Shumë prindër ankohen se zemërohen me fëmijët e tyre kohë pas kohe. Por a e keni pyetur ndonjëherë veten se nga vjen ky zemërim? Përgjigjja e plotë ndaj kësaj pyetjeje do të duhej të vinte pas një reflektimi të thellë të vetë prindit mbi ndjenjat e tij dhe arsyet që fshihen pas tyre. Shpeshherë, zemërimi si emocion mund të jetë mekanizëm mbrojtës, pra një mekanizëm që e ndihmon njeriun të mbrojë kufijtë e tij.
Sipas Psychology Today, zemërimi shfaqet kur ndihemi të cenuar. Prandaj, ndjenja se na është bërë padrejtësi, për shembull kur fëmijët tanë kundërshtojnë vazhdimisht ose na bërtasin, mund të nxisë zemërimin. Pa zemërimin, nuk do të ishim në gjendje të vendosnim kufij kur fëmijët thyejnë rregullat, apo të reagonim kur adoleshenti ynë sillet në mënyrë të pasjellshme (2026).
Mirëpo, në prindërim, ky zemërim ka një natyrë zbuluese për prindin, duke e shtyrë atë të gërmojë më thellë mbi përvojat, nevojat emocionale dhe gjërat që e nxisin shprehjen e pakontrolluar të tij.
Sipas NeuroLaunch, të rritesh me një prind që ka probleme me zemërimin mund të ndikojë në mënyrën se si zhvillohet reagimi i fëmijës ndaj stresit, duke shkaktuar shpesh hipervigjilencë kronike, ankth dhe vështirësi në krijimin e besimit te të tjerët, të cilat mund të vazhdojnë edhe gjatë moshës së rritur (2025).
Si rrjedhojë, prindërit duhet të ndalen dhe të mendojnë për arsyet e zemërimit të tyre. Në proces e sipër, ata mund të kuptojnë se pas ajsbergut të madh të zemërimit të tyre fshihen disa ndjenja të tjera përcjellëse që e përshpejtojnë atë. Ato mund të jenë frika, pasiguritë e ndryshme, dhimbja apo turpërimi – ndjenja këto që nuk kanë mundur të dalin në sipërfaqe në një tjetër mënyrë.
Si mund ta shpërbëjnë prindërit këtë emocion?
Emërtimi i emocionit. Sipas Psychology Today, pavarësisht nëse jeni 2 apo 22 vjeç, t’u vendosësh fjalë emocioneve ndihmon në qetësimin e sistemit limbik të trurit, duke ju ndihmuar të ndiheni më të qetë. Thjesht të thënit me zë të lartë ose me vete: “Ndihem i/e zemëruar” e bën të qartë përvojën e brendshme të prindit dhe e vendos atë në një pozicion ku mund të përgjigjet me vetëdije, në vend që të reagojë në mënyrë impulsive.
Rishikimi i kufijve të thyer. Shumë shpesh, zemërimi apo një formë tjetër e tij, e quajtur “resentment” ose mëri, vjen si rrjedhojë e shkeljes së kufijve nga njerëzit e tjerë. Pra, nga të mos qenit në gjendje të thuash jo kur e ndjen atë. Meqë kjo sjellje vjen si pasojë e “people pleasing” ose e vendosjes së nevojave të të tjerëve para nevojave tona, atëherë shërimi i zemërimit kthehet përsëri në këtë pikë: kthimi në autenticitet dhe vendosja e kufijve – qoftë edhe me fëmijët, të cilët doemos duhet t’i respektojnë disa rregulla bazë që prindërit u vendosin atyre në kohë apo mënyra të ndryshme.
Gjeni ushtrimin për njohjen e ndjenjave që fshihen pas zemërimit tuaj si prind në këtë link: Ajsbergu i zemerimit
A mund ta shmangim zemërimin krejtësisht?
Për ta evituar zemërimin në prindërim, mund të ndjekim disa metoda dhe teknika të ndryshme, si:
1. Frymëmarrja e thellë. Sipas Clarke, kjo praktikë ndihmon në qetësimin e sistemit nervor dhe reagimit racional. Prindërit mund të marrin frymë thellë përmes hundës për 4 sekonda, pastaj ta lirojnë atë frymë me gojë për 8 sekonda të tjerë – duke e përsëritur këtë metodë deri në katër herë radhazi. (Të rritesh njerëz të mirë).
2. Fokusi në lidhje me fëmijën para korrigjimit. Nëse prindi arrin t’i kushtojë më shumë vëmendje raportit që ka me fëmijën, duke qenë i pranishëm dhe i vëmendshëm ndaj kërkesave të tij momentale, atëherë kjo vëmendje do t’i shërbejë raportit prind-fëmijë dhe, po ashtu, do ta zvogëlojë zjarrin e zemërimit tek vetë prindi.
3. Përdorimi i mesazheve “unë” (I-Messages). Këto mesazhe fillojnë me “unë”, gjë që e zhvendos vëmendjen e fëmijës nga vetja dhe e kthen atë tek vetë prindi. Shpeshherë, fëmijët kanë një ego të brishtë dhe ajo ka gjasa të preket lehtë kur akuzohet apo sulmohet nga prindi. Prandaj, kthimi i vëmendjes tek prindi e ruan egon e fëmijës dhe e bën më të lehtë adresimin e një çështjeje nga një pozicion i butë dhe jo gjykues – pa e zbrazur zemërimin mbi fëmijën menjëherë.
Ndryshojeni perspektivën rreth kuptimit të zemërimit
Merreni atë si një provë për ju, e jo kundër jush. Zemërimi juaj po mundohet t’ju tregojë diçka; thjesht dëgjojeni.
Zemërimi mund të çojë në një nevojë të domosdoshme për zhvillim emocional dhe personal, gjë që do t’ju ngrejë në një nivel më të lartë të të kuptuarit të vetes, të tjerëve dhe të guximit për ndryshim.
Prinderimi.com
