Për shumë studentë, vitet e universitetit kalojnë mes ligjëratave, provimeve, detyrave dhe planeve për të ardhmen. Por vjen një moment kur pyetja “Çfarë do të bëj pasi të diplomohem?” fillon të duket më serioze. Një nga mënyrat më të mira për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje është të fillosh të fitosh përvojë pune para diplomimit.
Praktika profesionale u jep studentëve mundësinë të shohin se si funksionon një vend pune në realitet dhe ta lidhin atë që mësojnë në universitet me aftësi praktike. Në Kosovë, praktikat janë përdorur edhe si pjesë e masave aktive të tregut të punës, ndërsa programe të ndryshme publike kanë krijuar mundësi për të rinjtë që të fitojnë përvojë dhe, në disa raste, të paguhen gjatë praktikës.
Hulumtimet e mbështesin rëndësinë e kësaj përvoje. Një studim i publikuar në vitin 2026 në Research in Higher Education gjeti se praktikat e paguara lidhen me mundësi më të larta për punësim në nivelin e arsimit të fituar, të ardhura më të larta dhe përparim më të mirë në karrierë. Studiuesit theksojnë se një pjesë e këtij ndikimi vjen nga zhvillimi i aftësive të transferueshme, krijimi i rrjeteve profesionale dhe mundësia që studentët t’u tregojnë punëdhënësve aftësitë e tyre përmes përvojës reale të punës.
Një eksperiment me 1,248 aplikime reale për vende pune tregoi se kandidatët me përvojë praktike kishin 12.6% më shumë gjasa të ftoheshin në intervistë sesa kandidatët pa përvojë praktike.
Relevanca e praktikës
Një nga keqkuptimet më të zakonshme është se praktika duhet patjetër të lidhet ngushtë me degën që studion. Në fakt, studentët mund të provojnë fusha të ndryshme dhe të zbulojnë se ku përshtaten më mirë.
Një student i gjuhëve mund të provojë shkrimin e përmbajtjes, përkthimin ose menaxhimin e rrjeteve sociale-ose në përgjithësi, aftësi digjitale. Një student i komunikimit mund të angazhohet në marketing, marrëdhënie me publikun ose krijimin e përmbajtjes. Studentët e dizajnit mund të praktikojnë grafikën dhe materialet për rrjetet sociale, ndërsa ata të teknologjisë mund të kërkojnë përvojë në zhvillimin e uebit, programim apo mbështetje teknike.
Edhe organizatat joqeveritare, mediat, bizneset dhe institucionet publike mund të ofrojnë mundësi të ndryshme. Në programe të mëparshme të praktikës në Kosovë, të rinjtë janë angazhuar edhe në kompani mediale, fotografi, dizajn grafik, biznese dhe OJQ.
Çfarë fiton një student përtej CV-së?
Praktika të mëson gjëra që një libër apo ligjëratë nuk mund t’i mësojë plotësisht: si të komunikosh me kolegët, si të respektosh afatet, si të marrësh përgjegjësi, si të pranosh kritikën dhe si të zgjidhësh probleme.
Ajo gjithashtu mund t’i ndihmojë studentët të kuptojnë më mirë veten. Ndoshta një student mendon se dëshiron të punojë në marketing, por gjatë praktikës zbulon se i pëlqen më shumë shkrimi. Ose mund të kuptojë se një fushë që dukej interesante në teori nuk është ajo që dëshiron për karrierën.
Referenca dhe Rrjetizimi (Networking)
Referencat dhe rrjetëzimi profesional janë dy përfitime të rëndësishme që një student mund të marrë nga praktika. Një praktikë e përfunduar me përkushtim mund t’i mundësojë studentit të marrë një letër reference nga mentori ose punëdhënësi, e cila mund të jetë e vlefshme gjatë aplikimeve për punë, bursa apo praktika të tjera. Në të njëjtën kohë, njohjet e krijuara gjatë praktikës mund të bëhen pjesë e rrjetit profesional të studentit. Një koleg, mentor apo drejtues që njeh aftësitë e tij mund ta informojë në të ardhmen për një mundësi pune, trajnimi apo bashkëpunimi. Prandaj, praktika nuk është vetëm një rresht në CV, por edhe një mundësi për të ndërtuar marrëdhënie profesionale që mund të kenë vlerë gjatë gjithë karrierës.
Po pagesa?
Për studentët, edhe një pagesë simbolike mund të ketë rëndësi. Programet e mbështetura nga institucionet publike në Kosovë kanë përfshirë edhe praktika me pagesë; për shembull, programi “Praktikë në Qeveri” ka angazhuar të rinj në institucione të ndryshme për periudha të caktuara.
Megjithatë, vlera më e madhe e praktikës nuk është vetëm pagesa. Është mundësia për të dalë nga auditorët dhe për të hyrë gradualisht në botën profesionale. Diploma të tregon çfarë ke mësuar. Praktika të tregon çfarë mund të bësh me atë që ke mësuar.
Si mund t’i mbështesin prindërit fëmijët e tyre studentë?
- Inkurajoni eksplorimin, jo presionin. Studenti nuk ka nevojë ta dijë menjëherë se cila është rruga e tij e saktë profesionale. Inkurajojeni të provojë praktika në fusha të ndryshme—shkrim të përmbajtjes, rrjete sociale, komunikim, hulumtim, marketing, mësimdhënie, OJQ etj.
- Ndihmojini ta shohin përvojën si pjesë të edukimit. Universiteti ofron njohuri teorike, ndërsa praktikat u ndihmojnë studentëve të kuptojnë se si këto njohuri zbatohen në situata reale.
- Respektoni ngarkesën e tyre akademike. Praktikat janë të dobishme, por nuk duhet të bëhen në dëm të gjumit, studimeve apo mirëqenies së studentit. Ndihmojini të gjejnë një ekuilibër realist.
- Ndihmojini të identifikojnë pikat e tyre të forta. Mund t’i pyesni: “Çfarë të pëlqeu më shumë gjatë kësaj praktike?”, “Cilat detyra t’u dukën më të lehta?” ose “Çfarë do të doje të mësoje më tej?”
- Mos i krahasoni me studentët e tjerë. Një student mund të fillojë praktikën në moshën 20-vjeçare, ndërsa një tjetër mund ta gjejë drejtimin e tij profesional në moshën 24-vjeçare. Zhvillimi i karrierës nuk është garë.
- Ndihmojini në mënyrë praktike kur është e nevojshme. Prindërit mund t’i ndihmojnë të rishikojnë CV-në, të praktikojnë pyetjet për intervistë, të gjejnë mundësi ose thjesht t’i dëgjojnë pas një dite të vështirë.
- Mësojuni përgjegjësinë profesionale. Të jesh i përpiktë, të komunikosh me respekt, të përmbushësh afatet, të pranosh kritikat dhe të kërkosh ndihmë janë aftësi që kanë rëndësi të madhe në vendin e punës.
- Flisni hapur për paratë. Nëse një praktikë ofron vetëm një pagesë simbolike, diskutoni me studentin jo vetëm për shumën, por edhe për atë që ai po fiton në aspektin e përvojës, aftësive dhe mundësive për të ardhmen.
- Vlerësoni hapat e vegjël. Gjetja e një praktike, përfundimi i një projekti, shkrimi i një artikulli të parë profesional, menaxhimi i një faqeje në rrjete sociale apo marrja e një feedback-u konstruktiv mund të jenë të gjitha arritje të rëndësishme.
Prinderimi.com
