Republika e Kosovës
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në mbështetje të nenit 5, nenit 49 paragrafit 1 të Ligjit nr. 04/L-032 për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës (Gazeta zyrtare nr. 17/16, shtator 2011, në pajtim me shtojcën nr. 6 të Rregullores nr. 02/2011 për fushën e përgjegjësive administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive të dt. 22.03.2011 dhe nenit 38 paragrafi 8 të Rregullores së punës së Qeverisë së Republikës së Kosovës, nxjerr këtë:
UDHËZIM ADMINISTRATIV NR. 24/2016 PËR SIGURIM TË CILËSISË NË ARSIMIN PARAUNIVERSITAR
Neni 1 – Qëllimi
Ky Udhëzim administrativ (më tutje si UA) përcakton mekanizmin dhe procedurat për sigurim të cilësisë, personelin përgjegjës dhe detyrat përkatëse, ngarkesën e punës, procedurat për planifikim dhe raportim lidhur me aktivitetet për sigurim të cilësisë në arsimin parauniversitar.
Neni 2 – Definicioni
Sigurimi i cilësisë paraqet një sistem gjithëpërfshirës në nënsektorin e arsimit parauniversitar të Kosovës që kontribuon në përmirësimin e cilësisë së shërbimeve dhe rezultateve arsimore.
Neni 3 – Mekanizmi për sigurim të cilësisë
- Sistemi i sigurimit të cilësisë lehtëson funksionalizimin e mirë dhe efektshmërinë e aktiviteteve të udhëhequra nga shkolla, komuna dhe MASHT. Në këtë aspekt, janë përcaktuar detyra të qarta për secilin nivel.
- 1.1. Në nivel shkolle – Procesi i sigurimit të cilësisë në shkollë organizohet mbi praktikën shkollore ku shkolla integron planifikimin zhvillimor, procesin e zbatimit të planit për zhvillim të cilësisë dhe praktikën e vetëvlerësimit në një sistem të përbashkët dhe një mekanizëm efektiv për të siguruar cilësinë e performancës së shkollës.
- 1.2. Në nivel komune – Procesi i sigurimit të cilësisë në shkollë mbështetet dhe monitorohet nga DKA përmes një procesi të planifikimit gjithëpërfshirës, ku planet e zhvillimit të arsimit komunal pasqyrojnë nevojat dhe prioritetet e shkollës, prioritetet komunale dhe kombëtare të zhvillimit të arsimit.
- 1.3. Në nivel të MASHT-it – Procesi i sigurimit të cilësisë në shkollë mbështetet nga koordinatori i cilësisë në MASHT dhe Inspektorati i Arsimit, nëpërmjet vlerësimit të jashtëm të performancës së shkollës, duke kontribuar në planifikim, drejtim dhe zhvillim strategjik të aktiviteteve për sigurim të cilësisë.
- 1.4. Funksionalizimi dhe efektshmëria e mekanizmit të sigurimit të cilësisë vlerësohet në vazhdimësi nga palët e përfshira në këtë proces.
Neni 4 – Proceset për planifikimin e zhvillimit të cilësisë
- Zhvillimi i cilësisë është proces i vazhdueshëm në të cilin janë të përfshirë i gjithë stafi i shkollës.
- Instrumenti kryesor për planifikim zhvillimor të cilësisë në shkollë është PZHSH.
- PZHSH përgatitet nga ekipi shkollor i themeluar dhe drejtuar nga drejtori i shkollës.
- Procesi i implementimit të PZHSH ndihmohet nga koordinatori i cilësisë në bashkëpunim me udhëheqësit e aktivave profesionale dhe stafin tjetër të shkollës.
- Udhëzimet dhe procedurat për përgatitjen e PZHSH janë të rregulluara me UA përkatës.
- Zhvillimi i cilësisë është i bazuar në fushat e cilësisë dhe treguesit e përcaktuar në Kornizën e sigurimit të cilësisë së performancës së shkollës të aprovuar nga MASHT.
- Zhvillimi i cilësisë është proces i vazhdueshëm në të cilin janë përfshirë i gjithë stafi dhe bazohet në ciklin e cilësisë: Planifiko – Bëj – Kontrollo – Vepro.
- 7.1. Hapi i parë, planifikimi, është rregulluar me UA për Planin Zhvillimor të Shkollës dhe udhëzuesit përkatës dhe përcakton vizionin dhe qëllimet për përmirësim të shkollës dhe fushave të cilësisë dhe indikatorët për arritjen e objektivave të identifikuara.
- 7.2. Hapi i dytë dhe i tretë, Bëj dhe Kontrollo, bazohet në Planin Vjetor të Veprimit të shkollës dhe instrumentet përkatëse për vetëvlerësim të fushave të cilësisë për të vlerësuar nëse qëllimet e përcaktuara vjetore janë arritur.
- 7.3. Hapi i katërt, Vepro, nënkupton aplikimin e rezultateve të vetëvlerësimit për hartimin e planit të radhës vjetor, gjegjësisht të Planit të ri zhvillimor të shkollës për 3 vjet.
- 7.4. Plani Vjetor i Veprimit përcakton fushat vjetore prioritare zhvillimore, aktivitetet për arritjen e prioriteteve zhvillimore vjetore dhe identifikon treguesit për matjen e arritjes së prioriteteve vjetore dhe kontributin e tyre për arritjen e qëllimeve të caktuara për zbatim të PZHSH.
- 7.5. Plani Vjetor i Veprimit përfshin instrumentet e vlerësimit të cilat shërbejnë për të vlerësuar nëse implementimi është duke kontribuar drejt arritjes së qëllimeve të përcaktuara.
- 7.6. Plani Vjetor i Veprimit është i bazuar në rezultatet e vetëvlerësimit nga viti paraprak.
Neni 5 – Temat me interes shtetëror
- PZHSH, përkatësisht cikli për zhvillim të cilësisë së shkollës, përfshin dy tema kryesore të ndërlidhura me zhvillim të cilësisë në shkollë.
- Përzgjedhja e temave dhe aktiviteteve për sigurim të cilësisë në shkollë bazohen në fushat e cilësisë dhe treguesit e përcaktuar në Kornizën e sigurimit të cilësisë së performancës së shkollës dhe në UA për PZHSH të aprovuar nga MASHT.
- MASHT përcakton tema me interes shtetëror bazuar në prioritete aktuale për reformën arsimore në vend.
- Tema me interes për shkollën përcaktohet në bazë të rezultateve nga vlerësimi i brendshëm dhe prioritetet e komunës.
- Temat vjetore mund të përsëriten varësisht nga nevojat dhe interesat shtetërore dhe ato lokale.
- Temat vjetore ato shtetërore apo në nivel shkolle, pavarësisht kohëzgjatjes, kontribuojnë në avancimin e të gjitha fushave të cilësisë së shkollës.
Neni 6 – Personat përgjegjës për koordinim të cilësisë
- Detyrat e koordinatorit të cilësisë në shkollë i kryen:
- 1.1. Drejtori i shkollës;
- 1.2. Zëvendësdrejtori i shkollës;
- 1.3. Mësimdhënësi;
- 1.4. Bashkëpunëtori profesional në shkollë (Pedagogu a psikologu);
- 1.5. Detyrat e koordinatorit të cilësisë në DKA i kryen:
- 1.5.1. Koordinatori i cilësisë në DKA është zyrtar i DKA dhe emërohet nga drejtori i DKA. Mandati dhe kohëzgjatja rregullohen me akt të veçantë emërimi;
- 1.5.2. Koordinatori i cilësisë në MASHT;
- 1.5.3. Koordinatori i cilësisë në MASHT, është zyrtar i MASHT dhe emërohet nga Sekretari i përgjithshëm i MASHT. Mandati dhe kohëzgjatja rregullohen me akt të veçantë emërimi.
Neni 7 – Detyrat dhe përgjegjësitë e koordinatorit për sigurim të cilësisë
- Në nivel shkolle, koordinatori për sigurim të cilësisë ka detyra si:
- 1.1. Planifikon, organizon dhe monitoron procesin e sigurimit të cilësisë së shkollës në bashkëpunim me drejtorin e shkollës;
- 1.2. Ndihmon drejtorin e shkollës dhe organet qeverisëse e profesionale të shkollës në procesin e hartimit të planit zhvillimor të shkollës dhe planit të veprimit;
- 1.3. Informon drejtorin e shkollës dhe mësimdhënësit për çështjet që kanë të bëjnë me menaxhimin e cilësisë së shkollës;
- 1.4. Së bashku me drejtorin e shkollës dhe me stafin e shkollës, kontribuon në zhvillimin e projekteve dhe proceseve për të zbatuar masat e sigurimit të cilësisë;
- 1.5. Bashkëpunon me drejtorin e shkollës dhe me stafin e shkollës për planifikim, organizim dhe zbatim të vetëvlerësimit të progresit në fushat e cilësisë së shkollë;
- 1.6. Në bashkëpunim me aktivat profesionale, sigurohet që të gjithë mësimdhënësit kanë përgatitur planet e nevojshme vjetore, dymujore, javore e ditore, sipas kërkesave të udhëheqjes së shkollës dhe nevojave për zbatim me sukses të Kurrikulës së re;
- 1.7. Së bashku me stafin e shkollës, analizon dhe interpreton rezultatet e vetëvlerësimit të shkollës;
- 1.8. Raporton mbi procesin e menaxhimit të cilësisë dhe rezultatet e tij tek drejtori i shkollës dhe anëtarët e stafit.
- Në nivel të DKA-së, koordinatori për sigurim të cilësisë:
- 2.1. Koordinon punën e koordinatorëve të cilësisë së shkollave;
- 2.2. Të paktën një herë në vit viziton shkollat për të mbështetur dhe monitoruar zhvillimin e cilësisë në shkollë;
- 2.3. Raporton mbi gjetjet e monitorimit dhe mbështetë proceset e zhvillimit të cilësisë në shkollë;
- 2.4. Ofron analiza përmbledhëse të gjetjeve dhe rekomandimeve për drejtor të shkollave dhe DKA;
- 2.5. Kontribuon në procesin e hartimit të planit zhvillimor të arsimit në komunë duke siguruar ndërlidhjen me planet zhvillimore të shkollave.
- 2.6. Bashkëpunon me koordinatorë të cilësisë të drejtorive tjera komunale.
- 2.7. Bashkëpunon dhe bashkërendon aktivitetet me koordinatorin e cilësisë në MASHT.
- Në nivel të MASHT, koordinatori për sigurim të cilësisë:
- 3.1. Inicon masat mbështetëse për menaxhimin e aktiviteteve për sigurimin e cilësisë në shkolla;
- 3.2. Mbështetë rrjetëzimin e grupeve të ndryshme relevante dhe iniciativat për sigurim të cilësisë;
- 3.3. Koordinon dhe udhëheq takimet për shkëmbim të përvojave, planifikim të bazuar në rezultate dhe përcaktim të objektivave, temave me interes për DKA dhe shkollat;
- 3.4. Drejton dhe zhvillon në vazhdimësi konceptin e iniciativës për sigurim të cilësisë në arsimin parauniversitar;
- 3.5. Drejton dhe zhvillon rrjetin e partnerëve në proces;
- 3.6. Këshillon udhëheqësit e sektorëve të MASHT lidhur me zbatimin e Strategjisë Kombëtare për Sigurim të Cilësisë;
- 3.7. Shqyrton raportet e DKA dhe përgatitë analiza përmbledhëse duke përfshirë rekomandimet për përmirësim të cilësisë në nivel vendi;
- 3.8. Shpërndan raportin me rekomandime për përmirësim të cilësisë te zyrtarët relevant në MASHT dhe DKA si dhe publikon raportin në web faqe të MASHT.
Neni 8 – Kriteret e përcaktuara për koordinator të cilësisë në shkollë
- Për të kryer detyrat dhe përmbushur obligimet e parapara me këtë pozitë, koordinatori i cilësisë posedon disa kompetenca profesionale:
- 1.1. Përgatitje shkollore së paku 240 ETCS 4 vite e preferueshme profili arsimor;
- 1.2. Përvojë pune në shkollë për më së paku 5 vite;
- 1.3. Pjesëmarrje në trajnime të akredituara profesionale për mësimdhënie dhe mësimnxënie, udhëheqësi arsimore, trajner i programeve arsimore, etj;
- 1.4. Do të konsiderohet përparësi nëse koordinatori ka përvojë paraprake në menaxhim dhe udhëheqësi të shkollës;
- 1.5. Njohuri për strukturat dhe proceset e sistemit shkollor në përgjithësi dhe shkollën në të cilën punon në veçanti.
- 1.6. Shkathtësi komunikimi dhe pune ekipore.
- 1.7. Shkathtësi analitike dhe organizative;
- 1.8. Shkathtësi për menaxhim të konflikteve;
- 1.9. Qëndrim pozitiv ndaj ndryshimeve dhe zhvillimeve në shkollë.
Neni 9 – Procedurat për emërimin e koordinatorit të cilësisë në shkollë
- Kandidati për koordinator të cilësisë emërohet nga drejtori i shkollës.
- Drejtori dhe koordinatori nënshkruajnë marrëveshje për detyrat, përgjegjësitë dhe obligimet e parapara me këtë UA.
- DKA nënshkruan kontratën për emërimin e koordinatorit të cilësisë.
- Kohëzgjatja e kontratës së koordinatorit është me afat të pacaktuar.
- Ndërprerja e kontratës bëhet në rastin kur koordinatori nuk i përmbush obligimet dhe detyrat e parapara me kontratë.
- Ndërprerja e kontratës bëhet me propozim nga drejtori i shkollës dhe aprovim nga drejtori i DKA.
- Në rastin kur koordinatorit të cilësisë i ndërpritet kontrata, ai/ajo duhet të kthehet në detyrën paraprake.
- Në rastin kur koordinatori për arsye personale jep dorëheqje dhe dorëheqja bëhet brenda vitit shkollor, atëherë orët mësimore do t’i kthehen vetëm në fillimin e vitit të ri shkollor.
- Koordinatorët e cilësisë, në të gjitha nivelet, emërohen me akte të veçanta emërimi duke u siguruar se koordinatorëve ju ruhet vendi paraprak i punës sipas dispozitave ligjore në fuqi.
Neni 10 – Ngarkesa e punës për sigurim të cilësisë
- Në nivel shkolle, koordinimi i aktiviteteve për sigurim të cilësisë dhe zbatimi i detyrave të përcaktuara me këtë UA, bëhet në kuadër të kontratës me normë të plotë të angazhimit.
- Numri i orëve për koordinim të cilësisë është përcaktuar në bazë të numrit të nxënësve në shkollë. Ora, kohëzgjatja e një ore për sigurim të cilësisë është e barabartë me orën mësimore. Një orë mësimore është e barabartë me dy orë pune.
- Numri i orëve për koordinim të cilësisë llogaritet si më poshtë:
- 3.1. Në shkollën me më pak se 150 nxënës detyrat e koordinatorit i kryen drejtori i shkollës;
- 3.2. Në shkollën me mbi 150 deri në 250 nxënës janë përcaktuar 2 orë mësimore në javë;
- 3.3. Në shkollën me mbi 250 deri në 500 nxënës janë përcaktuar 4 orë mësimore në javë;
- 3.4. Në shkollën me mbi 500 deri në 750 nxënës janë përcaktuar 6 orë mësimore në javë;
- 3.5. Në shkollën me mbi 750 deri në 1000 nxënës janë përcaktuar 7 orë mësimore në javë;
- 3.6. Në shkollën me mbi 1000 nxënës janë përcaktuar 8 orë mësimore në javë;
- 3.7. Në shkollën me mbi 2000 nxënës janë përcaktuar 16 orë mësimore në javë;
- 3.8. Në rastin kur detyrën e koordinatorit të cilësisë e kryen pedagogu, psikologu apo zëvendësdrejtori i shkollës, numri i orëve të punës për sigurim të cilësisë përcaktohet në bazë të numrit të nxënësve si më lartë;
- 3.9. Ngarkesa e punës për koordinim të cilësisë mund të ndërlidhet me UA për Licencim të mësimdhënësve pasi të jetë rishikuar UA për Licencim.
Neni 11 – Procedurat e raportimit
- Shkollat, DKA dhe MASHT përgatisin raporte vjetore për sigurimin e cilësisë:
- 1.1. Forma e raportimit dhe përmbajtja përcaktohet me udhëzues të veçantë nga MASHT;
- 1.2. Shkolla përgatit raport vjetor dhe e dërgon në DKA;
- 1.3. DKA përgatit raport përmbledhës për të gjitha shkollat e komunës dhe e dërgon në MASHT;
- 1.4. MASHT përgatit raport vjetor bazuar në raportet e DKA-ve;
- 1.5. Raportet në nivel shkolle, DKA dhe MASHT bëhen publike në web faqet përkatëse.
Neni 12 – Pakoja për SC në shkollë
- MASHT përgatit pakon për sigurim të cilësisë.
- Pakoja përmban Kornizën për sigurim të cilësisë së performancës së shkollës, formatin e Planit Zhvillimor të Shkollës dhe Planin e veprimit të aprovuara nga MASHT, Udhëzuesin për Sigurim të Cilësisë në Shkollë, Udhëzuesin për vetëvlerësim, instrumentet për vetëvlerësim dhe formën e raportit vjetor.
Neni 13 – Plani për angazhim të koordinatorëve të cilësisë
- Në bazë vjetore, MASHT në bashkëpunim me DKA planifikojnë përzgjedhjen dhe angazhimin e koordinatorëve të cilësisë.
- Komunat planifikojnë rritjen konsekutive të numrin të koordinatorëve për t’u siguruar se brenda 5 viteve të gjitha shkollat do të kenë koordinatorë të cilësisë në shkollë.
- DKA planifikojnë pozitën e koordinatorit të cilësisë në DKA si personel i përhershëm me kontratë të rregullt pune.
- MASHT planifikon pozitën e koordinatorit të cilësisë në MASHT si personel i përhershëm me kontratë të rregullt pune.
Neni 14 – Sigurimi i cilësisë në IAAP
Sigurimi i cilësisë në institucionet e arsimit dhe aftësimit profesional rregullohet me akte të veçanta nënligjore.
Neni 15 – Hyrja në fuqi
Ky Udhëzim administrativ hyn në fuqi ditën e nënshkrimit të tij nga Ministri.
Prof. dr. Arsim Bajrami,
Ministër
Dt. 29.11.2016
