Gamifikimi shfrytëzon fuqinë e lojës për t’i motivuar fëmijët, për të zhvilluar aftësitë e tyre dhe për ta bërë të nxënit më të këndshëm.
Gjatë verës, fëmijët kanë nevojë për pushim, argëtim dhe kohë për të eksploruar. Megjithatë, shumë prindër përballen me një sfidë të zakonshme: si t’i ndihmojnë fëmijët të vazhdojnë leximin, të përfundojnë fletët e punës dhe të ruajnë një rutinë të lehtë të të mësuarit pa krijuar stres?
Një mënyrë kreative për ta bërë këtë proces më interesant është gamifikimi.
Çfarë është gamifikimi?
Gamifikimi është përdorimi i elementeve të lojës në aktivitete që nuk janë lojëra, me qëllim që ato të bëhen më motivuese dhe më angazhuese. Në arsim, kjo do të thotë që aktivitetet si leximi, ushtrimet, projektet dhe detyrat verore mund të shndërrohen në sfida të vogla ku fëmijët vendosin qëllime, shohin përparimin e tyre dhe ndihen krenarë për arritjet.
Për shembull, në vend që një fëmijë ta shohë një libër si një detyrë që “duhet ta mbarojë”, ai mund ta shohë si një ”mision leximi’‘. Në vend që një fletë pune të duket si një obligim i mërzitshëm, ajo mund të bëhet një sfidë që e çon atë drejt një niveli të ri.
Megjithatë, gamifikimi nuk do të thotë që fëmijët duhet të mësojnë vetëm për të marrë shpërblime. Qëllimi kryesor është të zhvillohet motivimi i brendshëm: kënaqësia që vjen kur një fëmijë kupton diçka të re dhe sheh se është duke përparuar.
Pse funksionon gamifikimi te fëmijët?
Kur fëmijët arrijnë qëllime të vogla, ata ndërtojnë besim në aftësitë e tyre. Psikologu Albert Bandura shpjegon se përvojat e suksesit ndihmojnë në zhvillimin e vetëbesimit dhe bindjes së fëmijës se ai mund të përballet me sfida të reja.
Gjithashtu, psikologia Carol Dweck, përmes konceptit të “mentalitetit të zhvillimit”, tregon se fëmijët përparojnë më shumë kur fokusohen te përpjekja dhe përmirësimi, jo vetëm te rezultati.
Gamifikimi i ndihmon fëmijët të mendojnë:
“Po përpiqem dhe po përparoj”,
në vend të:
“Detyrat janë shumë të vështira”.
Mjete të gamifikimit që prindërit mund t’i përdorin gjatë verës
1. Pasaporta e leximit 📖
Krijoni një pasaportë të vogël leximi ku fëmija merr një “vulë” për çdo libër ose kapitull të përfunduar.
Mund të përfshini:
- titullin e librit;
- personazhin e preferuar;
- një ide të re që mësoi;
- një vizatim nga historia.
Në fund të verës, fëmija mund të ketë krijuar “udhëtimin” e tij të leximit.
2. Tabela e arritjeve
Një tabelë e thjeshtë vizuale mund ta ndihmojë fëmijën të shohë progresin.
Shembull:
– 10 faqe të lexuara = një yll
– Një fletë pune e përfunduar = një pikë
– Një projekt kreativ = një medalje simbolike
Kjo nuk duhet të jetë një garë me të tjerët, por një mënyrë që fëmija të krahasojë veten me përparimin e tij.
3. Misionet javore
Në vend të një liste të gjatë detyrash, krijoni sfida të vogla.
Shembuj:
–Misioni i leximit: Lexo 15 faqe këtë javë.
–Misioni i shkrimit: Shkruaj një përshkrim për personazhin kryesor të librit.
–Misioni i eksplorimit: Gjej tri fakte të reja për një kafshë ose vend.
Sfida të tilla e bëjnë fëmijën të ndihet si një eksplorues i dijes.
4. Distinktivët e aftësive
Fëmijët mund të krijojnë distinktivë simbolikë për aftësi të ndryshme:-
- Lexuesi i verës – për përfundimin e librave.
- Eksploruesi i dijes– për kërkimin e fakteve të reja.
- Mjeshtri i përqendrimit – për ruajtjen e rutinës së studimit.
Këto simbole i ndihmojnë fëmijët të identifikojnë aftësitë që po zhvillojnë.
5. Zgjedhja e rrugës së të mësuarit
Një pjesë e rëndësishme e gamifikimit është t’u japim fëmijëve zgjedhje.
Për shembull:
- A dëshiron ta prezantosh librin me një vizatim apo me një përmbledhje?
- A dëshiron të bësh ushtrimet në mëngjes apo pasdite?
- A dëshiron të mësosh përmes një libri, dokumentari apo aktiviteti praktik?
Kur fëmijët kanë një rol aktiv në zgjedhjet e tyre, ata zhvillojnë më shumë pavarësi dhe përgjegjësi.
Loja nuk duhet të zëvendësojë dashurinë për të mësuar
Gamifikimi nuk është thjesht një mënyrë për t’i bërë detyrat më argëtuese. Ai është një mjet për t’i ndihmuar fëmijët të zhvillojnë vetëbesim, përgjegjësi dhe një marrëdhënie pozitive me dijen.
Vera nuk duhet të jetë vetëm një periudhë pa mësim, por as një kohë me presion akademik. Me pak kreativitet, leximi, fletët e punës dhe aktivitetet edukative mund të shndërrohen në aventura të vogla. Sepse një fëmijë që mëson me kuriozitet dhe gëzim sot, ndërton bazat për një jetë të tërë të të nxënit.
Artikull nga: John McCarthy
Përkthim: Prinderimi.com
