Raporti i Performancës së Komunave për vitin 2023 i publikuar nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal ka treguar se Komuna e Prizrenit në fushën e arsimit parauniversitar ka arritur rezultate më të mira të përmbushjes së treguesve në krahasim me komunat tjera të mëdha të Kosovës.
Në renditjen e përgjithshme, Prizreni me 80.74% të përmbushjes së treguesve është listuar i dyti, duke pasur para vetes vetëm Fushë Kosovën me 85.14%. Por në këtë vlerësim, prapa vetes ka lënë komunat e mëdha, si Pejën, Gjilanin, Mitrovicën, Prishtinën, Gjakovën e Ferizajn, raporton Telegrafi.
Sipas Raportit të MAPL-së, fusha 14 respektivisht arsimi parauniversitar synon rezultate në hapësira për çerdhe, shkolla të pajisura me kabinete për internet, masa të efiçiencës së energjisë, rekrutimin e personelit arsimor, licencimin e mësimdhënësve, mjetet e konkretizimit, pajisjet e shkollave me mjete mësimore, kabinete të TIK-ut, si dhe kushtet e sigurisë në shkollë.
Kjo fushë në vitin 2023, në 34 komunat e Kosovës, ka arritur performancën e përgjithshme në nivel prej 48.78%, dhe sipas MAPL-së ka nevojë për përmirësim të dukshëm.
Drejtoresha e Arsimit në Komunën e Prizrenit, Luljeta Veselaj Gutaj ka theksuar se ky dikaster ka shënuar rritje të përqindjes së përmbushjes së treguesve vit pas viti, falë angazhimit për zbatimin e objektivave të saj.
“Viti 2023 ka rezultuar me 80.74% të përmbushjes së treguesve që maten në fushën e arsimit parauniversitar në kuadër të Raportit të Performancës. Ky është një rezultat shumë domethënës për Komunën e Prizrenit marrë parasysh edhe specifikat të cilat i kemi si komunë”, ka thënë Veselaj Gutaj.
Sipas saj, për këtë arritje ka pas sinergji mes të gjithë hisedarëve të përfshirë në procesin arsimor.
“Kjo është një përpjekje e gjithanshme, duke filluar nga drejtuesit e shkollave, mësimdhënësit, nxënësit, por edhe prindërit si partnerë shumë thelbësor në procesin edukativo arsimor. Pa dyshim edhe objektivat e DKA-së që kanë qenë shumë reale dhe të matshme, dhe janë zbatuar në harmoni me politikat dhe legjislacionin në fuqi”, ka deklaruar Veselaj Gutaj për Telegrafin.
Në të njëjtën kohë ka shprehur mirënjohje për të gjithë akterët që kanë kontribuar për këtë rezultat, përfshirë dhe mbështetjen e ofruar nga kryetari i Komunës, Shaqir Totaj.
“Gjithashtu i inkurajoj të gjithë akterët që ti vazhdojmë angazhimet e përbashkëta, sepse gjithnjë ka vend për përmirësime, dhe jam e bindur se edhe si DKA kemi hapësirë për punë dhe rezultate edhe më të mira për ngritjen e cilësisë në arsim”, ka shtuar zyrtarja e lartë komunale.
Në vitin 2022, Prizreni në fushën e arsimit parauniversitar ka pasur 76.33% të përmbushjes së treguesve, derisa në vitin 2020 ky rezultat ka qenë 64.67%.
Matja e performancës së komunave është proces i rregullt i cili zbatohet nga MAPL në bashkëpunim me komunat. Matja shtrihet brenda kornizës së kompetencave të komunave sipas legjislacionit bazë dhe atij sektorial. /Telegrafi/