Shkolla nuk përbëhet vetëm nga mësimdhënësit: A ka Kosova personel të mjaftueshëm mbështetës në arsim?
18 nëntor – Dita e Profesionistëve Mbështetës të Arsimit, në kuadër të Javës Amerikane të Arsimit 2026.
Cilësia e arsimit nuk përcaktohet vetëm nga puna e mësimdhënësve, tekstet shkollore apo infrastruktura. Një shkollë funksionale ka nevojë për një ekip profesionistësh që mbështesin zhvillimin akademik, emocional dhe social të nxënësve.
Dita e Profesionistëve Mbështetës të Arsimit, e shënuar në kuadër të Javës Amerikane të Arsimit, ofron një mundësi për të reflektuar edhe mbi gjendjen e personelit mbështetës në institucionet arsimore të Kosovës. Psikologët, pedagogët, asistentët për fëmijët me nevoja të veçanta arsimore, mësimdhënësit mbështetës dhe personeli administrativ kontribuojnë në krijimin e një mjedisi të sigurt, funksional dhe gjithëpërfshirës.
Çfarë tregojnë raportet e fundit për Kosovën?
Sipas të dhënave të OECD-së, të publikuara në prill të vitit 2026, bazuar në studimin ndërkombëtar TALIS 2024, 49% e mësimdhënësve në Kosovë punojnë në shkolla ku drejtorët raportojnë se mungesa e personelit mbështetës pengon ofrimin e mësimdhënies cilësore.
Kjo situatë tregon se përgjegjësitë e mësimdhënësve shpesh tejkalojnë kompetencat dhe mundësitë e tyre profesionale. Identifikimi i vështirësive zhvillimore, menaxhimi i problemeve të sjelljes, adresimi i bullizmit dhe mbështetja individuale e nxënësve kërkojnë bashkëpunim ndërmjet profesionistëve të fushave të ndryshme.
Psikologët dhe pedagogët shkollorë
Raporti i UNICEF-it mbi hartëzimin e shërbimeve të shëndetit mendor dhe mbështetjes psikosociale për fëmijët dhe të rinjtë në Kosovë, i publikuar në vitin 2026, evidenton nevojën për fuqizimin e shërbimeve profesionale dhe përmirësimin e qasjes në to.
Psikologët shkollorë kanë rol të rëndësishëm në identifikimin e hershëm të vështirësive emocionale, parandalimin e dhunës, mbështetjen e nxënësve dhe këshillimin e prindërve. Ndërkohë, pedagogët ndihmojnë në përmirësimin e proceseve edukative, identifikimin e pengesave në të nxënë dhe zhvillimin e strategjive pedagogjike që u përgjigjen nevojave individuale të nxënësve.
Asistentët dhe arsimi gjithëpërfshirës
Mungesa e asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta arsimore mbetet një sfidë për sistemin arsimor të Kosovës. Gjetjet e auditimit të performancës gjatë vitit 2026 evidentojnë mangësi në kapacitetet profesionale të shkollave të audituara. Në disa raste, familjet janë detyruar të angazhojnë vetë asistentë privatë për fëmijët e tyre.
Kjo krijon pabarazi, pasi qasja në mbështetje profesionale nuk duhet të varet nga mundësitë financiare të prindërve.
Çfarë duhet të ndryshojë?
Përmirësimi i cilësisë së arsimit në Kosovë kërkon:
– Shtimin e numrit të psikologëve dhe pedagogëve shkollorë;
– Angazhimin e asistentëve sipas nevojave individuale të nxënësve;
– Shpërndarjen e drejtë të personelit profesional ndërmjet shkollave;
– Trajnimin e vazhdueshëm të profesionistëve mbështetës;
– Bashkëpunimin sistematik ndërmjet shkollës, familjes dhe institucioneve;
– Identifikimin dhe adresimin e hershëm të vështirësive në të nxënë.
Prindërit gjithashtu duhet të informohen për shërbimet profesionale që ofron shkolla, mënyrën e qasjes në to dhe mundësitë për të kërkuar mbështetje kur fëmija përballet me vështirësi akademike apo emocionale.
Personeli mbështetës nuk është luks, por domosdoshmëri
Investimi në personelin mbështetës është investim në parandalimin e braktisjes shkollore, përfshirjen sociale, mirëqenien emocionale dhe përmirësimin e rezultateve arsimore. Nuk mund të kërkojmë nga mësimdhënësit që të vetëm t’i adresojnë të gjitha sfidat akademike, sociale, emocionale dhe zhvillimore të nxënësve.
Një sistem arsimor cilësor nuk ndërtohet vetëm duke investuar në mësimdhënie, por edhe duke siguruar një ekip profesionistësh që bashkëpunojnë për zhvillimin e potencialit të çdo fëmije.Vlerësimi i këtyre profesionistëve duhet të shoqërohet me politika konkrete, financim të qëndrueshëm dhe përmirësim të kushteve të punës në institucionet arsimore.
Prinderimi.com
