Grupmosha dhe leximi
Procesi i zhvillimit intelektual të fëmijës, procesi i pasurimit të mendjes së tij me dituri dhe mbjellja e pasionit për lexim në mendjen tij duhet të fillojë në një moshë të hershme. Ekzistojnë dëshmi pozitive shkencore të cilat tregojnë se edhe embrioni përfiton nëse i lexohet me zë. Disa hulumtime gjithashtu pohojnë se në momentin që fëmija është shtatë muajsh, ai do të jetë mendjehapur në të ardhmen, nëse i lexohen disa informata në kohë të rregullt.
Një grua në Kanada kishte shprehi të shkonte në një park, të mbështetej në një pemë dhe të lexonte me zë dhe me ndjenja një libër të saj. Kur e pyetën pse lexonte me zë, ajo tha: “Po i lexoj embrionit në barkun tim.” Ideja këtu është që procesi i bërjes së dashur të leximit te fëmija të fillojë para se ai të lindë, dhe të vazhdojë, pasi ai të lindë.
“Ideja është që në fillim tregimet të jenë të thjeshta, të shkurtra dhe t’i përshtaten moshës, pastaj me kalimin e kohës tregimet të bëhen më të gjata dhe më komplekse.”
Ja disa hapa:
– Kur fëmija është foshnje, nëna duhet t’i lexojë një tregim që zgjat një ose dy minuta. Tregimi duhet të ketë fjali të shkurtra dhe të ketë një ritëm të përcaktuar. Nëna po ashtu mund t’i këndojë ca ninulla, një gjë që nënat zakonisht e bëjnë në tërë botën, për të vënë fëmijën në gjumë ose për ta qetësuar. Gjëja e rëndësishme këtu është që nëna të përdorë për të një tregim që përmban një ritëm të ndryshëm nga dita e kaluar. Tregimet dhe të kënduarit e përmirësojnë te fëmija shkathtësinë e të dëgjuarit dhe vëmendshmërisë. Kjo vien sidomos për komunitetet që kanë zakon t’i ndërhyjnë njëri- tjetrit gjatë bisedës dhe kjo shpesh pengon shprehjen e mendimit.
Kur fëmija është trevjeçar, kohëzgjatja e leximit mund të jetë pesë minuta. Nuk duhet ta zgjasim më tepër se pesë minuta, sepse fëmija e ka të kufizuar kapacitetin e të dëgjuarit dhe përqendrimit.
“Tregimet gjithashtu duhet të sillen rreth personave dhe gjërave që janë të njohura për fëmijën, sepse kjo siguron që ai të kuptojë dhe perceptojë atë që po i tregohet.”
Është e shkëlqyeshme që nëna t’i tregojë fëmijës se babai e do atë, se ai gjithmonë ka dëshirë t’i sjellë bonbone. Është mirë gjithashtu që t’i tregohet fëmijës se ajo brengoset për t’i siguruar rehatinë dhe mbrojtjen. Po ashtu do të ishte shumë mirë që t’i themi se vëllai më i madh do t’ia blejë gjërat që i do. Nuk do të ishte gabim nëse do t’i tregonim për kafshët shtëpiake, si duhet t’i mëshirojmë dhe t’i ushqejmë.
Kur nëna ndien se një tregim është veçanërisht i dashur dhe duket që prek ndjenjat e fëmijës më tepër se tregimet e tjera, ajo duhet t’ia përsëris. Është e qartë se fëmijët u përgjigjen tregimeve dhe rimave të caktuara më tepër se të tjerave. Shohim se si na bezdisin që t’ua përsërisim ato tregime dhe ritme sikur të ishin të pangopur me to, ndonëse pa ndonjë arsye të qartë. Megjithatë, ne duhet t’ia përmbushim teken e fëmijës, ndonëse mund të na duket e lodhshme.
Kur fëmija t’i mbushë pesë vjeç, sigurisht se ai mund të kuptojë më mirë dhe të jetë më i gatshëm të dëgjojë. Tani nëna mund ta zgjasë tregimin në 10 minuta, mirëpo duhet të shtojmë se durimi i fëmijës dallon nga fëmija në fëmijë, prandaj nëna duhet të jetë e vëmendshme për fëmijën e saj dhe të mbarojë tregimin posa të shohë se ai është i mërzitur dhe nuk është i tërhequr nga tregimi.
“Në këtë moshë, fëmija tërhiqet nga tregimet dhe fabulat, të cilat kanë si personazhe kafshët që bisedojnë sikur njerëz. Ata gjithashtu pëlqejnë tregime për jetën e përditshme.” Një gjyshe e hareshme u tregon nipërve dhe mbesave tregimin për një djalë, i cili mësoi me përkushtim deri vonë natën për provimin që e kishte të nesërmen. Mirëpo nga pagjumësia nuk i doli gjumi për shkollë dhe arriti vonë për provim. Për pasojë, ai dështoi në provimin, të cilin e kishte mësuar përmendsh.
Atëherë gjyshja i pyeti nipërit: “Çfarë duhet të bëjmë për të mos na ndodhur kjo?” Ata u përgjigjen njëzëri: “Të flemë herët!” Tregimi që e donin më së shumti ishte ai i fëmijës, i cili mori nga xhepi i babait një shumë të madhe parash, mirëpo, për t’u mos zbuluar ai i groposi paratë në një fushë aty afër. Më vonë, ai u përpoq t’i gjente paratë, mirëpo nuk e gjeti vendin ku i kishte groposur. Gjyshja u sqaroi se sa keq ishte të merreshin gjërat e dikujt pa pëlqimin e tij. Fëmijët ishin të gëzuar me pësimin e djaloshit.
– Kur fëmija është gjashtë vjeç, ai mund të dëgjojë një tregim që zgjat pesëmbëdhjetë minuta. Ai është i interesuar më tepër në tregime imagjinare dhe në fantazi. Në këtë fazë rekomandoj shumë tregime komike, sepse kjo e lumturon shpirtin e njeriut. Kur fëmija të ndihet i magjepsur, nervat e tij qetësohen dhe ai ndihet mirë- njohës ndaj personit që u ka rrëfyer tregime mahnitëse. Kjo do të bëjë që fëmija të lidhet më tepër me dëgjimin e tregimeve të ndryshme.
“Një ndryshim i rëndësishëm në këtë moshë është se fëmija fillon të bëjë dallime midis ngjarjeve imagjinare nga ato të vërteta.”
Siç e dimë, fëmija tre ose katër vjeçar trillon shumë tregime dhe incidente, duke besuar se çfarëdo që mendja e tij imagjinon është faktike. Nga kjo, mund të themi se mosha gjashtë vjeçare është një moshë shumë e përshtatshme për të filluar të mbillet në mendjen e fëmijës virtyti i thënies së të vërtetës, duke e mbajtur përgjegjës për gënjeshtrën dhe duke i sqaruar të metat e saj. Ngjashëm, është mirë që në këtë moshë nëna të përfshijë në tregimet e saj parimet e besimit dhe Njëshmërisë së Zotit. Ajo duhet ta bëjë fëmijën të vërejë mëshirën dhe begatitë e Allahut për njerëzit, se Ai është Krijuesi dhe Furnizuesi të Cilin duhet ta lartësojmë dhe ta duam, të Cilit i kërkojmë ndihmë, i falemi dhe i bindemi. Megjithatë, tërë kjo duhet ti përcillet me një tonë dhe mënyrë spontane, pa i lënë fëmijës përshtypjen se ajo është një ligjëratë dhe pa futur frikë në zemrën e tij.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Dr. Abdulkerim Bekkar, ”Fëmija lexon”