Të nderuar prindër, mësimdhënës dhe kujdestarë,
Të nderuar përfaqësues të institucioneve shtetërore arsimore,
Të nderuar përfaqësues të shkollave publike dhe private,
Ju bëjmë thirrje ndërgjegjësuese në lidhje me sfidën virale tashmë të njohur edhe për publikun shqiptar si ”Sfida Supermen” ose ”Superman Challenge” në platformën TikTok. Kjo praktikë e rrezikshme, e shpërndarë në shumë vende të botës ka tërhequr vëmendjen e fëmijëve dhe adoleshentëve tanë, duke u konsideruar si një lojë e thjeshtë, por në realitet ka përfunduar me një numër të konsiderueshëm të lëndimeve serioze, duke përfshirë tronditje në tru, fraktura, lëndime në kurriz dhe humbje të vetëdijes.
Sfida nuk është një lojë argëtuese, por paraqet rrezik të drejtpërdrejtë për shëndetin e fëmijëve tanë andej Rrjeti i Prindërve të Kosovës pas publikimit të lajmit parandalues, ju bën apel të gjithëve që platformave si TikTok t’u vihet një kufij i përdorimit, të ndalohet përhapja e mëtejshme e materialeve të tilla që promovojnë sjellje të tilla të rrezikshme.
Për të parandaluar dëme të mëtejshme, thirrja i drejtohet të gjithë prindërve, mësimdhënësve dhe kujdestarëve që të angazhohen fuqishëm në mbikëqyrjen e aktivitetit të fëmijëve në rrjetet sociale dhe të bisedojnë haptaz me nxënësit për rreziqet që bartin këto trende. Imitimi i veprimeve të rrezikshme nuk është mënyra e duhur për të fituar popullaritet apo vëmendje në internet.
Fëmijët përfaqësojnë të ardhmen tonë si komb dhe është përgjegjësi e përbashkët të mbrojmë mirëqenien dhe shëndetin e tyre. Ju ftojmë të gjithëve të bashkoheni në përpjekjen për të promovuar një kulturë të sigurisë, përgegjësisë dhe kujdesit ndaj vetës dhe familjeve tona, përfshirë këtu edhe përdorimin e kufizuar të mediave sociale. Së bashku, mund t’i mbrojmë fëmijët tanë!
Rrjeti i Prindërve të Kosovës
Prishtinë, 05 dhjetor 2024
© Prinderimi.com | Të gjitha të drejtat e rezervuara.
Reagimin e plotë mund ta shkarkoni këtu: