Republika e Kosovës
Qeveria
Qeveria e Republikës së Kosovës, në mbështetje të nenit 93 (4) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, në pajtim me nenin 63 të Ligjit nr. 06/L-084 për Mbrojtjen e Fëmijës (GZ, nr. 14.e dt. 17.07.2019), nenit 4, nënparagrafit 4.5 të paragrafit 4 të nenit 8 të Ligjit nr.08/L-117për Qeverinë e Republikës së Kosovës (G. z. e Republikës së Kosovës / nr. 34 / 18 nëntor 2022, Prishtinë),
Miraton:
UDHËZIM ADMINISTRATIV (QRK) NR.05//2024 EDUKIMI PËR MBROJTJEN E FËMIJËS
I. DISPOZITAT E PËRGJITHSHME
Neni 1 Qëllimi
Qëllimi i këtij udhëzimi administrativ është përcaktimi i roleve, organizimit, funksionimit, bashkëpunimit, detyrave dhe përgjegjësive për të gjitha institucionet edukativo-arsimore dhe aftësuese në edukimin për mbrojtjen e fëmijës.
Neni 2 Fushëveprimi
- Dispozitat e këtij udhëzimi administrativ janë të detyrueshme për të gjitha institucionet edukativo- arsimore dhe aftësuese, të cilat punojnë me fëmijë deri në moshën 18 vjeç si dhe përgatisin kuadro për punën me fëmijë.
- Dispozitat e këtij udhëzimi administrativ zbatohen për të gjitha institucionet edukative, arsimore dhe aftësuese, fëmijës, prindit, kujdestarit ligjor si dhe palët tjera tё interesit që janë subjekt për mbrojtjen e fëmijës.
Neni 3 Përkufizimet
Shprehjet e përdorura në këtë udhëzim administrativ kanë këto kuptime dhe duhet të interpretohen dhe lexohen konform kuptimit të dhënë në Ligjin për mbrojtjen e fëmijës.
Neni 4 Parimet e përgjithshme për të drejtat e fëmijës
Për të gjitha veprimet dhe vendimet që ndërmarrin institucionet për të drejtat e fëmijës, autoritetet udhëhiqen nga parimet e proklamuara nga Konventa për të Drejtat e Fëmijës, të cilat janë të inkorporuara në Ligjin për Mbrojtjen e Fëmijës.
II. ROLI I MEKANIZMAVE INSTITUCIONALE
Neni 5 Roli i Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit
- Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, karshi edukimit për mbrojtje të fëmijës, ka obligime nё disa drejtime:
- Harton politikë nё funksion tё mbrojtjen e fëmijës nё kontekst tё institucioneve edukativo-arsimore dhe aftësuese, nё përputhje me ligjin nё fuqi, me qëllim të parandalimit të çdo forme tё dhunës, diskriminimit, trafikimit, punës sё rrezikshme dhe dukurive tjera negative që e sfidojnë pjesëmarrjen e fëmijës nё arsim dhe zhvillimin e plotё;
- Harton dhe krijon programe për edukimin dhe rritjen e ndërgjegjësimit lidhur me pasojat degraduese të ndëshkimit trupor si dhe programe prindërimi, që promovojnë mënyrat jo të dhunshme të disiplinimit në familje, institucione edukativo – arsimore dhe aftësuese si dhe në institucione të kujdesit;
- Monitoron përmes inspektoratit zbatimin e politikave tё mbrojtjes sё fëmijës brenda institucioneve edukativo-arsimore dhe aftësuese;
- Bashkëpunon me institucionet përkatëse dhe mbështet iniciativa të nivelit ndërkombëtar, rajonal, qendror e lokal për zbatimin e politikave për edukimin nё mbrojtjen e fëmijës;
- Përkrah zhvillimin dhe zbatimin e programeve për zhvillim profesional tё edukatorëve dhe mёsimdhёnёsve lidhur me edukimin nё mbrojtjen e fëmijës;
- Fuqizon sistemin e parandalimit, identifikimit, referimit, raportimit, dhe tё reagimit ndaj tё gjitha formave tё dhunёs e tё abuzimit;
- Orienton mjetet mësimore dhe kurrikulat shkollore në të gjitha institucionet përkatëse edukativo-arsimore dhe aftësuese në mbrojtjen dhe kujdesin ndaj fëmijës.
Neni 6 Obligimet e Drejtorive Komunale tё Arsimit ( DKA-ve)
- Drejtoria Komunale e Arsimit (më tutje DKA) ka detyrat si në vijim:
- Mbikëqyr dhe siguron qё tё gjitha institucionet edukativo-arsimore, i kanë hartuar dhe zbatojnë politikat për mbrojtjen fëmijës;
- Inicion dhe zbaton aktivitete ndёrgjegjёsuese për edukimin nё mbrojtjen e fëmijës nё nivel tё institucioneve edukativo-arsimore dhe aftësuese;
- Ndërmerr aktivitete ndёrgjegjёsuese pёr edukimin për mbrojtjen e fëmijëve, edukimin shëndetësor, veprimet nё raste emergjente, tё fatkeqësive natyrore dhe rreziqeve tjera qё kanosin jetën e fёmijёs;
- Ndërmerr veprime ndёrgjegjёsuese pёr zbatimin e masave tё sigurisë nё aktivitetet brenda dhe jashtё institucionit edukativo-arsimor dhe aftёsues;
- Bashkëpunon dhe përkrah aktivitetet e partnerëve qeveritarё, joqeveritarё dhe tё grupeve tjera tё interesit pёr avancimin e edukimit pёr mbrojtjen e fëmijës;
- Siguron mundësi të zhvillimit profesional të mësimdhënësve dhe edukatorëve në shërbim, për politikat e mbrojtjes së fëmijës;
- Siguron kapacitete tё mjaftueshme pёr mbikëqyrje dhe raportim, sipas legjislacionit nё fuqi.
Neni 7 Obligimet e institucionit edukativ dhe arsimor
- Institucioni edukativ dhe arsimor siguron qё edukimi për mbrojtjen e fëmijës tё jetë prioritet nё tё gjitha politikat brenda institucionit, si nё :
- Rregulloren e shkollës dhe aktet tjera tё brendshme;
- Planin zhvillimor tё shkollës/ institucionit edukativ, arsimor dhe aftësues;
- Aktivitetet kurrikulare, ndёrkurrikulare dhe ekstrakurrikulare.
- Organet e shkollës dhe i gjithë personeli arsimor dhe mbështetës marrin pjesë aktive nё parandalimin dhe raportimin e tё gjitha formave tё dhunës, diskriminimit, trafikimit, punës sё rrezikshme dhe dukurive tjera negative, tё rrezikshme për fëmijë.
- Stafi profesional dhe mbështetës: psikologu, pedagogu, logopedi, punëtori social etj., bashkëpunojnë nё ndërgjegjësimin e stafit arsimor për parandalimin dhe raportimin e tё gjitha formave tё dhunës, diskriminimit, trafikimit, punës sё rrezikshme dhe dukurive tjera negative qё e dëmtojnë zhvillimin e fëmijëve nё institucionet edukativo-arsimore dhe aftësuese.
- Institucioni edukativo-arsimor dhe aftësues bashkëpunon me partnerë qeveritarë, joqeveritarë, prindër, edukatorë dhe mёsimdhёnёs dhe grupe tё tjera tё interesit për edukimin më tё mirë nё mbrojtjen e fëmijëve.
- Mban sesione informuese dhe trajnime me bazë nё shkollë për edukimin për mbrojtjen e fëmijëve, edukimin shëndetësor, veprimet nё raste emergjente, tё fatkeqësive natyrore dhe rreziqeve tjera qё kanosin sigurinë dhe jetën e fëmijës.
- Ndërmerr veprime ndёrgjegjёsuese për zbatimin e masave tё sigurisë nё aktivitetet brenda dhe jashtë institucionit edukativo-arsimor dhe aftësues ( pёrfshirё ekskursionet).
- Raporton nё baza tё rregullta shqetësimet dhe rastet e tё gjitha formave tё dhunës, diskriminimit, trafikimit, punës sё rrezikshme dhe dukurive tjera qё paraqesin rrezik apo kanosje për fëmijë.
Neni 8 Obligimet e drejtorit tё institucionit edukativo- arsimor dhe aftësues
- Drejtori i institucionit edukativo- arsimor dhe aftësues ka këto detyra:
- Mbikëqyr dhe udhëheq zbatimin e politikave për mbrojtjen e fëmijës nga ana e edukatorëve, mёsimdhёnёsve dhe gjithë stafit profesional, administrativ, teknik e mbёshtetёs;
- Bashkëpunon me edukatorët, mёsimdhёnёsit dhe gjithë stafin tjetër profesional dhe teknik pёr identifikimin e nevojave dhe ndërmarrjen e veprimeve nё parandalimin e tё gjitha llojeve tё dhunës, diskriminimit, trafikimit, punës sё rrezikshme dhe dukurive tjera negative qё pengojnë zhvillimin e fëmijës;
- Koordinohet me nivelin e DKA-sё dhe me partnerë tё tjerë qeveritarë dhe joqeveritarë pёr tё ofruar edukimin mё tё mirё pёr mbrojtjen e fëmijës;
- Mbikëqyrë dhe siguron identifikimin, raportimin dhe referimin e tё gjitha llojeve tё dhunës, diskriminimit, trafikimit, punës sё rrezikshme dhe dukurive tjera negative, sipas kërkesave tё legjislacionit nё fuqi;
- Identifikon nevojat e stafit pёr zhvillim profesional në fushën e mbrojtjes së fëmijëve dhe siguron përmbushjen e tyre;
- Zhvillon mekanizma efikas tё komunikimit dhe bashkëveprimit me prindër, duke motivuar pёrgjegjёsinё prindërore nё interesin më tё mirë tё fëmijës.
Neni 9 Obligimet e edukatorëve dhe mёsimdhёnёsve
- Edukatorët dhe mёsimdhёnёsit kanë për obligim:
- Zbatimin efikas tё aktiviteteve kurrikulare, ndёrkurrikulare dhe ekstakurrikulare nё lidhje me edukimin për mbrojtjen e fёmijёs, pёrfshirё edhe bashkëpunimin me ekspertë tё jashtëm (si punëtori social, sociologu, mjeku, polici, etj);
- Ndërgjegjësimin për raportimin e tё gjitha llojeve tё dhunës, keqtrajtimit neglizhimit, diskriminimit, trafikimit, punës sё rrezikshme dhe dukurive tjera negative, sipas legjislacionit nё fuqi;
- Bashkëpunimin me shërbimet tjera profesionale për edukimin mbi, identifikimin dhe trajtimin e fëmijës viktimë tё dhunës, keqtrajtimit, neglizhimit, trafikimit, tё përfshirjes nё punë tё rrezikshme apo nё dukuri tjera negative;
- Bashkëpunimin me tё gjitha grupet e interesit ( menaxhmentin e shkollës, organet e shkollës, aktivet profesionale, Këshillin e prindërve, Këshillin e nxënësve, prindër, nxënësit dhe komunitetin e gjerë ) nё ndërgjegjësimin për mbrojtjen e fëmijëve si dhe parandalimin e dukurive negative qё cenojnë edukimin dhe zhvillimin e fëmijës.
Neni 10 Roli i Këshillit drejtues
Këshilli drejtues i shkollës, shqyrton, mbështet, aprovon dhe e mbikëqyr realizimin e aktiviteteve për edukimin nё mbrojtje tё fëmijës.
Neni 11 Roli i Këshillit të prindërve
- Këshilli i prindërve (mё tutje KP) bashkëpunon me udhëheqjen e shkollës, organet, stafin dhe komunitetin e gjerë për iniciativat dhe aktivitetet e edukimit për mbrojtjen e fëmijës, nxënësit, gjithnjë bazuar nё programet më tё mira tё prindёrimit.
- KP përfaqëson interesin mё tё mirë tё fëmijës, adreson shqetësimet për shkeljet, veprimet e dhunshme dhe tё dëmshme pёr fëmijë, si dhe kërkon pёrgjegjёsinё institucionale.
- Prindërit përmes KP ndërgjegjësohen për zbatimin e politikave për mbrojtjen e fëmijës.
Neni 12 Roli i Këshillit tё nxënësve
- Këshilli i nxënësve ( më tutje KN) përfaqëson interesin, tё drejtat e fëmijës/ nxënësit dhe bashkëpunon me udhëheqjen e shkollës, organet, stafin, prindërit dhe komunitetin e gjerë për organizimin dhe pjesëmarrjen nё aktivitetet ndёrgjegjёsuese për edukimin nё mbrojtjen e fëmijës.
- KN adreson shqetësimet për shkeljet, veprimet e dhunshme dhe tё dëmshme për fëmijë, si dhe kërkon pёrgjegjёsinё institucionale në përputhje me legjislacionin në fuqi.
Neni 13 Roli i stafit profesional mbështetës
- Stafi profesional – mbështetës, si brenda ashtu edhe jashtë shkollës: psikologu shkollor, pedagogu, mjeku, logopedi dhe stafi tjetër i angazhuar, zhvillon dhe zbaton programe ndёrgjegjёsuese pёr edukatorët mёsimdhёnёsit, prindërit dhe stafin administrativ e teknik nё lidhje me edukimin për mbrojtjen e fëmijës.
- Stafi profesional – mbështetës sipas paragrafit 1 tё këtij neni, punon ngushtë me fëmijë/ nxënës rreth aspekteve tё mbrojtjes së fëmijëve nga rrethanat e dëmshme për zhvillimin e tyre fizik, intelektual, social, emocional dhe të gjithmbarshëm.
- Stafi mbështetës, mbështet fëmijën qё ёshtё nё rrezik dhe nё nevojë për mbrojtje.
Neni 14 Edukimi për mbrojtjen e fëmijës nё media
- Institucioni edukativo arsimor dhe aftësues promovon edukimin medial përmes zbatimit efikas tё kurrikulës arsimore, në veçanti:
- Edukimin pёr sa i përket të kuptuarit dhe përdorimit të mediave si dhe edukimin për mbrojtje nga përmbajtjet e dëmshme mediale;
- Zhvillimin e kapaciteteve dhe aftësive të stafit të institucioneve edukativo arsimore lidhur me mediat dhe ndërlidhjen e tyre me mbrojtjen e fëmijëve;
- Organizimin e aktiviteteve edukative dhe parandaluese me fëmijë dhe prindër lidhur me edukimin për media në bashkëpunim me palët tjera të interesit.
- Institucioni edukativo – arsimor dhe aftësues nuk e ekspozon fëmijën në fotografi, video, rrjete sociale apo në aktivitete mediale pa lejen e prindit apo kujdestarit ligjor.
- Institucioni edukativo-arsimor dhe aftësues, sigurohet qё janë marrë tё gjitha masat për mbrojtjen e fëmijës, kur merr pjesë në media në kuadër tё aktiviteteve shkollore, përfshirë dhe parandalimin e keqpërdorimit për qëllime komerciale.
- Institucioni edukativo- arsimor dhe aftësues sigurohet që fëmijët janë të mbrojtur përmes programeve të edukimit, gjatë tërë kohës sa janë duke shfrytëzuar/lundruar në internet dhe format tjera të komunikimit.
Neni 15 Edukimi për mbrojtjen e fëmijës nëpërmjet arsimit tё lartё
- Tё gjitha njësitë akademike qё përgatisin kuadro për punën me fëmijë, tё integrojnë politikat e mbrojtjes sё fëmijës nё kurrikulat e tyre arsimore dhe praktikën e studentëve përgjatë viteve tё studimit.
- Tё gjitha njësitë akademike qё përgatisin kuadro për punën me fëmijë, zhvillojnë kapacitetet e studentëve dhe profesionistëve për të identifikuar, referuar, raportuar dhe hetuar rastet e fëmijëve që kanë nevojë për mbrojtje nga çdo formë e dhunës;
- Fakultetet e Edukimit zhvillojnë dhe zbatojnë programet e akredituara për zhvillimin profesional për edukatorë, mësimdhënës dhe staf mbështetës në shërbim për mbrojtjen e fëmijës dhe për sistemin e raportimit dhe referimit me qasje ndёrsektoriale.
III. BASHKËPUNIMI DHE KOORDINIMI
Neni 16 Bashkëpunimi dhe koordinimi ndërinstitucional
- Stafi i institucionit edukativo- arsimor dhe aftësues bashkëpunon me shërbimet tjera tё mirëqenies sociale, shёndetёsisё, sigurisë dhe shërbime tё tjera tё nevojshme për realizimin e aktiviteteve edukuese për mbrojtjen e fëmijës, përfshirë ndërgjegjësimin për raportim dhe trajtim me qasje ndërsektoriale.
- Në të gjitha nivelet institucionale bëhet koordinim e bashkëpunim me organizatat e shoqërisë civile dhe agjencionet vendore dhe ndërkombëtare, në funksion të edukimit për mbrojtjen e fëmijës.
Neni 17 Konfidencialiteti
- I gjithë stafi dhe komuniteti i institucioneve edukativo- arsimore dhe aftësuese respektojnë konfidencialitetin e tё dhënave tё fëmijës në përputhje me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale.
- Stafi i institucioneve edukativo- arsimore dhe aftësuese edukohet për ruajtjen e konfidencialitetit tё rasteve që trajtohen brenda institucioneve edukative dhe arsimore apo nё nivel tё tryezës multidisiplinare, në pajtim me dispozitat përkatëse, me përjashtim të rasteve kur për arsye ligjore duhet të bëhet zbulimi pranë organeve kompetente.
- Dispozitat e legjislacionit për mbrojtjen e të dhënave personale zbatohen për mënyrën e mbledhjes së të dhënave, përpunimin, ruajtjen dhe përdorimin e të dhënave.
IV. DISPOZITAT PËRFUNDIMTARE
Neni 18
Mbikëqyrja dhe llogaridhënia
- Mbikëqyrjen e zbatimit tё këtij Udhëzimi administrativ e bëjnë komunat, inspektorati i arsimit dhe Zyra e Kryeministrit.
- Shkeljet e dispozitave të këtij Udhëzimi Administrativ dhe abuzimi me tё drejtat e fëmijës dhe mbrojtjen e tyre, dënohen sipas legjislacionit nё fuqi.
Neni 19
Hyrja në fuqi
Ky Udhëzim administrativ hyn në fuqi shtatë (7) ditë pas publikimit në Gazetën Zyrtare të Republikës së Kosovës.
Albin Kurti
__________________
Kryeministër i Republikës së Kosovës
02.Gusht.2024
[1] Udhëzimi Administrativ (QRK) – Nr. 05/2024 Edukimi për Mbrojtjen e Fëmijës, miratuar në Mbledhjen e 214-të të Qeverisë së Republikës së Kosovës me Vendimin Nr. 03/214 të datës 24.07.2024.
