin mendor dhe duke krijuar hapësira ku ata mund të diskutojnë për sfidat e atësisë.
Në këtë Ditë Ndërkombëtare të Burrave, le të ndërtojmë një kulturë ku burrat nuk vlerësohen vetëm për atë që sigurojnë materialisht, por edhe për ndjeshmërinë, përkushtimin dhe praninë e tyre emocionale. Një baba nuk ka nevojë të jetë i përsosur. Ai ka nevojë gjithashtu për kujdes, mirëkuptim dhe mbështetje.
Prinderimi.com
