Dehidrimi nuk është vetëm një ndjesi kalimtare etje. Te fëmijët, kjo gjendje mund të zhvillohet shpejt dhe të marrë përmasa serioze nëse nuk trajtohet me kujdes dhe vëmendje të menjëhershme. Mjafton një ditë me diell të nxehtë dhe qëndrim të zgjatur në plazh, apo një episod me diarre dhe të vjella, për ta çuar trupin e një fëmije në mungesë të lëngjeve thelbësore për funksionimin e organizmit.

Çfarë e shkakton dehidratimin te fëmijët?
Çdo ditë, trupi i njeriut humbet sasi të konsiderueshme lëngjesh përmes urinimit, djersës dhe frymëmarrjes. Por fëmijët janë më të ndjeshëm ndaj humbjeve të larta, sidomos nëse ekspozohen në temperatura ekstreme, konsumojnë pak lëngje, kanë të vjella apo diarretë të përsëritura. Edhe aktiviteti fizik i shtuar nën diell mund të nxisë djersitje të tepruar, duke rritur kështu rrezikun për dehidrim. Studime të fundit si ai i Journal of Pediatric Health Care (2023) theksojnë se rritja e temperaturave globale është duke shtuar ndjeshëm rastet e dehidrimit akut te fëmijët.
Si e dallojmë që fëmija është duke u dehidratuar?
Simptomat e para janë shpesh të fshehta, por prindërit me përvojë mund t’i vërejnë menjëherë ndryshimet në sjellje dhe në pamjen fizike të fëmijës. “Shenja si tharja e gojës, mungesa e urinimit, plogështia, lodhja e papritur dhe sytë e fundosur janë tregues seriozë që nuk duhen injoruar”, thekson dr. Luan Shabani, pediatër klinik. Në raste më të avancuara, mund të shfaqen të vjella, rritje temperature dhe refuzim për të ngrënë. Tek bebet, një shenjë shumë specifike është fundosja e pjesës së butë në kokë (fontanela), gjë që kërkon vëmendje të menjëhershme mjekësore.
Rreziqet që mbart dehidrimi i patrajtuar
Një nga pasojat më të zakonshme të dehidrimit të zgjatur është dëmtimi i funksionit të veshkave. Kur trupi humb shumë lëngje, veshkat nuk janë më në gjendje të filtrojnë toksinat siç duhet, çka mund të çojë në akumulim të substancave të dëmshme në gjak. Në raste të avancuara, kjo mund të përfundojë në insuficiencë renale akute, e cila kërkon trajtim të menjëhershëm në spital dhe ndonjëherë edhe dializë.
Përveç kësaj, fëmijët që janë të dehidratuar janë më të rrezikuar nga rënia e temperaturës trupore në mënyrë të pakontrolluar. Pa lëngjet e duhura, organizmi humb aftësinë për të rregulluar temperaturën e brendshme, gjë që mund të shkaktojë gjendje hipotermike, sidomos në mjedise me kondicionerë të fortë ose pas ekspozimit të gjatë ndaj ujit të ftohtë. Kjo gjendje është veçanërisht e rrezikshme për foshnjat dhe fëmijët nën 2 vjeç.
Trajtimi dhe hapat e parë në shtëpi
Nëse vini re shenja të lehta të dehidrimit, veproni menjëherë duke e rifurnizuar fëmijën me lëngje të pastra dhe të ziera. Uji është burimi më i sigurt, por për raste me humbje të konsiderueshme mund të përdoren tretësira për rehidrim oral, të gatshme në farmaci. Lëngjet me sheqer apo gaz duhet të shmangen, pasi mund të përkeqësojnë situatën. Po ashtu, mos përdorni antibiotikë pa rekomandim mjekësor – në rastin e infeksioneve virale, ato nuk japin efekt.
Për fëmijët nën 5 vjeç, sidomos bebet, dhënia e lëngjeve në intervale të shkurtra (çdo 5–10 minuta) është mënyra më efektive për të rikuperuar humbjet. Nëse fëmija refuzon çdo lëng ose fillon të bëhet i përgjumur apo i apatik, kërkoni menjëherë ndihmë në një qendër mjekësore.
Këshilla të thjeshta për parandalim gjatë verës
• Mos e lini fëmijën në diell gjatë orëve të pikut (11:00–16:00).
• Ofroni ujë të freskët dhe të zier në mënyrë të vazhdueshme.
• Vëzhgoni urinimin: nëse është i rrallë ose me ngjyrë të errët, jepni më shumë lëngje.
• Përdorni veshje të lehta dhe të ajrosshme.
• Mbani ushqimin dhe ujin në kushte higjienike, sidomos gjatë udhëtimeve.

