Një ndër liritë themelore është liria e mendimit. Kjo nuk është një liri e cenuar nga prindërit që në fëmijërinë tonë, kjo pengesë vazhdon edhe në maturi; këtë herë mendimet janë ato që na pengojnë. Si të rritur ne kemi liri mendimi, por shprehja e ideve që dalin në pah nga mendimet tona, nuk janë të lira. Pra të rriturit janë të lirë të mendojnë, e madje edhe nëse shihen si të dëmshëm nga të tjerët, janë të lirë të prodhojnë çdo lloj mendimi, mjafton që të mos transmetojnë tek të tjerët mendimet “e dëmshme”.
Sigurisht që korniza e mendimeve “të dëmshme”, ndryshon nga një shoqëri në tjetrën, madje pëson ndryshime edhe gjatë procesit të zhvillimit të vetë shoqërisë. Një mendim i padëmshëm për një shoqëri, mund të jetë i dëmshëm për një shoqëri tjetër; një mendim që para dhjetë vitesh është parë si i dëmshëm në një shoqëri, tani mund të mos jetë më i tillë, madje mund të jetë tërësisht e kundërta; një mendim i pafajshëm para dhjetë vitesh, tani mund të konsiderohet helmues.
Vendin e prindërve që nxehen e na pengojnë sepse sillemi në mënyrë “të pamenduar” në fëmijëri, e zë shoqëria që gjykon se idetë tona janë kontradiktore. Ndërkohë që njeriun e dallon nga kafsha veçoria e të menduarit. Veçoria jonë për të menduar është ajo që na ka sjellë në pikën ku ndodhemi sot. Mendimet që çojnë përpara njerëzimin, janë ato që i duken kontradiktore shoqërisë.
Ju nuk mund ta ndryshoni diçka vetëm sepse jeni në harmoni me të. Largojini menjëherë nga mendja mendimet që i duken kontradiktore të tjerëve, nëse pranoni që mbeteni të njëjtë përjetësisht. Mos mendoni më shumë se u kërkohet. Nuk është e rëndësishme nëse jeni apo jo të lumtur, por jetoni jetën që të tjerët shohin si të duhurën për ju.
Dhe si përfundim, kjo është e lidhur drejt për së drejti me përdorimin nga ju të lirive për të realizuar vetveten. Realizimi i vetvetes është një proces, një proces zhvillimi. Aq sa mund të vlerësojmë forcat dhe liritë tona, aq edhe mund të bëhemi individë që kanë besim te vetja e janë të aftë të bëjnë atë që duan.
Përgatiti: Perparim Blakaj, Prinderimi.com
Autor: Saim Koç & Nil Gün, ”Vetëvlerësimi”