Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci vizitoi shkollën “Shtjefën Gjeçovi në Prishtinë me rastin e fillimit të ligjëratave të gjeneratës së VII-të, për ndjekjen e kualifikimit të nivelit të V-të “Asistentë për fëmijë me nevoja të veçanta arsimore”. Ligjëratat për këtë kualifikim kanë filluar po ashtu në komunën e Prizrenit, Gjakovës, Mitrovicës, Gjilanit dhe Ferizajt. Në këtë gjeneratë janë gjithsej 270 kandidatë për asistent.
Ministrja Arbërie Nagavci u uroi punë të mbarë gjeneratës së shtatë, duke thënë se zyrtarisht po marrin një detyrë fisnike dhe pa dyshim të admirueshme. Ajo theksoi rëndësinë e këtij kualifikimi për fëmijët me nevoja të veçanta, duke vlerësuar përkushtimin dhe kujdesin e specializuar që ky program ofron, si dhe akreditimi nga institucioni prestigjioz britanik Pearson është një shenjë e cilësisë dhe standardeve të larta të arsimimit që programi synon të sigurojë.
Ndër të tjera, Nagavci tha se deri tani, në këtë program kanë diplomuar 480 studentë të cilët tashmë kontribuojnë në sistemin arsimor të vendit, ndërsa me diplomimin e kësaj gjenerate të re, numri i përgjithshëm i të diplomuarve do të arrijë në 750.
Ndërsa, drejtoresha e Agjencisë për Arsim dhe Aftësim Profesional dhe Arsim për të Rritur, Fikrije Zymberi theksoi rëndësinë e përgatitjeve të bëra dhe mbështetjen e rëndësishme të ministres Nagavci, e cila ka luajtur një rol kyç në realizimin e këtij programi.
MASHTI mbetet i përkushtuar qe të vazhdojë investimet në kualifikimin e gjeneratave të reja, dhe të sigurojë ndarje të mjaftueshme të buxhetit për punësimin e tyre, duke garantuar mbështetje të qëndrueshme për fëmijët dhe nxënësit me nevoja të veçanta arsimore./MASHT
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Rrjetit të Prindërve të Kosovës në Viber.