Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci, me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2024/2025, ka vizituar shkollën “Iliria” në Prishtinë, ku bëri të ditur se më shumë se 300 mijë fëmijë kanë filluar mësimin sot.
Ministrja Nagavci ka thënë se përgatitjet për vitin e ri shkollor dhe furnizimi me tekste shkollore kanë shkuar mirë, e se nuk ka pasur asnjë shqetësim nga komunat. Sipas saj, për herë të parë, mësimi parashkollor është bërë obligativ në tërë Kosovën.
“Më shumë se 300 mijë fëmijë sot do të fillojnë vitin e ri shkollor 2024/2025 me besimin e plotë për motivim, angazhim dhe me përkushtim të mësimdhënësve. Uroj që të kenë shëndet dhe mbarësi në këtë fillim të vitit shkollor. Sivjet në të gjitha shkollat, në të gjitha komunat, për herë të parë është bërë i obligueshëm mësimi për fëmijët nga mosha pesë deri në gjashtë vjet, pra për parashkollorët. Ishim sot këtu në vizitën ë parë, në klasën e parashkollorëve që të shohim se a kanë arritur suksesshëm që të bëhen përgatitjet”, ka theksuar ajo.
Nagavci ka thënë se janë në kontakt me komunat.
“Deri më tani nuk kemi ndonjë kërkesë apo shqetësim nga komunat. Gjatë ditëve në vijim, presim raportet nga komunat për gjithçka, për furnizimin me tekste, për fillimin e vitit shkollor, numrin e nxënësve e kështu me radhë”, ka deklaruar ajo.
Sipas saj, furnizimi me tekste shkollore ka shkuar shumë mirë.
“Nga asnjë komunë nuk kemi asnjë shqetësim. Kërkesat që janë paraqitur nga prindërit apo kujdestarët ligjorë janë shqyrtuar”, ka thënë Nagavci./RTK