“Jam i mërzitur” – janë fjalët që bëjnë çdo prind të rënkojë kur i dëgjon nga një fëmijë i rrethuar me lodra dhe mundësi për t’u argëtuar. Gjithnjë e më shumë është krijuar një kulturë që na bën të mendojmë se është detyra jonë të mbajmë fëmijët të argëtuar dhe të lumtur. Besojmë se nëse fëmijët tanë mërziten, ne nuk po bëjmë mjaftueshëm, kur në të vërtetë është e kundërta. Është mirë për fëmijët të përjetojnë mërzinë, sepse kur ndërhyjmë për t’i argëtuar, ndalojmë zhvillimin e aftësisë për të zgjidhur probleme, për të qenë kreativë dhe për të ndërtuar rezistencën ndaj sfidave.
Megjithatë, kjo nuk nënkupton që fëmijët duhet të qëndrojnë në një dhomë bosh pa asgjë për të bërë, sepse “mërzia është e dobishme”. Një mërzi e tillë mund të sjellë vetëm frustrim dhe nuk është aspak e dobishme. Por ekziston një lloj tjetër mërzie që studiuesit e kanë quajtur “mërzi ndërtuese” (Gasper dhe Middlewood, 2013).
Çfarë është ”mërzia ndërtuese”?
Mërzia ndërtuese ndodh kur fëmijët kanë mundësi të jenë kreativë pa strukturë dhe pa udhëzime të drejtpërdrejta. Për shembull, mund t’u sugjeroni një kuti kartoni dhe disa materiale për punë dore, por pa i treguar se çfarë duhet të bëjnë ose si ta bëjnë atë. Përfitimet e këtij lloji mërzie vijnë kur fëmijët kanë kontroll mbi atë që bëjnë, përballen me sfida dhe përpiqen t’i zgjidhin ato vetë. Kjo është krejt e kundërta e aktiviteteve të planifikuara pa fund ose të përdorimit të ekranit që mbush trurin e tyre me stimulim, por që nuk u mëson asgjë.
A ju ka ndodhur ndonjëherë që gjatë një veprimtarie të zakonshme të filloni të ëndërroni me sy hapur? Pikërisht atëherë ju vijnë idetë më të mahnitshme. Studimet tregojnë se pak mërzi na bën mendues më kreativë (Belton, 2013). E njëjta gjë ndodh edhe me fëmijët: kur janë të mërzitur në një mjedis që nxit kreativitetin, ata bëhen të jashtëzakonisht të shkathët dhe të aftë për të krijuar. Kjo është koha kur fëmijët shkruajnë dhe interpretojnë drama në oborrin e shtëpisë, krijojnë “ilaçe magjike” nga balta dhe gjethet, ndërtojnë anije kozmike nga kutitë e vezëve apo krijojnë ndërtesa mbresëlënëse me Lego. Në këto momente ata mësojnë të menaxhojnë dështimet, të gjejnë zgjidhje dhe ndërtojnë vetëvlerësimin duke parë rezultatet e krijimtarisë së tyre.
Si mund të krijojmë mundësi për ”mërzi ndërtuese”?
Bëni një listë kreative: Gjatë pushimeve shkollore, mund të uleni me fëmijët tuaj dhe të brainstorm-oni për idetë që ata kanë për aktivitetet gjatë ditëve të lira. Mund të përfshini disa aktivitete jashtë shtëpisë si shkuarja në kinema ose në një kafene, por përpiquni të gjeni ide kreative që mund të realizohen në shtëpi. Kjo qasje jo vetëm që u jep fëmijëve autonomi për të zgjedhur se çfarë duan të bëjnë, por gjithashtu i ndihmon të përjetojnë ndjenjën e arritjes duke shënuar idetë e përfunduara.
Një listë e tillë mund të përfshijë ide si: shkuarja për peshkim, gjetja e një karkaleci si kafshë shtëpiake, lojë kriketi, kopshtari, gatimi ose pjekja e marshmallows në zjarr. E rëndësishmja është që fëmijët të kontribuojnë me idetë e tyre dhe të marrin përgjegjësi për zbatimin e aktiviteteve.
Siguroni burime të përshtatshme: Ju e njihni më mirë fëmijën tuaj dhe e dini çfarë pëlqen. Nëse nuk i pëlqen të vizatojë, sado shumë mjete arti të blini, nuk do ta ndihmojnë të mos ndihet i mërzitur. Zbuloni çfarë i intereson dhe sigurohuni që të ketë burimet e nevojshme për atë aktivitet. Nëse pëlqen sportin, sigurohuni që topi i tij të jetë gati. Nëse pëlqen të gatuajë, atëherë mbani përbërësit për recetat e tij të preferuara.
Kaloni kohë në natyrë: Natyra është plot mundësi. Ka insekte për të zbuluar, pemë për t’u ngjitur, shkopinj që mund të shndërrohen në shkopinj magjikë ose thjesht mund të shtriheni për të krijuar figura nga retë. Natyra është një mjedis që vështirë të lë hapësirë për mërzi.
Në familjen time, kur fëmijët më thonë “Jam i mërzitur”, përgjigja ime është gjithmonë “Fantastike! Po pyes veten çfarë gjërash kreative do të shpikësh!” – një përgjigje që shpesh shoqërohet me një rrotullim sysh dhe ndonjë të qeshur të lehtë. Edhe pse ofroj sugjerime dhe ndihmoj kur një sfidë duket shumë e madhe, unë lejoj fëmijët e mi ta përjetojnë mërzinë sepse njoh përfitimet e saj.
Mërzia ndërtuese nxit kreativitetin, ndërton autonomi, ofron mundësi për zgjidhjen e problemeve dhe mbështet zhvillimin e vetëvlerësimit dhe rezistencës. Prindër, le ta shohim mërzinë jo si diçka për t’u shmangur, por si një mundësi të artë për zhvillimin e fëmijëve tanë.
Burimi: The Therapist Parent
Përktheu dhe përshtati: Perparim Blakaj
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Rrjetit të Prindërve të Kosovës në Viber.