Aromat mund të rikthejnë kujtime të gjalla nga fëmijëria – një fenomen i njohur si fenomeni i madeleinës së Proustit – dhe neuroshkencëtarët mendojnë se tashmë e kuptojnë arsyen pse ndodh kjo.
Në romanin e shkrimtarit francez Marcel Proust të vitit 1906, ”À la recherche du temps perdu” (Në kërkim të kohës së humbur), një kafshatë nga një kek madeleine shkakton një valë kujtimesh të fëmijërisë. Shkencëtarët e quajnë këtë dukuri “fenomeni i madeleinës së Proustit”, i cili madje është shfaqur edhe në serialin The Sopranos. Tani, një studim i publikuar në PLOS Biology sugjeron se këto kujtime të gjalla të aromave të fëmijërisë ruhen në zona shumë specifike të trurit.
Aromat janë sinjale jashtëzakonisht të fuqishme për të rikthyer kujtimet autobiografike, thotë bashkautorja kryesore e studimit, Nathalie Mandairon nga Qendra e Kërkimeve në Neuroshkencë në Lion, Francë. Për dekada me radhë, shkencëtarët kanë dyshuar se ky fenomen lidhet me zona të caktuara të trurit, veçanërisht me qelizat e vogla dhe jetëgjata të quajtura qeliza granulare, të cilat ndodhen në llambën e nuhatjes (olfactory bulb), qendrën e trurit përgjegjëse për përpunimin e aromave.
Këto qeliza krijohen që në ditën e parë të jetës së fëmijës dhe janë të përgatitura për të regjistruar aromat e këndshme gjatë dekadës së parë të jetës. Kjo mund të shpjegojë pse kujtimet e fëmijërisë të nxitura nga aromat mund të jenë kaq të gjalla, edhe kur mendojmë se i kemi harruar.
Ekipi i Mandairon anketoi më shumë se 600 vullnetarë dhe zbuloi se shumica prej tyre kishin rikujtuar përvoja të këndshme nga fëmijëria përmes këtij fenomeni. Më pas, studiuesit ekspozuan minjtë ndaj aromave natyrore dhe të këndshme kur ata ishin rreth tre deri në katër javësh – një moshë që përafërsisht përkon me fëmijërinë e hershme te njerëzit.
Minjtë normalë treguan interes ndaj këtyre aromave, ndërsa minjtë tek të cilët qelizat granulare ishin çaktivizuar përmes fibrave optike të vendosura në tru nuk reaguan në të njëjtën mënyrë.
Ky reagim konfirmoi se aromat e hershme të jetës regjistrohen në qelizat granulare të llambës së nuhatjes, ndoshta sepse këto qeliza krijojnë lidhje të veçanta me zonat e trurit që lidhen me kënaqësinë dhe shpërblimin. Studimi sugjeron gjithashtu se fenomeni lidhet kryesisht me kujtime pozitive.
Kimisti fizik Hervé This, drejtor i Qendrës Ndërkombëtare AgroParisTech-INRAE për Gastronominë Molekulare dhe Fizike në Francë, e cilësoi studimin si një shpjegim “fascinues” për rolin e trurit në këtë proces. Megjithatë, ai do të kishte dashur që studimi të trajtonte edhe kujtimet negative të fëmijërisë, pasi edhe përvojat e pakëndshme kanë rëndësi të madhe në formimin tonë.
Një tjetër ekspert, biofizikanti Luca Turin nga Universiteti i Buckingham në Angli, e vlerëson studimin, por mendon se roli i veçantë i aromës në kujtesë mund të jetë pjesërisht një iluzion. Sipas tij, çdo shqisë ka fuqinë të rikthejë kujtime të forta. Megjithatë, aroma ka një veçanti: ajo funksionon si një “fjalëkalim” që duhet të jetë shumë e saktë për të hapur një kujtim të caktuar.
Artikull nga: Tom Metcalfe
Përkthim: Prinderimi.com
