Ndryshe nga sektori privat, në atë publik, siç është arsimi, kërkesa e vazhdueshme mbetet rritja e pagave. Por Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës e Kulturës, ende nuk është në një mendje, nëse nga shtatori do të ketë grevë në arsim.
Kreu i saj, Rrahman Jasharaj, deklaron se do të ketë grevë, por Ymer Ymeri, koordinator për organizim të brendshëm në SBASHK, deklaron se ende nuk ka një vendim në lidhje me këtë çështje.
Në Sindikatën e Bashkuar të Arsimit, Shkencës e Kulturës, nuk ka ujdi nëse në shtator do të ketë grevë. Megjithatë, në SBASHK pajtohen se duhet të ketë rritje të pagave për mësimdhënësit.
Kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, i tha RTK-Radios se kërkesa ndaj Ministrisë së Arsimit dhe Qeverisë është e vazhdueshme.
“Sindikata e Arsimit ka pritur që Qeveria, Kurti, dhe në veçanti ministrja e Arsimit, Arberie Nagavci, të marrin mësim nga greva e tmerrshme e vitit 2022. Por, fatkeqësisht nga ajo kohë ata kanë vazhduar me qasjen e njëjtë të gabuar ndaj dialogut me sindikatat. Dhe, nuk kam pse ta fsheh, që një grevë në muajin shtator është e mundshme të ndodhë. Kjo pasi gjithnjë e më shumë po rriten kërkesat nga anëtarësia që të kemi veprime sindikale në shtator”, tha Rrahman Jasharaj, kryetar I SBASHK-ut.
Por, ndryshe nga Jasharaj, koordinatori për organizim të brendshëm në SBASHK, Ymeri Ymeri, thotë se deri më tani në këtë sindikatë nuk kanë pranuar asnjë kërkesë për grevë. Sipas tij, tash për tash, mësimi pritet të fillojë në muajin shtator.
“Prandaj duke marrë parasysh se për me shpallë një grevë don një procedurë, është një Ligj i Grevës që ka një procedurë, mund të them përgjegjësi të plotë se 1 shtatori do të fillon. Pastaj sa i përketë grevës së mësimdhënësve do të filloj mësimi ashtu siç është i paraparë. SBASHK-u nuk ka paraparë që me 1 shtator të filloj me ndonjë grevë por mësimi do të vazhdoj ashtu siç e ka paraparë Ministria e Arismit”, tha Ymer Ymeri, koordinator për organizim të Brendhshëm në SBASHK.
Ndërkohë, kreu i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, deklaron se me protestën e 1 majit, sindikata i bëri të qarta kërkesat. Njëra ndër to është ngritja e koeficientit.
“Ne publikisht me datë 1 maj përmes një proteste i kemi bërë publike kërkesat tona para Qeverisë. Njëra ndër to është rritja e koeficientit, pasi vite më parë krahasuar me vendet e rajonit krenoheshim me pagat tona e tani jemi me pagat më të ulëta”, tha Rrahman Jasharaj, kryetar I SBASHK-ut.
Besnik Dragusha, kryetar i Këshillit të Prindërve të Kosovës, në përgjigje për RTK-në, deklaroi se sa u përket informacioneve për mundësinë e grevës në arsim në muajin shtator, nuk ka informata, prandaj Këshilli do të kërkojë takim me kreun e SBASHK-ut për më shumë informacion.