Nga Lira Gjika!
Ta rrafim tavolinën që të vrau.
Gjithnjë kam menduar se si ndërtohet sjellja e të rriturve që i fajësojnë e akuzojnë fëmijët për faktin që ai i rrituri humbi kontrollin dhe e keqtrajtoji fëmijën? E keqtrajton psikologjikisht dhe fizikisht. Ishte faji i fëmijës që prindërit, gjyshërit po edhe edukatorët e mësuesit u nxehën, e humbën kontrollin dhe e fyen, e rrahën.
I rrituri humb kontrollin dhe fëmija e ka fajin që po mëson si të rritet. Kjo sjellja e keqtrajtimit dhe akuzimi i dikujt tjetër sidomos e fëmijëve, i ka rrënjët thellë në fëmijërinë tonë. Në kohën kur ne nuk kemi akoma kontroll të mirë mbi trupin dhe përqëndrimi nuk është zhvilluar aq sa të kryhet automatikisht. Fëmija rrëzohet apo perplaset me një send dhe fillon e qara, prindërit apo gjyshërit dhe gjithkush pranë fëmijës, fillon të godasë sendin që u pengua fëmija.
Kjo sjellje duhet evituar pikërisht se është një nga sjelljet që ushqen te fëmija paaftësinë për të njohur përgjegjsitë e tij. Duke goditur sendin apo rrugën kultivojmë padashur paaftësinë për të zhvilluar përgjegjsinë dhe menaxhimin e vetes. Pa dashur kultivojmë “se fajin e ka tjetri” dhe kjo sjellje e mësuar dhe nxitur nga të rriturit dhe duke u bashkuar me edukimin nga frika dhe etiketimi, bëhet një sjellje normale kur rritemi. Eksperienca të tilla si rrëzimi apo përplasja me një send duhen shfrytëzuar për të zhvilluar vetkontrollin dhe përqëndrimin dhe jo të jenë një element më shumë për ta gjetur fajin te tjetri.
Të rriturit duhet ta ngushëllojnë fëmijën duke i treguar se po shijonte lëvizjen e vet dhe nuk e kishte mëndjen te pengesat. Pak durim dhe butësi dhe fëmija mëson e fikson të jetë më i vëmëndshëm dhe vëzhgues dhe nuk do ta kërkojë fajin te tjetri. Të rriturit pranë fëmijës duhet të jenë të kujdesshëm dhe ti zgjedhin veprimet që nesër të mos përsëritet historia./dritare.net