Gati dy dekada më vonë, fëmijët që gjatë moshës parashkollore kishin marrë mësime shtesë për zhvillimin e aftësive sociale, emocionale dhe gjuhësore raportuan një cilësi më të lartë të jetës krahasuar me bashkëmoshatarët që nuk kishin marrë të njëjtin trajnim. Këtë e ka konstatuar një ekip ndërdisiplinor studiuesish nga Universiteti Shtetëror i Pensilvanisë (Penn State).
Në një studim të ri, të publikuar në revistën shkencore American Psychologist, studiuesit zbuluan se të rinjtë që kishin marrë pjesë gjatë moshës parashkollore në programin REDI (Research Based, Developmentally Informed), i cili mëson aftësitë e miqësisë, zgjidhjen e problemeve sociale, gjuhën dhe aftësi të tjera, raportuan më pak simptoma depresive, më pak vetmi, më shumë empati dhe nivele më të larta të kënaqësisë me jetën sesa bashkëmoshatarët që nuk kishin marrë pjesë në këtë program.
Programi REDI u zhvillua në Penn State në fillim të viteve 2000 dhe u zbatua në institucionet parashkollore në tri qarqe të Pensilvanisë.
“REDI përmirësoi jetën e pjesëmarrësve në mënyra domethënëse. Për shembull, të rinjtë që kishin marrë pjesë në REDI gjatë fëmijërisë raportuan mesatarisht pothuajse dy ditë më shumë me shëndet të mirë në muaj, krahasuar me bashkëmoshatarët që nuk kishin marrë pjesë. Kjo mund të përkthehet në më shumë se 20 ditë shtesë me shëndet të mirë çdo vit, ndërsa përfitimi mund të vazhdojë për vite të tëra.”
— Damon Jones, profesor hulumtues në Qendrën për Kërkime mbi Parandalimin Edna Bennett Pierce dhe bashkautor i studimit.
Rëndësia e edukimit të hershëm
Në vitet 1960, qeveria federale amerikane krijoi programin parashkollor Head Start, të dedikuar për fëmijët nga familjet me të ardhura të ulëta. Ky program synonte zhvillimin e aftësive të nevojshme për një fillim të suksesshëm të shkollimit fillor, si pritja e radhës, dëgjimi i të tjerëve dhe bashkëpunimi. Kjo ishte veçanërisht e rëndësishme, sepse, mesatarisht, fëmijët që e fillojnë shkollën pa këto aftësi arrijnë rezultate më të ulëta akademike gjatë jetës krahasuar me bashkëmoshatarët e tyre.
Gjatë 50 viteve të fundit, shumë studime kanë treguar se programi Head Start kontribuon në përgatitjen për shkollë dhe në suksesin afatgjatë akademik dhe jetësor. Megjithatë, sipas studiuesve, vazhdon të ekzistojë një hendek në arritjet akademike ndërmjet fëmijëve nga familjet me të ardhura të ulëta dhe bashkëmoshatarëve të tyre.
“Studiuesit e dinë se fëmijëria e hershme është një periudhë veçanërisht e përshtatshme për t’i pajisur fëmijët me aftësi që u shërbejnë gjatë gjithë jetës për të mësuar, për të zgjidhur probleme dhe për të ndërtuar marrëdhënie të shëndetshme”, tha Karen Bierman, profesoreshë e psikologjisë në Penn State, autore kryesore e studimit dhe hartuese kryesore e programit REDI.
“Ne dëshironim të kuptonim nëse pajisja e fëmijëve me aftësi sociale, gjuhësore dhe për zgjidhjen e problemeve mund t’i orientonte ata drejt suksesit gjatë gjithë jetës. Pavarësisht rrugëve të ndryshme që mund të marrin jetët e fëmijëve, pjesëmarrja në REDI, një program plotësues i zbatuar në klasat Head Start, vazhdonte të lidhej me një jetë dukshëm më të mirë kur ata arrinin moshën e rritur.”
Si u realizua studimi?
Studiuesit krahasuan dy grupe fëmijësh:
– 164 fëmijë që ndiqnin klasat standarde të programit Head Start.
– 192 fëmijë që ndiqnin klasat ku zbatohej edhe programi REDI.
Të gjithë pjesëmarrësit përfituan nga programi Head Start, por ata që morën pjesë edhe në REDI raportuan një cilësi më të lartë të jetës krahasuar me bashkëmoshatarët që kishin ndjekur vetëm programin standard.
Çfarë mësonin fëmijët përmes programit REDI?
Në kuadër të programit REDI, fëmijët parashkollorë merrnin dy mësime në javë, të përqendruara në katër fusha kryesore të zhvillimit.
1. Aftësitë për ndërtimin e miqësive
Fëmijët mësonin të ndanin gjërat me të tjerët, të prisnin radhën dhe të bashkëpunonin me bashkëmoshatarët.
2. Kuptimi i emocioneve
Mësimet përfshinin njohjen e ndjenjave, kuptimin e emocioneve personale dhe ndërgjegjësimin se si sjellja e tyre ndikon te të tjerët.
3. Aftësitë për zgjidhjen e problemeve
Fëmijët mësonin si të ruanin qetësinë kur ndiheshin të mërzitur ose të zemëruar dhe si të përballonin situata të vështira sociale.
4. Zhvillimi i aftësive gjuhësore
Programi përfshinte pasurimin e fjalorit dhe zhvillimin e aftësive të leximit, në mënyrë që fëmijët të kishin mjetet gjuhësore të nevojshme për të shprehur emocionet dhe për të përdorur aftësitë e tyre sociale. Përveç kësaj, edukatorët u trajnuan jo vetëm për të zhvilluar mësimet REDI, por edhe për t’i zbatuar këto aftësi në situata reale të përditshme.
Për shembull, kur dy fëmijë dëshironin të njëjtën lodër ose kur një fëmijë nuk dëshironte të ulej pranë një tjetri, edukatorët i shfrytëzonin këto situata si mundësi për të mësuar bashkëpunimin, komunikimin dhe zgjidhjen paqësore të konflikteve.
Bierman dhe kolegët e saj kishin konstatuar më parë se fëmijët që morën pjesë në REDI shfaqnin sjellje më të mira dhe marrëdhënie më pozitive me bashkëmoshatarët gjatë shkollës fillore dhe të mesme, krahasuar me fëmijët që nuk kishin marrë pjesë në program.
Rezultatet pas 18 vitesh: më pak vetmi dhe më shumë kënaqësi me jetën
Në këtë studim, studiuesit anketuan të rinj të moshës 21–22 vjeç, të cilët gjatë fëmijërisë kishin marrë pjesë në njërin nga 44 programet Head Start në tri qarqe të Pensilvanisë. Pjesëmarrësit iu përgjigjën pyetjeve që vlerësonin 11 aspekte të mirëqenies, përshtatjes sociale dhe cilësisë së jetës, përfshirë vetminë, kënaqësinë me jetën dhe simptomat e depresionit.
Të rinjtë që kishin marrë pjesë në REDI raportuan:
– Nivele më të ulëta të simptomave depresive.
– Më pak ndjenja vetmie.
– Më pak probleme të sjelljes, përfshirë sjelljet antisociale.
– Nivele më të larta të empatisë.
– Më shumë mbështetje emocionale.
– Më shumë ditë me shëndet të mirë.
– Kënaqësi më të lartë me jetën.
Ndërkohë, nuk u identifikuan dallime ndërmjet grupeve në katër aspekte të tjera: hiperaktiviteti, simptomat e problemeve emocionale, shoqërueshmëria dhe ndjenja e sigurisë dhe përkatësisë. “REDI jo vetëm që ndikoi në shtatë nga 11 faktorët që matëm, por dallimet ishin mjaftueshëm të mëdha për të pasur rëndësi reale në jetën e pjesëmarrësve”, tha Bierman.
Sipas studiuesve, fakti që dallimet mund të identifikoheshin edhe pas 18 vitesh tregon vlerën e zhvillimit të aftësive që në moshë të hershme. “Ky studim i shtohet një numri tashmë shumë bindës kërkimesh shkencore që tregojnë se mbështetja e fëmijëve në fillim të jetës mund të ketë ndikim për dekada të tëra”, tha Bierman. “Gjithashtu, ai dëshmon se aftësitë sociale dhe emocionale janë të rëndësishme për përgatitjen e fëmijëve për sukses në jetë.”
Përvojat e vështira gjatë fëmijërisë lënë pasoja afatgjata
Megjithëse studimi tregoi përfitimet e programit REDI, ai nxori në pah edhe nevojën për më shumë punë në mbrojtjen dhe mbështetjen e fëmijëve. Sipas Janet Welsh, profesoreshë hulumtuese në Qendrën Edna Bennett Pierce dhe bashkautore e studimit, rezultatet tregojnë se përvojat e vështira gjatë fëmijërisë mund të kenë ndikim të qëndrueshëm në mirëqenien e individit.
Gjatë 18 viteve të studimit REDI, studiuesit dokumentuan përvojat e vështira që kishin përjetuar pjesëmarrësit gjatë fëmijërisë, përfshirë ndarjen nga prindërit dhe paqëndrueshmërinë familjare. Këto përvoja kishin ndikim negativ afatgjatë në shëndetin dhe përshtatjen e pjesëmarrësve në kohën kur u realizua studimi.
“Pavarësisht nëse fëmijët kishin marrë pjesë në REDI apo jo, ne zbuluam se ata që kishin përjetuar më shumë situata të vështira gjatë fëmijërisë kishin mirëqenie më të ulët në moshën e rritur”, tha Welsh.
“Duhet të bëjmë gjithçka që mundemi për t’i mbrojtur fëmijët nga dëmtimet, duke i ndihmuar njëkohësisht të zhvillojnë aftësitë për të përballuar çdo përvojë që mund t’u sjellë jeta. Kjo kërkon investime financiare, por përfaqëson një investim të qëndrueshëm në të ardhmen tonë të përbashkët.”
Artikull nga: Jenifer Vilcarino, American Psychologist
Përkthim: Prinderimi.com
