“Çdo histori suksesi e çdo nxënësi ka pas një shpirt frymëzues, një orientues profesionist siç është mësuesi. Prandaj historia e suksesit të një nxënësi është një histori suksesi edhe e mësuesit përkatës”-
Nga Evans Drishti
Prindërit përpiqen ta dërgojnë fëmijën tek mësuesja më e mirë në klasën e parë.
Arsyeja?
Një pikënisje e mbarë është gjysma e suksesit në rrugëtimin e arsimit.
E për më tepër, kur edukohesh dhe arsimohesh nga mjeshtre dhe profesioniste të punës dhe edukimit, atëherë edhe shkollimi merr vlerën dhe peshën e duhur.
Me nisjen e klasës së 6-të nxënësi nuk i zgjedh mësuesit e vet, por me kalimin e kohës ai arrin të bëjë një përzgjedhje sipas mënyrës së vet:
- Mësuesi/ja më aktiv dhe më dashamirës
- Mësuesi/ja që arrij ta kuptoj qartë, bukur gjatë shpjegimit dhe bashkëbisedimit.
- Mësuesi/ja që respekton natyrën time dhe vlerat që mbart.
- Mësuesi/ja që dëgjon dhe kupton fjalën time
- Mësuesi/ja që njeh më mirë etapat e zhvillimit tim.
- Mësuesi/ja që di të më mirëpresë që në mëngjes me ardhjen në shkollë dhe hyrjen në klasë.
- Mësuesi/ja që rrezaton urtësi dhe maturi në komunikim me mua dhe të tjerët.
- Mësuesi/ja që na ofron një atmosferë plot gjallëri dhe optimizëm.
- Mësuesi/ja që na e lehtëson dhe nuk na e vështirëson procesin mësimor
- Mësuesi/ja argëtues dhe vëzhgues
- Mësuesi/ja që na e shndërron klasën në një trupë teatrore gjallëruese.
- Mësuesi/ja që na sjell risi dhe ngrohtësi çdo orë mësimore
- Mësuesi/ja që nuk e rëndon atmosferën me bullizim, por e transformon me shkathtësim.