Republika e Kosovës
Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë
Ministri i Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, në mbështetje të nenit 5 paragrafi 1 nënparagrafi 1.1. si dhe paragrafi 6 i këtij neni, neni 17 paragrafi 13, neni 49 paragrafi 1 të Ligjit nr. 04/L-032 për Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës (Gazeta zyrtare nr. 17/16, shtator 2011), nenit 8 nënparagrafi 1.4 të Rregullores nr. 02/2011 për fushat e përgjegjësisë administrative të zyrës së kryeministrit dhe ministrive si dhe nenit 38 paragrafi 6 të Rregullores së punës së Qeverisë nr. 09/2011 (Gazeta zyrtare nr. 15, 12.09.2011), nxjerr:
UDHËZIM ADMINISTRATIV PËR AKTIVET PROFESIONALE (DEPARTAMENTET) TË SHKOLLAVE
Neni 1 – Qëllimi
Ky Udhëzim përcakton dhe rregullon sistemin e funksionimit të Aktiveve Profesionale (Departamenteve) në shkolla (tani e tutje AP), organizimin, llojet, detyrat dhe përgjegjësitë e tij.
Neni 2 – Përkufizimi
- AP-të janë bashkësi profesionale të dy ose më shumë mësimdhënësve të një fushe/lënde të njëjtë apo të fushave / lëndëve kurrikulare të përafërta që kontribuojnë në ngritjen e cilësisë në mësimdhënie dhe të nxënit, duke nxitur shkëmbim dhe nxënie të dyanshme mes anëtarëve.
- AP-të ndihmojnë përgatitjen e planifikimit të përbashkët, përzgjedhjen e metodave dhe qasjeve relevante lëndore dhe përballimin e vështirësive në procesin mësimor.
Neni 3 – Organizimi i Aktiveve Profesionale
- AP-të janë organe të detyrueshme dhe themelohen pas një muaji pas themelimit/licencimit të shkollës nga MASHT-i.
- AP-të udhëhiqen nga kryesuesi i aktivit i cili emërohet sipas procedurave të përcaktuara me nenin 6 të këtij UA.
- AP-të e institucioneve edukative arsimore të arsimit parauniversitar, ndahen në:
- 3.1. AP-të e mësimdhënësve të arsimit fillor, ISCED – 1, grup-mosha 6<11. Organizimi i AP-ve në këtë nivel (klasat 1-5) bëhet sipas klasave.
- 3.2. Organizimi i AP-ve, në shkollat që kanë vetëm nga një paralele për klasë, mund të bëhet edhe për tërë nivelin.
- 3.3. AP-të e mësimdhënësve të AMU, ISCED – 2, grup-mosha 11<15 dhe AML, ISCED – 3, grup-mosha 15<18. Në këto dy nivele, AP-të organizohen sipas fushës/lëndës së njëjtë dhe fushave/lëndëve të integruara dhe ndërkurrikulare sipas KKK.
- 3.4. Në shkollat që kanë klasa kolektive (kombinuara), duhet të formohen AP-të e mësimdhënësve të klasave kolektive.
- AP-të sipas fushave kurrikulare:
- 4.1. AP-ja e gjuhës dhe komunikimit;
- 4.2. AP-ja e arteve;
- 4.3. AP-ja e matematikës;
- 4.4. AP-ja e shkencave natyrore;
- 4.5. AP-ja për shoqëri dhe mjedis;
- 4.6. AP-ja e edukatës fizike, sportit dhe shëndetit;
- 4.7. AP-ja e jetës dhe punës;
- Mësimdhënësit e angazhuar në kurrikulën me zgjedhje bëhen anëtarë të aktiveve që kanë afërsi më të madhe me kurrikulën me zgjedhje).
- Rrjetet e AP-ve mund të organizohen edhe në nivel ndërshkollor (komunitetet e të mësuarit së bashku), në nivel komune dhe në nivel vendi.
Neni 4 – Detyrat dhe përgjegjësitë e AP-së
- Harton planin vjetor të punës së AP-së.
- Në harmoni me Planin Zhvillimor të Shkollës (tash e tutje PZHSH), AP-të kontribuojnë në hartimin e planit vjetor të shkollës dhe sigurojnë përfshirjen e aktiviteteve të AP-së në këtë plan. Prandaj, detyrat në vijim janë të obligueshme për të gjitha AP-të.
- Zhvillimi i programeve mësimore
- 3.1. Diskuton, shkëmben dhe zhvillon planifikimet mësimore vjetore, mujore, javore dhe ditore të mësimit të rregullt, të punës plotësuese dhe shtuese dhe aktiviteteve jashtëkurrikulare.
- 3.2. Koordinon dhe monitoron procesin e zbatimit të programeve mësimore dhe impaktin e tyre në performancën e nxënësve ne bashkëpunim me Koordinatorin e Cilësisë.
- 3.3. Identifikon faktorët që rrezikojnë zotërimin e rezultateve të fushave kurrikulare dhe zgjidhjet e mundshme për evitimin e tyre.
- Vlerësimi i nxënësve
- 4.1. Harton instrumentet e vlerësimit.
- 4.2. Realizon vlerësimin përmbyllës (p.sh. teste me shkrim apo vlerësim me gojë, etj.) të arritshmërisë së rezultateve të FK sipas procedurave të UA-së për vlerësimin e nxënësve.
- Zhvillimi profesional i mësimdhënësve
- 5.1. Harton plane për zhvillimin profesional të mësimdhënësve, anëtarëve të aktivit për tu përfshirë në PZHSH përmes Drejtorit të Shkollës/Këshillit Drejtues të Shkollës (tash e tutje KDSH).
- 5.2. Shkëmben informata e përvoja të marra nga trajnimet e ndryshme dhe format tjera të zhvillimit profesional.
- 5.3. Organizon dhënien e ndihmës për punë mësimdhënësve fillestarë sipas propozimit nga drejtori i shkollës.
- 5.4. Vëzhgon kolegët në fusha të njëjta, dokumentojnë monitorimin me instrumente/standarde dhe shkëmbejnë përvojat.
- Mjetet mësimore
- 6.1. Jep propozime drejtorit të shkollës/KDSH për burime, mjete dhe materiale tjera mësimore.
- 6.2. Krijon dhe bën shkëmbimin e materialeve mësimore mes anëtarëve të AP-së.
- Plotësuese
- 7.1. Bashkëpunon me AP-të tjera brenda dhe jashtë shkollës, me rrjetet e shkollave, me Komunitetet e të Mësuarit së bashku, me qëllim të këmbimit të përvojave të mira.
- 7.2. Organizon aktivitetet – garat e nxënësve nga lëndët apo fusha e kurrikulës dhe aktivitete të tjera që ndihmojnë në zhvillimin e kreativitetit dhe në arritjen e kompetencave të caktuara.
- 7.3. Kryen punë tjera me interes për AP-në dhe shkollën të caktuara nga drejtori i shkollës ose KDSH.
Neni 5 – Përgjegjësitë e kryesuesit të Aktivit Profesional (departamentit)
- Udhëheq punën në hartimin e planit vjetor të punës së AP-së dhe siguron përfshirjen e këtij plani në planin vjetor të shkollës, i cili aprovohet nga drejtori i shkollës/KDSH përmes koordinatorit të cilësisë.
- Kontribuon në procesin e implementimit të PZHSH-së përmes koordinatorit të cilësisë dhe stafit tjetër të shkollës.
- Kontribuon dhe jep propozime në hartimin e planit zhvillimor të shkollës që përfshin edhe planin vjetor të shkollës përmes koordinatorit të shkollës.
- Organizon së paku një mbledhje të AP-së në muaj.
- Merr pjesë në takimet e përbashkëta të kryesuesve të AP-ve të organizuara nga koordinatori i cilësisë, të cilat do të mbahen çdo tre muaj;
- Udhëheq me mbledhjet e aktivit profesional.
- Përgatit raporte të rregullta pas çdo mbledhje të cilat i dorëzohen drejtorit të shkollës/KDSH.
- Bën ndarjen e përgjegjësive për zbatimin e aktiviteteve të planifikuara në kuadër të AP-së.
- Monitoron zbatimin e planeve të AP-së.
- Mban evidencën e pjesëmarrjes, të procesverbaleve dhe raporteve mbi punën e AP.
- Përgatit një raport vjetor dhe e prezanton para drejtorit të shkollës/KDSH, e publikon në ueb-faqen e shkollës ose shpallje.
- Në përfundim të mandatit si kryesues në prezencën e drejtorit dorëzon dokumentacionin dhe detyrën kryesuesit të ri të AP-së.
Neni 6 – Kriteret e përcaktuara për kryesuesin e Aktivit Profesional (Departamentit)
Kriteret për përzgjedhjen e kryesuesit të AP-së janë:
- Mësimdhënës i fushës/lëndës përkatëse me përvojë pune në shkollë për më së paku 2 vite.
- Përvojë në udhëheqje dhe në menaxhimin e shkollave.
- Certifikatë nga trajnime të akredituara profesionale për mësimdhënie dhe mësimnxënie, udhëheqje arsimore, trajner i programeve arsimore, etj.
- Njohuri për strukturat dhe proceset e sistemit shkollor, në përgjithësi dhe shkollën e vet në veçanti.
- Shkathtësi komunikimi për punë organizative dhe ekipore.
- Përvojë në menaxhimin e projekteve dhe proceseve në arsim.
Neni 7 – Procedurat për emërimin e kryesuesit të Aktivit Profesional (Departamentit)
- Kandidati për kryesues të AP-së propozohet nga anëtarët e tij dhe propozimi aprovohet/miratohet nga drejtori i shkollës/KDSH.
- Në rastet kur anëtarët e AP-së nuk dalin me propozim për kryesuesin e AP-së, drejtori i shkollës mban të drejtën e zgjedhjes së kryesuesit të një AP edhe pa propozim.
- Kryesuesi i APs zgjidhet për mandat 2 (dy) vjeçar shkollor, me mundësi rizgjedhjeje.
- Ndërprerja e angazhimit të kryesuesit të AP-së bëhet në rastin kur kryesuesi nuk i përmbush obligimet dhe detyrat e parapara me këtë Udhëzim administrativ.
- Shkarkimi i kryesuesit propozohet nga anëtarët dhe vendimi merret nga drejtori i shkollës.
Neni 8 – Procedurat e raportimit
- Kryesuesi i AP-së i raporton drejtorit të shkollës/KDSH në baza mujore dhe vjetore ose sipas kërkesës/nevojës së drejtorit.
- Raporti duhet të përmbajë rezultatet nga takimet e AP-së sipas detyrave dhe përgjegjësive të AP-së (neni 4).
Neni 9
Modelet për raportimet mujore dhe vjetore do të përcaktohen me një udhëzues të veçantë për funksionimin e AP-ve.
Neni 10 – Dispozitat shfuqizuese
Me hyrjen në fuqi të këtij UA, shfuqizohen dispozitat e UA nr. 04/2003 të datës 28.01.2003 për Organet Qeverisëse, profesionale dhe personelin tjetër të shkollës, sa i përket AP-ve të shkollës.
Neni 11 – Hyrja në fuqi
Ky Udhëzim administrativ hyn në fuqi 7 (shtatë) ditë pas publikimit në Gazetën zyrtare të Republikës së Kosovës.
Prof. dr. Arsim Bajrami
Ministër
Dt. 09.11.2016
¹ Terminologjia: Aktiv Profesional (Departament) është marrë nga PSAK 2017-2021
