T’i ndihmosh fëmijët të mësojnë të marrin përgjegjësi për gabimet e tyre nuk është aspak e lehtë. Fëmijët mësojnë shpejt të thonë gënjeshtra të vogla dhe të gjejnë justifikime, ndërsa nuk është gjithmonë e lehtë të kuptohet arsyeja. Ndonjëherë, ata veprojnë kështu për të shmangur ndëshkimin, për shkak të sikletit ose nga frika se dikush do të krijojë një mendim të keq për ta.
“Ata janë të kujdesshëm ndaj çdo reagimi negativ”, thotë Betsy Brown Braun, specialiste e zhvillimit dhe sjelljes së fëmijëve në Pacific Palisades të Kalifornisë dhe autore e librit You’re Not the Boss of Me. “Mbi të gjitha, ata duan që ju të jeni të kënaqur me ta.”
Megjithatë, kjo nuk do të thotë se prindërit duhet t’i lejojnë fëmijët t’i shmangen përgjegjësisë përmes justifikimeve. Fëmijët që krijojnë zakonin e fajësimit të të tjerëve mund të bëhen të rritur që kanë mungesë vetëbesimi, hezitojnë të marrin përsipër sfida dhe nuk janë të besueshëm. T’i mësosh fëmijët të pranojnë përgjegjësinë për veprimet e tyre kërkon përpjekje, por ekziston një proces me pesë hapa që mund t’i ndihmojë të zhvillohen në të rritur të përgjegjshëm.
Hapi 1: Tërhiquni pak dhe jepuni më shumë hapësirë
Pothuajse gjatë gjithë ditës, fëmijët kanë dikë që u tregon se çfarë duhet të bëjnë. Sipas sociologes Christine Carter, kjo është një nga arsyet pse fëmijët priren t’ua hedhin fajin të tjerëve. Kur çdo veprim u diktohet nga dikush tjetër, ata nuk e kuptojnë plotësisht se janë vetë përgjegjës për sjelljen e tyre.
Përpara se të mësojnë të marrin përgjegjësi, fëmijët duhet të kuptojnë se mund t’i kontrollojnë veprimet e tyre dhe të marrin vendime. Për këtë arsye, prindërit duhet të përpiqen të mos japin vazhdimisht udhëzime për çdo gjë, si veshja e palltos, përfundimi i detyrave të shtëpisë apo falënderimi i gjyshes. Kjo u krijon fëmijëve hapësirë për të menduar dhe vepruar në mënyrë më të pavarur.
Hapi 2: Shpjegojuni fëmijëve arsyet pas vendimeve tuaja
Të rriturit marrin çdo ditë shumë vendime, nga ato më të thjeshtat deri te ato më të rëndësishmet. Megjithatë, fëmijët shpesh nuk e kuptojnë procesin e mendimit që qëndron pas këtyre vendimeve, sepse ai zhvillohet në mendjen tonë.
Betsy Brown Braun sugjeron që prindërit t’ua shpjegojnë fëmijëve arsyet e zgjedhjeve të tyre. Për shembull, mund të tregojnë pse vendosin të kursejnë para në vend që të blejnë diçka menjëherë, ose pse zgjedhin të përfundojnë një detyrë përpara se të pushojnë. Në këtë mënyrë, fëmijët mësojnë të reflektojnë mbi pasojat e vendimeve dhe të zhvillojnë aftësinë për të marrë vendime të përgjegjshme.
Hapi 3: Mos nxitoni t’i shpëtoni nga çdo vështirësi
Kur fëmijët harrojnë detyrat e shtëpisë, prindërit mund t’ua dërgojnë ato në shkollë. Kur nuk i mbledhin lodrat, prindërit mund ta bëjnë këtë në vend të tyre. Kur kanë mosmarrëveshje me shokët, të rriturit mund të ndërhyjnë menjëherë për ta zgjidhur problemin. Edhe pse këto veprime bëhen me qëllime të mira, ato nuk u japin gjithmonë fëmijëve mundësinë të mësojnë nga përvojat e tyre.
Sipas Christine Carter, nëse prindërit i korrigjojnë vazhdimisht gabimet dhe ua zgjidhin problemet fëmijëve, ata nuk mësojnë si t’i përballojnë vetë vështirësitë. Fëmijët kanë nevojë të përjetojnë herë pas here pasojat e natyrshme të veprimeve të tyre. Kjo i ndihmon të kuptojnë se gabimet nuk janë fundi i botës dhe se mund të gjejnë mënyra për t’i korrigjuar ato.
Sigurisht, pasojat duhet të jenë të sigurta dhe të përshtatshme për moshën e fëmijës. Qëllimi nuk është ta turpërojmë apo ndëshkojmë, por ta ndihmojmë të mësojë.
Hapi 4: Bëhuni shembull për fëmijët
Është e natyrshme që edhe të rriturit të përpiqen ndonjëherë t’i shmangen pranimit të gabimeve. Për shembull, kur dikush na kritikon për një veprim të gabuar, mund të reagojmë duke fajësuar personin tjetër, në vend që të pranojmë përgjegjësinë.
Megjithatë, dy fjalë të thjeshta mund të na ndihmojnë të bëhemi shembuj më të mirë për fëmijët: “Gabova unë”. Nëse vonohemi për ta marrë fëmijën nga një aktivitet, harrojmë t’i përmbushim një premtim ose reagojmë me zemërim, mund ta pranojmë gabimin pa kërkuar justifikime.
Terapistja familjare Susan Stiffelman thekson rëndësinë e pranimit të përgjegjësisë pa ia kaluar fajin dikujt tjetër. Për shembull, në vend që të themi: “E kisha gabim që bërtita, por ti nuk po më dëgjoje”, mund të themi: “E kisha gabim që humba durimin dhe të bërtita. Më vjen keq”.
Kur prindërit i pranojnë gabimet e tyre dhe kërkojnë falje sinqerisht, fëmijët mësojnë se marrja e përgjegjësisë nuk është shenjë dobësie, por një pjesë e rëndësishme e pjekurisë.
Hapi 5: Bëhuni udhërrëfyes, jo gjykatës
Pasi fëmijët fillojnë të kuptojnë rëndësinë e përgjegjësisë, prindërit mund t’i ndihmojnë të dallojnë momentet kur përpiqen t’ua kalojnë fajin të tjerëve. Sipas John G. Miller, bashkautor i librit Raising Accountable Kids, është e rëndësishme t’u jepen fëmijëve mundësi të përsëritura për të reflektuar mbi veprimet e tyre, në vend që të fajësojnë dikë tjetër.
Kur fëmija bën një gabim, në vend që ta kritikojnë menjëherë, prindërit mund ta pyesin: “Çfarë ndodhi?”, “Cila ishte pjesa jote në këtë situatë?” dhe “Çfarë mund të bësh ndryshe herën tjetër?”.
Pyetje të tilla e ndihmojnë fëmijën të analizojë sjelljen e vet, të kuptojë pasojat dhe të mendojë për zgjidhje. Në këtë mënyrë, përgjegjësia nuk mësohet përmes frikës nga ndëshkimi, por përmes reflektimit, praktikës dhe mbështetjes së vazhdueshme.
Artikull nga: Parents.com
Përkthim: Prinderimi.com
