JAM I AFTË TË BËJ
– Jam i aftë! – ja edhe fjalët kyç për një fëmijë të moshës 2-vjeçare. Por nëse foshnjat do të mund të flisnin, edhe ato do të thoshin se janë të afta: të buzëqeshin, t’i lëvizin gjymtyrët e të rrotullohen rreth vetes, të belbëzojnë tinguj, ta kapin një send dhe ta shkundin me sa kanë fuqi.
Fëmijët kanë aftësitë e tyre, të cilat çdo ditë shtohen krahasuar me paraardhësen. Prindërit me të drejtë mrekullohen me cilësitë e reja të fëmijëve. Energjia jetike që zien brenda tyre është një motor i pashembullt, që i shtyn të bëjnë gjithmonë e më shumë gjëra e të komunikojnë përherë e më qartë. Kjo është magjia e zhvillimit!
Prindërit duhet të tregohen të kujdesshëm që në lindje karshi aftësive të fëmijëve. Në fakt, është mjaft e rëndësishme që ta shtyjnë e ta mbështesin të hedhë një hap më tutje, por pa e tepruar, sepse kërkesat e tepruara mund të krijojnë një ndjesi shkurajimi. Nga ana tjetër, nëse prindërit nuk janë kërkues aq sa duhet, shumë shpejt fëmija do të fillojë të ndihet i pazoti ose i paaftë.
Ndjesia e të qenit i aftë nuk mund të zhvillohet pa provuar dhe pa gabuar disa herë. Kur një njeri nuk pranon të provojë të bëjë diçka, sepse ka frikë se mos nuk ia del dot mbanë, hyn në rrethanën e humbjes së shansit për të mësuar nëse ishte apo jo vërtet i aftë të bënte diçka. Është e rëndësishme që fëmija të dijë të dallojë me veten e tij, sa më parë që të jetë e mundur, se cilat janë gabimet dhe dështimet. Për këtë, vetë prindërit duhet t’i pranojnë vetes se i vogli i tyre do të bëjë gabime, sepse vetëm kështu do të jetë në gjendje të mësojë.
A ekziston ndonjë lidhje mes të qenit i aftë dhe përpjekjes për ta mbrojtur më shumë se ç’duhet fëmijën? Ja ku mbërritëm përballë sfidës së fortë të edukimit: si ta mbrojmë një fëmijë pa e tepruar? Si ta ndihmojmë të ketë besim në vetvete, duke e bërë në të njëjtën kohë të ndihet i sigurt se na ka krah? Si ta nxisim një fëmijë të provojë, pa ushtruar mbi të një trysni të pavend?
Secili prej prindërve di t’u përgjigjet këtyre pyetjeve. Ose më saktë, arrin t’i gjejë përgjigjet duke e vëzhguar me sy dashamirës fëmijën e tij dhe natyrisht edhe nëpërmjet sjelljeve përplotësuese të të dy prindërve. Në fakt, nënat janë të prira të “kujdesen” për tërësinë fizike të fëmijës. Ai vjen prej trupit të saj dhe ajo dëshiron ende që ta përfshijë në qenien e saj. Kurse babai ka prirje më të forta, që t’u besojë aftësive të vetë fëmijës:
– Jepi, e di që do t’ia dalësh!
Baballarët i hedhin fëmijët në ajër dhe në çast nënat lëvizin nga pasiguria. Natyrisht që ka nëna të kujdesshme ndaj veprimeve të tyre mbrojtëse dhe baballarë që përpiqen t’i mbrojnë më shumë se ç’duhet të vegjlit. Por kjo nuk është pika më e rëndësishme. Më e rëndësishmja është ekuilibri që duhet gjetur mes mbrojtjes dhe shtysës.
Të jesh i aftë dhe ta ndjesh aftësinë, nuk është e njëjta gjë. Është thelbësore që fëmija të vazhdojë të ndihet i aftë, edhe nëse nuk arrin të bëjë diçka.
Është e mundur të ndihesh i aftë në shumë pikëpamje:
- në planin fizik: duke lëvizur, duke vrapuar, duke ngarë triçiklin, duke përdorur gërshërët, duke kapur topin etj.;
- në planin intelektual: duke kuptuar, duke folur, duke arsyetuar, duke mësuar përmendësh etj.;
- në planin shoqëror: duke iu afruar të tjerëve, duke ndarë me të tjerët, duke qenë një njeri që e duan të gjithë, duke i bërë vend vetes etj.;
- në planin ndjesor: duke krijuar marrëdhënie, duke tërhequr vëmendjen, duke dashur e duke marrë dashuri etj.
Është normale të ndihesh më i aftë në një plan e jo edhe aq në një tjetër. Fakti se mund të kesh vështirësi në një plan, nuk duhet ta vërë në dyshim mbarë aftësinë në vetvete. Mbi të gjitha, është e rëndësishme të mbajmë parasysh se mbrojtja e tepruar është armike e ndjesisë së aftësisë.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Danielle Laporte, “Vetëvlerësimi i fëmijëve 0-6 vjeç”