Zemërimi është një emocion i zakonshëm te fëmijët, por është e rëndësishme që ata të mësojnë ta menaxhojnë. Ja si mund t’i ndihmoni.
Më kujtohet sikur të kishte ndodhur dje: qëndroja aty dhe shikoja e pafuqishme teksa vajza ime, zakonisht e ëmbël, katërvjeçare, bërtiste dhe shkelmonte dyshemenë e dhomës së ndenjjes, sepse nuk do të shkonim në këndin e lojërave. I kishte shtrënguar grushtet dhe shtrëngonte dhëmbët aq fort, saqë i dridhej nofulla. A ju duket e njohur kjo situatë?
Shpërthimet e tilla dramatike dhe ndonjëherë frikësuese të zemërimit te fëmijët e vegjël shpesh vijnë si pasojë e mungesës së aftësive gjuhësore, shpjegon Meri Wallace, punonjëse sociale klinike e licencuar (LCSW), eksperte e prindërimit, terapiste e fëmijëve dhe familjeve dhe autore e librit Birth Order Blues.
Fëmijët e vegjël dhe ata të moshës parashkollore nuk janë gjithmonë në gjendje të shprehin atë që i shqetëson, prandaj e shfaqin përmes sjelljeve fizike. Ata mund të qajnë, të bërtasin, të përpëliten ose të shkelmojnë, shpjegon Wallace.
Fëmijët e vegjël gjithashtu kanë vështirësi në kontrollimin e impulseve. Kur ndihen të frustruar, mund të reagojnë menjëherë me sjellje si goditja ose kafshimi. Sipas Wallace, fëmijët e vegjël i përjetojnë dëshirat e tyre si diçka urgjente. Një shpërthim zemërimi është mënyra e tyre për të kundërshtuar kur nevojat nuk u plotësohen dhe për të shprehur ndjenjën e pafuqisë.
Edhe pse përballja me një shpërthim zemërimi të fëmijës mund të jetë rraskapitëse, duhet të kujtojmë se zemërimi është një emocion i natyrshëm, të cilin fëmijët do ta përjetojnë edhe gjatë rritjes. Prandaj, një nga detyrat tona si prindër është t’i mësojmë mënyrat më të mira për ta menaxhuar atë.
Për këtë arsye, ekspertët kanë identifikuar gjashtë mënyra efektive që i ndihmojnë fëmijët të menaxhojnë zemërimin.
1. Pranojeni zemërimin e fëmijës suaj
Kur fëmija shpërthen nga zemërimi, fillimisht tregojini se e keni vënë re atë që po përjeton. Mund t’i thoni: E shoh që je i zemëruar. Nëse e dini arsyen e frustrimit, mund ta shprehni edhe atë: E kuptoj që je i zemëruar sepse të pëlqen shumë të luhatesh në lisharëse, por tani duhet të largohemi nga parku. Më pas, është e rëndësishme t’ia bëni të qartë se zemërimi është një emocion i pranueshëm. Mund t’i thoni: Është në rregull të ndihesh i zemëruar.
Qëllimi është që fëmija të ndihet i sigurt për t’i shprehur emocionet e veta, në vend që t’i shtypë ato.
Hulumtimet tregojnë se pranimi dhe vlerësimi i ndjenjave janë të rëndësishme, sepse mund të ndihmojnë në uljen e intensitetit emocional dhe t’ua lehtësojnë fëmijëve rregullimin e emocioneve. Në të kundërt, kur ndjenjat e tyre zhvlerësohen, për shembull, duke u thënë se nuk duhet të ndihen ashtu, reagimi emocional mund të bëhet edhe më i fortë.
2. Nxiteni të përdorë fjalët
Fëmijët nuk e dinë automatikisht se cilat fjalë duhet të përdorin kur janë të mërzitur ose të zemëruar, shpjegon Wallace. Këtë aftësi duhet t’ua mësojmë. Mund t’i thoni: Kur ndihesh i zemëruar, duhet të përpiqesh të shprehesh me fjalë ose Dua ta kuptoj çfarë të shqetëson. Nëse ma shpjegon me fjalë, do të të kuptoj më mirë dhe do të mund të të ndihmoj. Nëse fëmija e ka të vështirë ta shpjegojë zemërimin, ofrojini një fjali të thjeshtë që mund ta përdorë: Jam i zemëruar ose Kam nevojë për ndihmë që të qetësohem.
Me kalimin e kohës, fëmija fillon t’i përvetësojë këto shprehje, si dhe rregullat dhe pritshmëritë që prindërit i demonstrojnë përmes sjelljes së tyre. Hulumtimet sugjerojnë se fëmijët që përvetësojnë rregullat e prindërve shpesh zhvillojnë aftësi më të mira shoqërore dhe përshtaten më mirë në mjedise të ndryshme.
Përdorni fjali të thjeshta
Nxitini fëmijët të shprehen me fjali të tilla si:
– Jam i zemëruar sepse…
– Nuk më pëlqeu ajo që ndodhi.
– Kam nevojë për ndihmë që të qetësohem.
Fjalët konkrete ndihmojnë në pasurimin e fjalorit emocional dhe u mundësojnë fëmijëve t’i shprehin ndjenjat më qartë.
3. Gjeni një zgjidhje pozitive
Për shumë breza, shpërthimet e zemërimit janë konsideruar si përpjekje të fëmijëve për të manipuluar prindërit. Për këtë arsye, disa ekspertë këshillonin që fëmijët të liheshin të qanin derisa të qetësoheshin, me qëllim që të mos llastoheshin. Megjithatë, qasjet e sotme rekomandojnë që prindërit t’u përgjigjen me qetësi këtyre situatave dhe të përdorin strategji që e ulin intensitetin e reagimit emocional.
Edhe pse mund të jetë joshëse t’ia plotësojmë çdo kërkesë fëmijës për të shmangur një shpërthim, kjo nuk e ndihmon domosdoshmërisht të zhvillojë mënyra më të shëndetshme për t’i përballuar emocionet. Fëmijët kanë nevojë për udhëzim që të mësojnë si të kalojnë përmes zemërimit, në vend që të mbeten të bllokuar në frustrim.
Disa mënyra për t’i ndihmuar janë:
– Gjeni një zgjidhje: E di që është e vështirë ta ndash lodrën tënde të preferuar. Mund ta ruajmë derisa shoku yt të përfundojë lojën dhe pastaj të luash sërish me të.
– Përdorni shpërqendrimin ose ridrejtimin e vëmendjes: E kuptoj që je i mërzitur sepse po bie shi dhe nuk mund të shkojmë në park. Çfarë mendon nëse ndërtojmë një tendë për të luajtur në dhomën e ndenjjes?
– Ofroni një alternativë ose kompromis: Nuk mund të hamë akullore para darkës, por mund të hamë disa feta molle.
Këto strategji ndihmojnë që vëmendja e fëmijës të largohet nga frustrimi dhe të përqendrohet te një mundësi më pozitive.
4. Ngadalësoni reagimin tuaj
Në vend që t’i thoni menjëherë jo fëmijës kur kërkon diçka, ndaluni për një çast dhe përgjigjuni: Ta shohim. Ti dëshiron atë lodrën e re. Le të flasim pak për këtë. Një pauzë e shkurtër ju jep kohë të mendoni se si të reagoni, nëse duhet ta refuzoni kërkesën apo ta orientoni vëmendjen e fëmijës drejt diçkaje tjetër.
Ngadalësimi i reagimit dhe diskutimi e ndihmojnë gjithashtu fëmijën ta kuptojë arsyen e refuzimit dhe ta pranojë atë më lehtë. Në këtë mënyrë, ai kupton se ju i dëgjoni dhe i merrni seriozisht dëshirat e tij, edhe kur nuk mund t’ia plotësoni ato.Edhe ndryshimi i ambientit mund të ndihmojë në qetësimin e situatës. Për shembull, mund t’i thoni: Hajde të shkojmë ta shohim atë qenin që të pëlqen ose Le të shkojmë në farmaci për të marrë kapëset e flokëve që të duhen. Mund të vazhdojmë të bisedojmë gjatë rrugës.
Ngadalësimi është gjithashtu një mënyrë e vlefshme për t’ua demonstruar fëmijëve rregullimin emocional. Kur prindërit marrin kohë për t’u qetësuar në situata stresuese, ata u tregojnë fëmijëve mënyra pozitive për t’i menaxhuar emocionet, të cilat fëmijët mund t’i zbatojnë vetë më vonë.
5. Gjeni një hapësirë të qetë
Nëse jeni në një vend publik, përpiquni të largoheni nga turma. Përqendrohuni te fëmija dhe te vetja, jo te gjykimet e njerëzve përreth jush. Largimi i vëmendjes nga shikuesit mund ta zvogëlojë presionin që ndieni dhe të krijojë një hapësirë më private, ku mund të lidheni emocionalisht me fëmijën.
Sa më pak zhurmë dhe shpërqendrime të ketë, aq më lehtë mund të qetësoheni të dy. Mund t’ia merrni dorën fëmijës dhe t’i thoni me butësi: Eja, ulu në prehrin tim dhe le të flasim për atë që ndodhi.
Ky moment i qetë mund ta ndihmojë fëmijën të ndihet i sigurt dhe i mbështetur, ndërsa ju e udhëzoni përmes emocionit që po përjeton. Qëndroni të qetë edhe ju Fëmija do të vëzhgojë reagimin tuaj për të kuptuar se si duhet të sillet në atë situatë. Merrni frymë thellë dhe përpiquni të ruani qetësinë.
6. Vendosni një kufi të qartë dhe të qëndrueshëm
Ndërsa është e rëndësishme t’ia bëjmë të qartë fëmijës se zemërimi është një emocion i pranueshëm, sjellja agresive nuk është e pranueshme. Për shembull, nëse fëmija godet vëllanë ose motrën, mund t’i thoni: Është në rregull të jesh i zemëruar. E kuptoj zemërimin tënd, por nuk është në rregull të godasësh.
Mund të vazhdoni me një shpjegim të qartë: Ne nuk godasim dhe nuk shkelmojmë të tjerët.
Më pas, udhëzojeni drejt një reagimi më pozitiv. Shpjegojani kufirin: Goditja shkakton dhimbje. Ne nuk i lëndojmë të tjerët. Fëmijët kanë më shumë gjasa t’i kuptojnë dhe t’i respektojnë kufijtë kur arsyeja pas tyre shpjegohet qartë.
Mesazhi kryesor: Fëmijët nuk lindin duke ditur si t’i menaxhojnë emocionet e tyre. Ata e mësojnë këtë aftësi gradualisht, përmes udhëzimit, shembullit dhe mbështetjes së të rriturve. Pranimi i zemërimit nuk do të thotë lejim i çdo sjelljeje, por ndihmë për ta shprehur atë në mënyra të sigurta dhe të shëndetshme.
Artikull nga: Miriam Foley
Përkthim: Prinderimi.com
