Shkrim nga Muhamed Krasniqi, profesor në Kolegjin Tempulli
100 % për reforma arsimore dhe për mësimin tërë ditor ☑️
Ah, Xhevdet Doda, shyqyr që nuk je gjallë për të parë se si po luajnë me hijen tënde. Katër herë ta kanë ndërruar strehën, si një pemë që e zhvendosin nga rrënjët sa herë që lulëzon. O strateg dhe pedagog i kombit, sikur të ishe gjallë, a thua a do të mundeshe, të qëndrosh i palëkundur përballë këtyre furtunave politike.
Ah sikur ta dije që gjimnazi që mban emrin tënd, më i miri në Kosovë, po thyhet sërish, kësaj radhe kinse në emër të reformave dhe sigurimit të cilësisë!
Si një mësues “katuni” me një përvoj solide (afër 30 vite), akoma mendoj se reforma në arsim është një proces kompleks që kërkon një qasje të shumëanshme me strategji të analizuara dhe të matshme, pilotim dhe plan te monitorimit.
Kujtoj se për të përmirësuar cilësinë e arsimit, është e rëndësishme të angazhohen të gjitha palët e interesuara dhe të zbatohet një qasje e gjithanshme që përfshin aspekte kyçe dhe jo me procese te sajuara me plot te panjohura …
Nuk mund të kuptoj se çfarë zori patëm, që me kaq nguti (për dy, tre muaj), me i hy ketij hesapi dhe me i hallakatë nxënësit, mësuesit, arsimtarët, profesorët dhe prindërit e kryeqytetit?!
Si prind dhe si qytetar i këtij kryeqyteti (me prindër dhe gjyshër), që i kam fëmijët në shkolla publike, natyrisht që mund të ndjehem i prekur me këto veprime kaq të ngutshme!!!