Në thelb të sistemit arsimor qëndron vlerësimi i drejtë dhe me kohë i nxënësve. Njoftimi i rregullt i prindërve për suksesin ose vështirësitë e fëmijëve të tyre është praktikë që forcon lidhjen shkollë-familje dhe ndihmon në përmirësimin e vazhdueshëm të nxënësve. Megjithatë, kohëve të fundit, jemi duke u përballur me një dukuri shqetësuese që po dëmton jo vetëm cilësinë e arsimit, por edhe disiplinën në shkollat tona: falja e notave dhe kalimi automatik i klasës, pavarësisht numrit të lartë të dështimeve gjatë vitit.
Nxënës që gjatë vitit kanë grumbulluar deri në tetë nota negative, në fund kalojnë klasën përmes një procesi të “faljes”. Kjo praktikë, edhe pse shpesh arsyetohet si humane, në fakt e ul seriozitetin e vlerësimit dhe krijon pasoja të rënda në sjelljen dhe qëndrimin e nxënësve ndaj mësimit.
Në klasat 6, 7 dhe 8, ku nuk ka përsëritje të klasës, nxënësit shumë shpejt kuptojnë se nota e dobët nuk bart pasoja reale. Pyetja që ata e bëjnë me të drejtë është: “Pse të mësoj në klasën 9, kur kalova 6, 7 dhe 8 pa mësuar?” Kjo logjikë e dëmshme krijon një mjedis shkollor ku:
Disiplina bie ndjeshëm, pasi mungon motivimi për të mësuar dhe për të respektuar rregullat.
Mësimdhënësit ndihen të pavlerësuar dhe të pamundur për të mbajtur standardet e notimit.
Nxënësit e përkushtuar demotivohen kur shohin që përpjekjet e tyre barazohen me ata që nuk punojnë fare.
Ky fenomen është duke na larguar nga misioni i vërtetë i shkollës: të edukojë, të formojë dhe të përgatisë qytetarë të përgjegjshëm dhe të aftë për jetën. Kalimi i klasës duhet të jetë i merituar, jo i dhuruar. Nëse vazhdojmë me këtë praktikë, po krijojmë breza që nuk e kuptojnë vlerën e punës dhe përkushtimit.
Për fat të keq, edhe ne mësimdhënësit në disa raste kemi lejuar që kjo dukuri të marrë hov. Duke heshtur ose duke u pajtuar me vendime që shkelin standardet tona profesionale, edhe ne kemi kontribuar në rënien e disiplinës dhe vlerës së notës. Është koha që si trupë arsimore të reflektojmë dhe të kërkojmë rikthimin e seriozitetit në vlerësim.
Për të rikthyer seriozitetin dhe disiplinën në shkollat tona, nevojiten disa masa urgjente:
Të ndalet praktika e “faljes” së notave pa baza reale.
Të forcohet komunikimi i vazhdueshëm me prindërit për çdo dështim të nxënësit.
Të krijohen mundësi për ndihmë dhe përmirësim gjatë vitit, jo vetëm në fund.
Të rivendoset përsëritja e klasës si mjet edukativ në rastet e dështimit të vazhdueshëm.
Të angazhohemi të gjithë, pa kompromis, për ta mbrojtur dinjitetin e profesionit tonë dhe të ardhmen e nxënësve tanë.
Vetëm kështu mund të rikthejmë autoritetin e shkollës, dinjitetin e mësimdhënësit dhe përkushtimin e nxënësit ndaj mësimit dhe disiplinës.
Fatmir Selimi