Rreth 700 aplikime më shumë për regjistrim në programet studimore ka pranuar sivjet Universiteti i Prishtinës krahasuar me vitin paraprak.
Interes më të madh maturantët kanë shfaqur për programet e Mjekësisë dhe atë për Inxhinieri Kompjuterike e Softuerike. E fare pak interesim është shfaqur për programet e shkencave Matematike-Natyrore dhe Filozofi
Për 80 vende të lira, vetëm 14 maturantë i janë nënshtruar të enjten testit për t’u pranuar në Programin e Fizikës në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore në Universitetin e Prishtinës (UP).
Fisnik Aliaj, shef i Departamentit të Fizikës, tha se kjo paraqet shqetësim për ekonominë e vendit.
“Kemi pasur 18 aplikime, testi ka shkuar me sukses, por vetëm 14 kanë hyrë në test. Fizika e gjen zbatimin edhe në fusha të tjera, si në fusha të kimisë, biologjisë, e kështu me radhë, por është e rëndësishme pasi është baza e çdo teknologjie në çdo industri”, ka thënë Aliaj. “Sa më shumë që ka fizikanë në tregun e punës, aq më mirë do të ishte për ekonomin e vendit tonë”.
Maturantët kanë shfaqur interesim të ulët edhe për drejtimet e tjera të Shkencave Matematike-Natyrore. Në programin e Kimisë kanë aplikuar 19 persona, ndërsa 17 e kanë kaluar provimin pranues. Edhe në programin e Matematikës kanë arritur të pranohen 14 persona nga 29 aplikime.
Në afatin e parë nuk ka arritur t’i plotësojë vendet e hapura as Fakulteti Filozofik. Për 100 vende në programin e Filozofisë kanë aplikuar vetëm 10 persona dhe të gjithë e kanë kaluar provimin pranues.
Sipas dekanit të këtij fakulteti, Dashamir Bërxulli, interesim më të madh krahasuar me vitin e shkuar ka në pesë programet e tjera, si Psikologji, Punë Sociale, Sociologji, Shkenca Politike e Antropologji.
“Te disa departamente të caktuara trendët globale kanë reflektuar edhe te ne sepse arsimi i lartë në Kosovë është pjesë e trendëve globale. Sidoqoftë, nuk kemi probleme në numrat e përgjithshëm për të krijuar grupet dhe për të vazhduar mësimin, pavarësisht dallimeve që mund t’i kemi në numër në programe të caktuar, si Filozofia. Por programet duhet të ekzistojnë janë të interesit nacional, janë unike për Kosovën”, ka thënë Bërxulli.
Numri i aplikimeve për t’u regjistruar në programet e Universitetit të Prishtinës është 6.165.
Në krahasim me vitin e kaluar, janë 702 më shumë.
Ashtu si vitin e kaluar, programet më të kërkuara janë Mjekësia e Përgjithshme dhe Inxhinieria Kompjuterike e Softuerike.
Për 200 vende të lira në Mjekësi të Përgjithshme kanë aplikuar 806 të rinj. E për Inxhinieri Kompjuterike e Softuerike kanë aplikuar 509 për 250 vende të hapura.
Gjatë së enjtes është zhvilluar provimi pranues në 7 fakultete, ndërsa gjatë së premtes në 7 të tjera. Afati i dytë për pranim do të hapet në shtator. /KOHA.net