Unë jam njeri
Fillimisht, duhet pranuar se secili prej nesh e ka për detyrë t’i respektojë të tjerët, vetëm për shkak të ekzistencës sonë, dhe vetëm sepse jemi njerëz, pa shikuar çfarëdo arsyeje tjetër.
Ne nuk jemi të detyruar t’i pranojmë dëshirat e të tjerëve dhe çfarë pëlqejnë ata. Secili individ, duhet ta zgjedhë vetë se çfarë dëshiron, pa pasur nevojë që të sqarojë apo të justifikohet përpara të tjerëve për zgjedhjet e tij.
Fraza “Unë jam njeri”, përmban një detaj psikologjik të imtësishëm. Mendja do ta pranojë gjithë atë që ne i tregojmë, nëse ne e përsëritim këtë shprehje, në mënyrë të mjaftueshme. Këtu nuk bëhet fjalë nëse ajo që themi është e saktë apo e gabuar, pozitive apo negative, por, nëse ne i përsëritim këto fjalë mjaftueshëm, do t’i besojmë në fund. Kjo mënyrë i ka ndihmuar individët që t’u kundërvihen ndjenjave negative me shprehje pozitive. Zakonisht kjo metodë quhet “Dialogu me veten”.
Nëse e shikon veten në pasqyrë çdo ditë, për tridhjetë ditë rresht dhe e përsërit me zë të lartë pesëdhjetë herë me bindje “Unë jam shitës i aftë”, ose “Unë do të dal i pari në këtë garë”, truri yt do ta pranojë atë çfarë thua, sikur ajo të ishte realisht e vërtetë.
Kështu, besimi në veten tënde do të shtohet dhe do të të shtohet dëshira t’i kryesh ato detyra, të cilat janë të nevojshme për të arritur suksesin, si për shembull përcaktimin e klientëve të ardhshëm, ose pjesëmarrjen në aktivitete, ose rafinimin e prezantimit tënd, ose thirrjen në telefon të klientëve, ose frekuentimin e rregullt në të gjitha nivelet mësimore, e kështu me radhë.
Të bindësh veten për aftësitë që ke, është hapi i parë i rëndësishëm drejt arritjes së çdo qëllimi.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Dr. Ibrahim Fekij, “Ngritja e vetëbesimit dhe e dinjitetit”