Një studim i ri tregon se mënyra se si prindërojmë dhe vlerat që modelojmë mund të ndikojnë në llojet e qëllimeve që ndjekin fëmijët tanë.
Qëllimet janë të rëndësishme si për fëmijët, ashtu edhe për të rriturit, sepse na motivojnë. Kur e dimë se ku duam të arrijmë, mund të gjejmë një rrugë për të shkuar atje. Por jo të gjitha qëllimet kanë të njëjtin ndikim në mirëqenien tonë emocionale.
Qëllimet e brendshme dhe ato të jashtme
Qëllimet e brendshme (intrinsike) dallojnë nga qëllimet e jashtme sepse plotësojnë drejtpërdrejt nevojat tona psikologjike për autonomi, kompetencë dhe lidhje me të tjerët. Qëllimet e brendshme mund të përfshijnë krijimin e marrëdhënieve kuptimplota dhe reciproke, përpjekjen për zhvillim personal dhe gjetjen e kohës për të kontribuar në komunitet. Këto janë lloje qëllimesh që kanë më shumë gjasa të mbështesin mirëqenien.
Qëllimet e jashtme (ekstrinsike) përqendrohen te faktorë të jashtëm, si pasuria, fama, prestigji apo një mijë pëlqime në rrjetet sociale. Është pothuajse e pamundur t’i arrish këto qëllime me një ndjenjë të plotë kënaqësie. Në fund të fundit, gjithmonë do të ketë dikë më të pasur, më të famshëm, më të pëlqyer ose më të ndjekur; gjithmonë do të ketë diçka të re për t’u ndjekur.
A është e mundur të nxisim më shumë motivim të brendshëm te fëmijët? Rezulton se mund t’i ndikojmë fëmijët drejt disa llojeve të qëllimeve edhe pa e kuptuar.
Një studim rishikues i publikuar në Psychological Bulletin sugjeron se natyra e qëllimeve të fëmijëve shpesh lidhet me qëllimet e prindërve. Megjithatë, ai thekson se, ndryshe nga shumë sjellje të tjera, vetëm modelimi i sjelljes mund të mos jetë i mjaftueshëm. Qëllimet janë më komplekse. Mënyra se si prindërit i rrisin dhe i mbështesin fëmijët në shtëpi mund të ketë gjithashtu ndikim pozitiv ose negativ – dhe jo gjithmonë në mënyrën që do të prisnim.
“Transmetimi i qëllimeve nga prindi te fëmija është kompleks”, thotë Ferber, psikologe klinike dhe studiuese në Australian Catholic University dhe University of Helsinki, si dhe bashkautore e studimit. “Kemi ende shumë për të mësuar.”
Çfarë vlerësojnë prindërit?
Për të kuptuar se si qëllimet e prindërve ndikojnë në ato të fëmijëve, Ferber dhe ekipi i saj analizuan 53 studime, shumica të kryera në Amerikën e Veriut, Azi dhe Evropë, ndërsa disa të tjera në Afrikë dhe Australi ose në një kombinim rajonesh. Në tërësi, studimet përfshinin fëmijë dhe të rinj nga mosha 11 deri në mbi 21 vjeç, ku shumica ishin midis moshës 15 dhe 17 vjeç.
Megjithëse kishte nuanca dhe përjashtime, rishikimi tregoi se mënyra se si fëmijët i formojnë qëllimet shpesh lidhet me llojet e qëllimeve që vlerësojnë prindërit. Kjo ishte veçanërisht e dukshme te qëllimet e jashtme.
Nëse prindërit duket se i kushtojnë rëndësi një page më të lartë ose një shtëpie më të madhe, fëmijët e tyre gjithashtu mund të priren t’u japin më shumë rëndësi qëllimeve të jashtme – për shembull, të synojnë vetëm notat maksimale, të fitojnë një trofe sportiv ose të pranohen në një universitet prestigjioz.
Ferber dhe ekipi i saj gjetën se lidhja më e fortë me qëllimet e jashtme shfaqej gjatë adoleshencës së mesme, rreth moshës 15–17 vjeç. Kjo sugjeron se fëmijët marrin sinjale nga vlerat që shohin te prindërit. Megjithatë, është e rëndësishme të theksohet se kjo lidhje nuk do të thotë domosdoshmërisht se njëra shkakton tjetrën.
Modelimi mund të ndodhë në shumë mënyra. Prindi mund të shprehë drejtpërdrejt rëndësinë e një qëllimi ose të ndërmarrë hapa të dukshëm për ta arritur atë. Mund të ushtrojë presion të drejtpërdrejtë ndaj fëmijës (“Nëse nuk merr të paktën notën B, do të ndëshkohesh”) ose ta promovojë një qëllim përmes krahasimeve (“Nëna e Sarës duhet të jetë shumë krenare që Sara u pranua në Harvard”).
Duke pasur parasysh këtë, do të pritej një lidhje e ngjashme edhe me qëllimet e brendshme. Nëse prindërit theksojnë rëndësinë e gjetjes së një pune që të përmbush, do të prisnim që edhe fëmija të ndiqte një rrugë më të orientuar nga brenda – për shembull, duke u përqendruar në rritjen dhe të nxënit nga lënda, në vend që të fiksohet vetëm pas notave, ose duke kërkuar një profesion që i përshtatet.
Por, në fakt, lidhja këtu mund të jetë më komplekse.
Ndërsa Ferber gjeti prova për një lidhje prind-fëmijë në lidhje me qëllimet e jashtme me kalimin e kohës, marrëdhënia me qëllimet e brendshme rezultoi shumë më komplekse. Madje, Ferber vërejti megjithëse efekti ishte i vogël – një lidhje midis aspiratave të brendshme të prindit dhe aspiratave të jashtme të fëmijës. Me rritjen e aspiratave të brendshme të prindërve, rriteshin edhe aspiratat e jashtme të fëmijëve.
Kjo i bëri Ferber dhe ekipin e saj të besonin se përveç modelimit të sjelljes duhet të ekzistojë edhe një faktor tjetër. Në fakt, këto lloje qëllimesh mund të zhvillohen përmes proceseve të ndryshme.
Një mjedis që e mbështet fëmijën
Përtej modelimit të qëllimeve, Ferber zbuloi se stili i prindërimit mund të luajë gjithashtu një rol të rëndësishëm në mënyrën se si fëmija i qaset qëllimeve.
“Ndërsa është e rëndësishme të minimizohen mesazhet që e mbivlerësojnë suksesin material ose prestigjin shoqëror,” thotë Ferber, “një fokus i rëndësishëm duhet të jetë krijimi i një mjedisi që ushqen ndjenjën e autonomisë, kompetencës dhe lidhjes me të tjerët te fëmijët.”
Kur Ferber dhe ekipi i saj analizuan studimet që matnin njëkohësisht mënyrën e prindërimit dhe llojet e qëllimeve të fëmijëve, ata gjetën një lidhje me aspiratat e brendshme, por jo me ato të jashtme.
Kjo nuk është domosdoshmërisht befasuese, thotë Ferber. Qëllimet e jashtme varen nga faktorë dhe shpërblime të jashtme dhe mund të shfaqen më shumë përmes mesazheve të drejtpërdrejta nga jashtë, si modelimi nga prindërit. Ndërkohë, qëllimet e brendshme, të cilat lidhen më shumë me plotësimin e nevojave themelore psikologjike, kërkojnë një mjedis mbështetës që të zhvillohen.
Një mjedis ku mbështeten nevojat e fëmijës – ku ai ka mundësi të zgjedhë, ndihet i aftë dhe i dashur – mund të nxisë qëllime të brendshme që, sipas përkufizimit, “lindin natyrshëm nga brenda”.
Këto janë qëllime që lidhen me vlerat personale dhe interesat autentike të fëmijës dhe që mund të kontribuojnë në mirëqenie dhe ndjenjën e përmbushjes. Për shembull, të mësojë të luajë një instrument sepse e shijon muzikën, të nisë një projekt për të mësuar më shumë rreth një teme që e intereson ose të krijojë një miqësi ku ndihet i respektuar dhe i vlerësuar.
Megjithatë, Ferber thekson se të dhënat nuk treguan një lidhje midis prindërimit mbështetës dhe qëllimeve të jashtme të fëmijës. Kjo sugjeron se një stil prindërimi mbështetës mund të nxisë qëllime të brendshme, por nuk do të thotë domosdoshmërisht se do të parandalojë qëllimet e jashtme.
Në të kundërt, mjediset ku nevojat psikologjike të fëmijës pengohen – ku prindi është psikologjikisht kontrollues, shpërfillës ose jo mbështetës – mund t’i shtyjnë fëmijët të sakrifikojnë qëllimet e tyre për të fituar miratimin e prindërve. “Kjo dinamikë mund të pengojë zhvillimin e qëllimeve të brendshme dhe të përforcojë vendosjen e qëllimeve të drejtuara nga faktorë të jashtëm”, thotë Ferber.
Kur Ferber dhe ekipi i saj nisën projektin, ata menduan se lloji i qëllimeve të fëmijës mund të lidhej edhe me vështirësitë që mund të përjetonte një prind. Kjo duket logjike: nëse një familje ka vështirësi të paguajë faturat, është e natyrshme që prindi të fokusohet më shumë te qëllimet financiare dhe fëmija mund të ndjekë të njëjtin drejtim.
Megjithatë, ekipi i Ferber nuk gjeti prova për këtë. “Shumica e gjetjeve nuk treguan ndonjë lidhje domethënëse,” vëren ajo në studim, ndërsa rezultatet e ndryshme vazhdojnë të jenë të pranishme në literaturën shkencore. Nevojiten kërkime të mëtejshme, veçanërisht për të kuptuar se si lloje të ndryshme të stresit dhe vështirësive familjare mund të ndikojnë në zhvillimin e qëllimeve të jashtme te fëmijët.
Artikull nga: Nga Joanne Chen
Përkthim: Prinderimi.com
