Dita Botërore e Shëndetit Mendor ( çdo 10 Tetor që prej vitit 1992) ka në fokus ndërgjegjësimin, sensibilizimin, sjelljen në nivel global lidhur me shëndetin mendor. Synimi kryesor i kësaj dite është sigurimi i një komuniteti i cili kupton, pranon, por edhe luan rol aktiv në krijimin e një shoqërie që gëzon shëndet mendor.
Stigma është ende prezente, e për fat të keq në nivel të konsiderueshëm shumë individë që vuajnë probleme të shëndetit mendor, për ta shmangur atë dhe diskriminimin që e shoqëron,refuzojnë të shkojnë tek specialisti.
Ka njerëz që fatkeqësisht përjetojnë abuzim dhe/ose dhunë, të cilat rrisin stresin dhe mundësinë e zhvillimit të problemeve të shëndetit mendor. E gjithë shoqëria duhet të jetë e vetëdijshme lidhur me nevojën e sigurimit të mbështetjes së duhur, kur njerëzit përjetojnë stresin për shkak të ngjarjeve traumatike si në nivel global, ashtu edhe në atë individual.
Kjo datë është e rëndësishme, veçanërisht për shoqëri ende të pastabilizuara dhe që kanë dalë nga shoqëri të traumatizuara, siç janë vendet që kanë kaluar luftëra, apo konflikte.
Lexo poashtu: https://prinderimi.com/mesimdhenia-e-psikologjise-pozitive-ne-shkolle-mund-te-jete-nje-menyre-per-te-ndihmuar-shendetin-mendor-te-nxenesve/
Mjediset e sigurta dhe të shëndetshme të punës mund të veprojnë si një faktor mbrojtës për shëndetin mendor. Kushtet e pashëndetshme duke përfshirë stigmën, diskriminimin dhe ekspozimin ndaj rreziqeve si ngacmimi dhe kushte të tjera të këqija të punës, mund të paraqesin rreziqe të konsiderueshme, duke ndikuar në shëndetin mendor, cilësinë e përgjithshme të jetës dhe rrjedhimisht pjesëmarrjen ose produktivitetin në punë.
OBSH konsideron thelbësore që qeveritë, punëdhënësit, organizatat që përfaqësojnë punëtorët dhe punëdhënësit, dhe palët e tjera të interesuara përgjegjëse për shëndetin dhe sigurinë e punëtorëve të punojnë së bashku për të përmirësuar shëndetin mendor në punë.
Në ditët e sotme, për shkak të ndryshimeve intensive ndaj të cilave jemi të ekspozuar në mjedis, një numri të madh detyrimesh dhe një stili jetese të shpejtë, ndodh shpesh që t’i vendosim të fundit nevojat tona dhe të harrojmë se përveç shëndetit fizik, jo më pak nuk është edhe shëndeti ynë mendor.
Kjo datë shënohet zakonisht me aktivitete të shumta, ku institucionet shtetërore shfaqin kujdesin e tyre ndaj kësaj kategorie me rrezik, duke u bërë të qartë bartësve të sëmundjeve të shëndetit mendor, se edhe ata, si gjithë të tjerët, mund ta çojnë jetën e tyre të përditshme sa më afër normales, me solidarizime, shfaqje publike, apo edhe protesta.
Lexo poashtu: https://prinderimi.com/viti-2024-sjell-qendren-e-shendetit-mendor-per-femije-dhe-adoleshent-ne-gjakove/
Në një raport të fundit të publikuar nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), janë shfaqur të dhëna shqetësuese në lidhje me mirëqenien mendore të individëve në vende të ndryshme në botë, përfshirë këtu edhe Kosovën.
Raporti, ndër të dhëna të tjera, tregon edhe për përqindjen e individëve që përjetojnë shqetësime të shëndetit mendor në baza javore ose ditore, duke përfshirë ndjenjat e depresionit, trishtimit, ankthit dhe apatisë.
Gjetjet e këtij raporti tregojnë se afërsisht 30% e burrave dhe grave në Kosovë raportojnë se kanë hasur rregullisht të paktën një nga këto sfida emocionale (ndjenja të depresionit, trishtimit, ankthit dhe apatisë).
Shëndeti Mendor në epokën moderne është përherë e më shumë një shqetësim për autoritetet, meqenëse vlerësohet se sot në botë, vuajnë nga shqetësime mendore më shumë se 450 milionë njerëz.