Të gjithë ankohen se fëmijët nuk u hanë. Kurse unë jam e shqetësuar për time bijë se ha shumë. Edhe pse akoma 11 vjeç, ime bijë peshon 10 kile më shumë se moshatarët e saj. Nuk arrij dot ta mbaj larg ushqimit. Ime bijë nuk rri dot pa ngrënë ëmbëlsira. Menduam të mbante një dietë, por ngaqë është e vogël, nuk arrin dot t’i përmbahet. Edhe nëna është e shëndoshë, mos vallë i ka ngjarë asaj?Mënyra e të ushqyerit e nënës ndikon edhe në të ushqyerit e fëmijës.
Së pari vizitohuni te ndonjë mjek për të kontrolluar nëse shëndeti i bijës tuaj ka ndonjë shkak fiziologjik. Kilet e tepërta mund të jenë pasojë e një çrregullimi në sistemin hormonal. Mund të ketë edhe ndonjë sëmundje (diabeti, për shembull) dhe ju nuk e keni vënë re. Para faktorëve psikologjikë duhen bërë analizat fiziologjike. Nëse nga kjo nuk del asgjë, duhet lënë mënjanë mundësia e trashëgimisë gjenetike dhe duhen parë faktorët psikologjikë.
Së pari mund të mendoni se fëmija ndjen kënaqësi nga të ngrënët. Bëni një listë se në çfarë rrethanash krijohet kjo kënaqësi. Për shembull, a kërkon çokollatë sapo kthehet nga shkolla? Ose, a ha gjithmonë diçka para se të shkojë në gjumë? Në këtë rast mund të mendoni se në shtëpi nuk ka një rregull të ngrëni. Ose, a kërkon të hajë kur është e mërzitur? Në këtë rast mund ta ndihmoni ta ndryshojë zakonin e të ushqyerit duke eliminuar faktorët që bëjnë të mërzitet. Ose, në vend të ushqimeve të shëndetshme a preferon ushqime kimike me shije të fortë si patatina, ëmbëlsira, pije me gaz etj.?
Ajo që duhet të bëni të përpiqeni t’i zëvendësoni në këtë rast është që ushqimet me përbërës kimikë t’i zëvendësoni një nga një me ushqime natyrale. Për shembull, fëmijëve që konsumojnë shumë sheqer u duhen ofruar ushqime si akullorja e përgatitur në shtëpi apo fruta me përmbajtje të lartë sheqeri, si qershitë, bananet, zardelitë etj., kurse fëmijëve që pëlqejnë ushqime të kripura e pikante si patatinat, këto u duhen zëvendësuar gradualisht me ushqime si patatet e skuqura në shtëpi. Nuk është me vend që fëmija të vihet në dietë të menjëhershme duke ia ndaluar ushqimet e pashëndetshme pa i ofruar një alternativë.
Së fundmi, nëse edhe nëna është e shëndoshë, mos e vrisni mendjen nëse i ka ngjarë gjenetikisht asaj, por nëse edhe nëna ushqehet në mënyrë të çrregullt e të pashëndetshme. Mundësia e lartë që fëmijët e nënave të shëndosha të jenë të shëndoshë, vjen ngaqë nëna ia përcjell fëmijës mënyrën e saj të të ushqyerit.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Dr. Adem Güneş, “Si veprojnë fëmijët dhe pse?”