Filloni duke u përpjekur t’i kuptoni tetë parimet vijuese që do t’ju ndihmojnë ta shihni jetën tuaj familjare dhe shtëpinë në një mënyrë të balancuar:
- Kuptoni se zhvillimi i fëmijës është një proces i gjatë dhe i sofistikuar:
Rritja e fëmijëve të ndershëm, qytetarë aktivë dhe prijës të mirë potencialë është një detyrë e përditshme që zgjat me vite, jo vetëm muaj. Ndonëse romanca mund të dështojë dhe miqësia jonë të marrë fund, lidhja prind-fëmijë është më e fuqishme dhe më e pathyeshme, duke u përballur me stuhitë më të ashpra dhe mbetur një nga marrëdhëniet më të qëndrueshme dhe më të fuqishme në tokë. - Vendosni qëllimet e duhura dhe përpiquni vazhdimisht të përmirësoheni
Qëllimet na ndihmojnë të largojmë konfuzionin dhe të përkufizojmë veprimin tonë. Ato e bëjnë të qartë se ku duam të shkojmë dhe si të udhëtojmë drejt atij synimi (ne kemi përgatitur një skicë të qëllimeve të prindërimit që do të diskutohet në kapitujt në vijim). Pa qëllime apo pa një hartë udhëzimi, prindërit mund të bëjnë gabime pa dashje, sepse nuk kanë objektiva të qarta për të matur veprimet e tyre. Kjo nuk do të thotë se nuk do të ndodhin gabime; ato janë të pashmangshme! E rëndësishme është t’i njohim dhe të mësojmë prej tyre, duke u bërë më të përgjegjshëm. E njëjta gjë vlen edhe për fëmijët: A u kemi dhënë fëmijëve tanë udhëzime të qarta? A i kemi udhëzuar se si të jetojnë në harmoni me ne? A u kemi dhënë atyre aftësitë e nevojshme për të arritur pritshmëritë tona? - Zbatojini në praktikë parimet e mësuara dhe ndani përvojat me prindërit e tjerë
Nëse kemi studiuar literaturën mbi prindërimin apo kemi kërkuar këshillim, do të gjejmë udhëzime të dobishme. Edhe pse prindërit mund të pajtohen për parimet e përgjithshme, shpesh nuk ia dalin t’i zbatojnë ato në praktikë (për shkak të mungesës së aftësisë, përvojës ose detyrimeve të përditshme). Megjithatë, kur ndajnë përvojat praktike me prindërit e tjerë, të dyja palët mund të përmirësojnë aftësitë e tyre të prindërimit. Pavarësisht nëse jemi beqarë, të martuar, në shtëpi ose të punësuar jashtë shtëpisë, prindërimi është një punë tepër e rëndësishme për t’u kryer i vetëm. - Bëhuni shembull i mirë dhe mësojini fëmijët vetë-mbështetjen
Një nga gjërat më të rëndësishme që prindërit mund t’ua mësojnë fëmijëve të tyre është se si të përballen me jetën pa ta. Është në shtëpi ku fëmijët mësojnë dinjitetin, guximin, vetë-disiplinën, dashurinë, dhembshurinë, ndërvarësinë dhe përgjegjësinë. Fjalët nuk mjaftojnë për t’ua siguruar fëmijëve mjetet e nevojshme për t’u bërë njerëz me karakter të admirueshëm. Shembulli i mirë i prindit vlen më shumë sesa shumë predikime. - Mësojini fëmijët ta dallojnë të drejtën nga e gabuara
Kur prindërit dëgjojnë rrëfime për sjellje të pahijshme nga fëmijët e tjerë, shpesh thonë: “Fëmija im nuk do ta bënte atë. Ai është ndryshe.” Është e gabuar të pretendojmë se fëmija ynë është imun ndaj sjelljes së keqe dhe se natyrshëm do të bëhet i suksesshëm. Në realitet, fëmijët mund të sillen në kundërshtim me dëshirat tona. Kjo nuk duhet të na habisë, pasi fëmijët tanë nuk ndryshojnë në thelb nga të tjerët që i rrethojnë. Të gjithë jemi pasardhës të Ademit dhe Havës dhe kemi aftësinë për të dalluar të drejtën nga e gabuara dhe për të vepruar në përputhje me këtë dije. Përballë sfidave të ngjashme dhe duke jetuar në të njëjtën shoqëri, të gjithë bëjmë gabime. Dallimi qëndron tek mënyra se si i përballojmë dhe i korrigjojmë ato, pasi disa pendohen e përmirësohen, ndërsa të tjerë jo. - Punoni me zell për të zhvilluar dhe ngulitur tiparet kyçe të karakterit
Në një këndvështrim më të gjerë, rishfaqja e një qytetërimi vërtet njerëzor mund të arrihet vetëm me themelimin e institucioneve të shëndosha. Këto institucione duhet të përbëhen nga individë që kanë një karakter të fortë, të pacenueshëm dhe të lirë nga egoizmi, lakmia dhe korrupsioni. Këta njerëz duhet të kenë gjithashtu cilësi si ndershmëria, përulësia dhe dashuria për të tjerët. Tiparet e karakterit të mirë rrallëherë janë prodhim i rastësisë; ato janë rezultat i familjeve të lumtura, ambienteve të qëndrueshme dhe prindërve të përkushtuar.
- Zhvilloni artin e bashkëbisedimit:
Flisni! Diskutoni me fëmijët tuaj për gjithçka: për atë që keni bërë gjatë ditës, për atë se si ndiheni për disa çështje, dhe për atë që mendon fëmija juaj për tema të ndryshme. Është me rëndësi që fëmijët të mësojnë se si ju i shprehni mendimet tuaja. Bëjeni komunikimin prioritet dhe filloni ta njihni dhe kuptoni fëmijën tuaj. Përveç zhvillimit të marrëdhënieve, të folurit është vendimtar për zhvillimin dhe artikulimin e gjuhës. Mos përdorni televizorin, internetin apo lojërat kompjuterike si një mënyrë për ta hequr fëmijën nga përditshmëria. Mungesa e të folurit sjell pasivitet dhe mungesë intelekti. Ne i kemi kushtuar një kapitull ndikimit negativ të shikimit të tepërt të televizorit. Komunikimi përfshin diskutime serioze, por edhe shkëmbime me humor.Prindërit duhet të bëjnë shaka dhe të luajnë me fëmijët e tyre, sepse humori forcon marrëdhëniet dhe largon mërzinë. Shpeshherë, prindërit kalojnë aq shumë kohë duke rritur fëmijët sa harrojnë të kënaqen me ta, dhe kjo është një humbje e madhe. Fëmijët jetojnë në një botë krejt të tyren dhe kanë një kapacitet të jashtëzakonshëm për lumturi dhe lojë. Është për të ardhur keq të shohësh prindër të zymtë dhe të mërzitshëm, që parapëlqejnë të shikojnë televizor në vend që të dalin jashtë dhe të kalojnë kohë me fëmijët e tyre, t’i bëjnë ata të qeshin dhe të argëtohen së bashku. Duke qenë se jeta është e mbushur me stres dhe ankth, fëmijët ofrojnë ilaçin më të mirë për të larguar stresin, duke ndihmuar prindërit të përjetojnë sërish botën e fëmijëve, qoftë edhe për pak kohë. Disa prindër mendojnë se lojërat me fëmijët tregojnë dobësi apo mungesë serioziteti. Realiteti është se kur qeshni me fëmijët, ju i lejoni ata të ndihen të sigurt dhe të mos frikësohen nga ju; niveli i tensionit bie dhe krijohet një lidhje e padukshme dashurie, duke i lejuar fëmijët të shprehen lirshëm. Humori dhe të qeshurit janë pjesë thelbësore e komunikimit.
- Kënaquni me prindërimin e mirë!
Kjo pikë lidhet me atë paraprake. Parimet e përmendura më sipër duhet të zbatohen me dashuri dhe dëfrim. Shpesh, prindërit që janë të obsesionuar me suksesin fokusohen aq shumë në qëllimet, saqë lejojnë që kënaqësitë e thjeshta të jetës familjare t’iu rrëshqasin nga dora. Duhet të jeni të vetëdijshëm për këtë. Prindërimi është një koncept holistik dhe një detyrë e mëshirshme, sepse përvoja e prindërimit është po aq e rëndësishme sa edhe realizimi i qëllimeve.
Lexo poashtu: https://prinderimi.com/fillimi-i-prinderimit-te-mire-nje-pasqyre-e-detyres-qe-kemi-perpara/
Autor: H. Altalib, O. Altalib dhe A. Ebusulejman, 2022
Udhëzues për rritjen e fëmijëve: Marrëdhëniet prind-fëmijë