Sociologu Jeton Brajshori ka ngritur shqetësimin e tij për lojërat e rrezikshme që po luhen nga fëmijët.
Ai së fundmi në një postim në Facebook, ka apeluar për kujdes për lojën e re të rrezikshme të quajtur “ Spiderman”, ose edhe “ Superman”.
“Kujdes! Loja e re e rrezikshme e quajtur “ Spiderman”, ose edhe “ Superman” po luhet me të madhe nëpër shkolla! 3 ose më shumë veta e kapin njërin duke e hedhur në ajër duke i thënë bonu spiderman ose superman. Personat që bien në tokë po kanë dëmtime serioze në gjymtyrë dhe kokë”, ka shkruar Brajshori.
Ai ka kërkuar që të ketë vëzhgime nga drejtorit e shkollave si dhe prindërit të janë vigjilent në ndryshimet e disponimit dhe pamjes fizike të fëmijëve të tyre ( duke kërkuar ndonjë hematom).
“Bashkëpunoni trekëndësh që pasojat të jena më të vogla”, ka apeluar sociologu.
Kujtojmë se para disa javëve, Brajshori kishte ngritur shqetësime edhe për lojën “Roblox” dhe ndikimin negativ që kjo lojë mund të ketë mbi fëmijët.
Ai u bëri thirrje prindërve që të largojnë Roblox nga pajisjet e tyre dhe të bisedojnë me fëmijët për rreziqet që ajo përmban, duke u shprehur se loja përdor metoda joshëse për të tërhequr fëmijët dhe se kjo mund të ndikojë negativisht në zhvillimin e tyre emocional dhe social.
Shqetësime për lojën e re “Spiderman”, ose edhe “ Superman”, ka shprehur edhe eksperti i sigurisë kibernetike, Mentor Hoxhaj. Ai ka shkruar se kjo sfidë ka ardhur si rezultat i TikTok-ut.
“Të dashur prindër, një trend i ri në TikTok, i quajtur “Superman Challenge,” po përhapet me shpejtësi mes të rinjve. Ndërsa disa versione duken të padëmshme, të tjera po shkaktojnë dëmtime serioze që kërkojnë ndërhyrje mjekësore. Frymëzuar nga një kërcim nga kënga e Soulja Boy në vitin 2007, disa të rinj po bëjnë poza dhe kërcime argëtuese. Pjesëmarrësit hidhen përpara si Superman, duke pritur që shokët e tyre t’i kapin. Në shumë raste, ata nuk kapen, duke shkaktuar dëmtime të rënda si fraktura dhe trauma. Spitalet në disa zona kanë raportuar rritje të madhe të rasteve të tilla”,ka shkruar Hoxhaj.
Ai ka shtuar se trendët në rrjetet sociale shpesh duken të padëmshëm, por mund të kenë pasoja serioze për jetën dhe shëndetin. Të rinjtë shpesh ndihen të detyruar të marrin pjesë për pëlqime dhe shikime, pa e kuptuar rrezikun.
“Bisedoni me fëmijët tuaj: Diskutoni rreziqet e sfidave virale dhe rëndësinë e sigurisë. Monitoroni aktivitetet online: Informohuni për sfidat që fëmijët tuaj shikojnë ose në të cilat marrin pjesë”,ka shkruar Hoxhaj. /Telegrafi/
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Rrjetit të Prindërve të Kosovës në Viber.