Që të ndihemi mirë me veten tonë, duhet më parë të ndihemi mirë kur jeni në prani të të tjerëve, si prindërve, motrave e vëllezërve, të afërmve, edukatorëve dhe miqve.
Zhvillimi shoqëror ndodh hap pas hapi, me faza, ashtu si edhe zhvillimi fizik, ndjesor, intelektual dhe moral. Jeta jonë fillon në çift dhe përfundon në vetmi, pasi rrethi është zgjeruar gjithmonë e më shumë.
Bebja e fillon jetën e tij shoqërore në barkun e nënës, së cilës ia njeh zërin që pas disa muajsh, ashtu siç njeh edhe… zërin e të atit. Fëmija që këtu ka hyrë në marrëdhënie. Kur mbush 2 muaj fillon t’u buzëqeshë figurave njerëzore. Në vijim shpreh një gamë të gjerë emocionesh me anë të mimikës, duke dashur t’u tregojë se çka ndien atyre që e rrethojnë.
Familja është vendi i parë ku mësojmë rreth marrëdhënieve shoqërore. Por kjo nuk do të thotë që një fëmijë 2-vjeçar të mos dojë të rrijë me fëmijë të tjerë, derisa kur të mbushë 4 vjeç do të kërkojë me këmbëngulje të madhe të rrijë me shokët e tij. Kjo ndodh sepse dihet që të rriturit nuk dinë të luajnë aq mirë sa fëmijët. Shokët bëhen kaq të rëndësishëm, sa fëmijët fillojnë të krijojnë edhe miq imagjinarë.
Për të krijuar një ide sa më të mirë për veten, fëmijët duhet të ndihen të pranuar dhe të dëshiruar nga të tjerët.
Teksa ndërveprojnë me të vegjlit e tjerë, ata krijojnë një ide rreth vetes. Marrëdhëniet shoqërore ndihmojnë të kuptojmë se disa sjellje janë të pranueshme, ndërsa disa të tjera nuk janë.
Tek më të vegjlit, prindërit kanë më shumë ndikim se miqtë e tyre. Në moshën shkollore, ndikimi është gati i barabartë me atë të miqve, ndërsa gjatë adoleshencës janë të pafuqishëm karshi shokëve të fëmijës. Prandaj është e pamundur për prindërit ta kontrollojnë të gjithë jetën shoqërore të fëmijës së tyre.
Fuqia e tyre nuk ka vlerë mbi shokët e çerdhes, të sheshit të lojërave apo të fëmijëve të lagjes. Gjithsesi, ndikimi i madh që kanë mbi fëmijën mundëson që t’u mësojnë të vegjëlve strategji proshoqërore.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Danielle Laporte, “Vetëvlerësimi i fëmijëve 0-6 vjeç”