Republika e Kosovës
Qeveria
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit,
Në mbështetje të nenit 5 paragrafit 3 dhe paragrafit 16, nenit 9 të Ligjit mbi Arsimin Parauniversitar në Republikën e Kosovës nr. 04/L-032, nenit 8 paragrafi 1 nënparagrafi 1.4, shtojca 1 paragrafi 7 i Rregullores (QRK) nr. 02/2021 për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës së Kryeministrit dhe Ministrive të datës 30. 03. 2021, Udhëzimit administrativ nr. 03/2013 për standardet e hartimit të akteve normative (GZ, nr. 03/2013, dt. 16.05.2013), nxjerr:
UDHËZIM ADMINISTRATIV PËR REGJISTRIMIN E FËMIJËVE NË KLASËN E PARË
Neni 1
Qëllimi
Ky Udhëzim administrativ ka për qëllim të përcaktojë procedurat dhe rregullat për regjistrimin e fëmijëve në klasën e parë.
Neni 2
Fusha e zbatimit
Ky udhëzim administrativ, zbatohet nga të gjitha institucionet edukative-arsimore dhe aftësuese, parauniversitare, publike dhe private.
Neni 3
Regjistrimi i fëmijëve në klasë të parë
- Fëmija regjistrohet në klasën e parë pasi të ketë mbushur moshën minimale gjashtë (6) vjeç.
- Regjistrimi i fëmijës në klasë të parë para moshës minimale gjashtë (6) vjeç bëhet vetëm atëherë kur ka një vlerësim dhe rekomandim të një ekipi profesional, të caktuar nga shkolla. Ekipi vlerëson pjekurinë njohëse, sociale, motorike dhe emocionale të fëmijës duke përcaktuar gatishmërinë e fëmijës për të hyrë në klasë të parë. Vendimin përfundimtar e merr drejtori i shkollës.
- Ekipi profesional përbëhet nga psikologu, pedagogu, mësuesi mbështetës i shkollës etj.
- Fëmija me diagnozë mjekësore para regjistrimit referohet tek ekipi komunal për vlerësim pedagogjik në Drejtorinë Komunale për Arsim, në komunën përkatëse.
Neni 4
Dokumentacioni
- Për regjistrim në klasë të parë, fëmija duhet të ketë certifikatën e lindjes/ekstraktin e lindjes, certifikatën e vaksinimit dhe dëshminë për vendbanim nga bashkësia lokale, e cila nuk është më e vjetër se gjashtë (6) muaj.
- Dokumentet e prindit/kujdestarit ligjor.
- Formulari i regjistrimit plotësohet në momentin e regjistrimit pranë institucionit arsimor.
- Për fëmijët që kanë ndjekur edukimin parafillor, në raste specifike mund të kërkohet edhe një vlerësim përshkrues për fëmijën nga edukatorja.
Neni 5
Zonimi
Për regjistrim të fëmijës në klasën e parë, drejtoria e shkollës bazohet në sistemin e zoninimit të përcaktuar nga komuna përkatëse.
Neni 6
Afati i regjistrimit
- Regjistrimi i fëmijëve në klasë të parë bëhet pas njoftimit publik nga shkolla në bashkëpunim me Drejtorinë Komunale të Arsimit.
- Njoftimi publik bëhet 15 ditë para fillimit të regjistrimit.
- Aplikimi për regjistrim në klasë të parë mund të bëhet edhe në mënyrë elektronike/online në institucionet edukativo arsimore të cilat kanë kapacitete teknike.
- Regjistrimi i fëmijëve në klasë të parë, fillon me 15 maj dhe zgjat deri me 15 qershor.
- Për vendet e mbetura të lira, shkolla shpallë një afat të dytë të regjistrimit të fëmijës.
- Për fëmijët e regjistruar në klasën e parë, shkolla mund të organizojnë ceremoni mirëseardhjeje, shoqëruar nga mësuesi/ja përkatëse.
Neni 7
Mënyra e regjistrimit
- Fëmijët gjatë regjistrimit do t’i nënshtrohen një vlerësimi profesional për regjistrim në klasën e parë.
- Shkolla përcakton një ekip nga administrata e shkollës për pranim dhe shqyrtim të dokumentacionit të aplikuesve.
- Vlerësimi i fëmijëve gjatë regjistrimit në klasën e parë bëhet nga shërbimi profesional i shkollës:
- Pedagogu;
- Psikologu;
- Mësuesi mbështetës;
- Vlerësimi dhe regjistrimi i fëmijës bëhet në prani të (së paku) njërit nga prindërit/ kujdestarit ligjor;
- Gjatë procesit të regjistrimit në klasën e parë nëse identifikohet fëmija me nevoja të veçanta ose aftësi të kufizuar sipas një raporti klinik të sjellë nga prindi apo kujdestari ligjor, shkolla duhet ta referoj fëmijën tek ekipi komunal për vlerësim pedagogjik para fillimit të vitit shkollor;
- Regjistrimi i fëmijës pasi t’i ketë përmbushur kriteret bëhet në Librin për regjistrimin në klasën e parë;
- Pas regjistrimit të fëmijës, formularët e vlerësimit dhe dokumentacioni duhet të kompletohen dhe ruhen në portofolio;
- Lista përfundimtare për regjistrim të fëmijës në klasë të parë aprovohet nga drejtori/esha e shkollës.
Neni 8
Hyrja në fuqi
Ky Udhëzim administrativ hyn në fuqi shtatë (7) ditë pas shpalljes në Gazetën zyrtare.
Arbërie Nagavci
__________________
Ministre
Datë: 28/04/2023
