Edhe pse e doni fëmijën tuaj dhe i kujtoni pikat e forta dhe dobësitë, është e nevojshme të bëni akoma më shumë, që ai të mësojë ta njohë vetveten.
Vetë ndërgjegjja është siguria se je një individ i kompletuar dhe kjo zhvillohet shkallë-shkallë. Për shembull, njohja e vetes në pasqyrë ndodh mes muajit të 9-të e të 12-të. Fëmija mund ta dallojë veten në një fotografi mes të tjerëve mes muajit të 15-të dhe të 18-të dhe e fiton sigurinë e të qenit mashkull ose femër rreth muajit të 20-të. Fëmija do ta shprehë fjalën “unë”, duke iu referuar vetes së tij, rreth moshës 3-vjeçare.
Menjëherë pas lindjes, gjithçka që bën fëmija e kryen pa e ndier dallimin mes tij dhe së ëmës. Duhet pasur parasysh se kjo është më se normale pas një simbioze nëntëmujore. Më tej, realiteti e detyron të kuptojë se është një qenie e mëvetësishme dhe se duhet të kërkojë që dikush t’ia plotësojë nevojat: duhet të qajë që ta mëkojnë me qumësht gjiri ose t’i japin biberonin, të bërtasë ose të buzëqeshë që dikush të merret me të, ose të bëjë rrëmujë që dikush të verë re se nuk ndihet rehat.
Ai duket sikur thotë me vete: – Ja, ja! Jam një njeri tjetër, veçan nga mami im! Pranë kam edhe një burrë që merret me mua dhe më bën të qesh me të madhe, me sa duket ky qenka babi im! Ka edhe fytyra të vogla që vijnë ndonjëherë të ngërdheshen ose të më puthin; me sa kam dëgjuar janë vëllezërit dhe motrat e mia.
Me kalimin e kohës, aftësitë e bebes zhvillohen dhe përmirësohen.
Zbuluesi kupton se mund të ecë këmbadoras, pastaj të ngrihet në këmbë dhe kështu fiton ndjesinë se është në gjendje t’i bëjë gjërat edhe vetë, sipas dëshirës së tij:
Ja, jam një njeri tjetër nga mami im, sepse ajo më shikon me sy të çapëlyer nga frika, kur e tërheq fort mbulesën e tavolinës dhe sepse e bëj babin të vrapojë si i çmendur, sa herë që nisem të shkoj drejt shkallëve.
Vendimmarrësi, nga ana e tij, do ta ushtrojë me vendosmëri fuqinë e tij të vendimit dhe do të vërë re se është një njeri fort i veçantë:
Ja, prindërit e mi bëhen qull në djersë, kur nuk pranoj t’i lëshoj nga dora karamelet që kam marrë tek dyqani dhe ulërij me sa kam në kokë. E shikon, nuk bëjnë dot asgjë kundër meje, kur ma jep truri ta bëj kakën në një cep të dhomës së ndenjjes.
Për sa i përket magjistarit, ai zbulon gjithë pushtetin që buron nga ndërgjegjësimi mbi faktin që është mashkull ose femër. Këtë pushtet të joshjes dhe të manipulimit do ta vërë në punë karshi prindit të seksit të kundërt. Për më tepër, duke hyrë tashmë thellë në botën e imagjinatës, do të sajojë histori si në jetën e vërtetë, ashtu edhe në atë të lojërave.
E shikon, mund të them se e hodhi vëllai i vogël abazhurin. Prindërit e mi jo gjithmonë mund t’i kuptojnë mendimet e mia. Ndërsa për babin jam një njeri shumë i veçantë, sepse gjithmonë pranon të më lexojë edhe një përrallë të dytë.
Prindërit mund ta ndihmojnë fëmijën ta njohë veten e tij…
⚫️ duke e trajtuar si një njeri me aftësi plotësisht të zhvilluara;
⚫️ duke i folur për pikat e tij të forta, për cilësitë e tij të mira dhe mangësitë;
⚫️ duke i miratuar emocionet e tij;
⚫️ duke i theksuar se po rritet, e ndërsa rritet do të bëhet gjithmonë e më i aftë.