Tiroidja ka nevojë për jod që të funksionojë siç duhet. Nëse nuk merrni mjaftueshëm jod, rrezikoni të vuani nga hipotiroidizmi ose struma (gjëndër tiroide që zmadhohet për të kompensuar mungesën e hormoneve tiroide, sipas Medline Plus). Shumica e njerëzve nuk e kanë problem të marrin jod të mjaftueshëm, pasi kripa e tryezës është e jodizuar – por nëse jeni në një dietë me pak natrium ose ndiqni një dietë vegane, atëherë mund t’ju duhet të rrisni marrjen e jodit nga burime të tjera.
Shumë lloje të algave të detit janë me jod, por sasia mund të ndryshojë jashtëzakonisht, tha për Health Mira Ilic, RD, një dietologe e regjistruar në Klinikën Cleveland. Sipas NIH (Instituti Kombëtar i Shëndetësisë), sasia e jodit në lloje të ndryshme të algave të detit ndryshon në mënyrë të konsiderueshme. Për shembull, algat e detit të disponueshme në treg në formë të plotë ose fletësh kanë përqendrime të jodit që variojnë nga 16 mcg/g deri në 2,984 mcg/g (shtimi i rekomanduar dietik për një person është 150 mcg).
Por, kujdes! Shumë jod mund të jetë po aq i dëmshëm për tiroiden tuaj sa edhe pak, duke shkaktuar (ose përkeqësuar) hipotiroidizmin.
Cilat janë disa nga ushqimet e shëndetshme për tiroiden?
1. Kos
Në veçanti, produktet e qumështit përmbajnë mesatarisht 85 mcg jod për filxhan.
Megjithatë, sasia e jodit në produktet e qumështit ndryshon.
Kosi i thjeshtë, me pak yndyrë ose kosi grek është një burim i mirë dhe mund të përbëjë rreth 50% të konsumit tuaj ditor të jodit.
2. Arra braziliane
Sipas NIH, arrat braziliane përmbajnë një tjetër lëndë ushqyese që ndihmon në rregullimin e hormoneve të tiroides: selen. Seleni mund të ndihmojë në parandalimin e dëmtimit afatgjatë të tiroides tek njerëzit me probleme të lidhura me tiroiden si sëmundja Hashimoto dhe Graves.
Vetëm një bërthamë përmban midis 68-91 mikrogramë. Meqenëse kufiri maksimal i selenit është 400 mikrogramë në ditë, mos e teproni. Shumë selen mund të shkaktojë rënie të flokëve, zbardhjen e thonjve, madje edhe problem të zemrës.
3. Qumësht
Qumështi dhe produktet e tij janë ndër burimet më të mira të jodit, sipas NIH. Megjithatë, pijet me bazë bimore të përdorura si zëvendësues të qumështit, të tilla si pijet e sojës dhe bajameve, përmbajnë sasi relativisht të vogla të jodit.
Pirja e 1 filxhani qumësht me pak yndyrë do të plotësojë rreth një të tretën e nevojave tuaja ditore për jod.
4. Mish pule dhe viçi
Zinku është një tjetër lëndë ushqyese kryesore për tiroiden tuaj. Marrja e pakët e zinkut mund të çojë në hipotiroidizëm. Nëse zhvilloni hipotiroidizëm, mund të keni edhe mungesë zinku pasi hormonet tuaja tiroide ndihmojnë në absorbimin e mineralit. Dhe kur kjo të ndodhë, mund të përjetoni efekte anësore si alopecia e rëndë, një gjendje autoimune që sulmon folikulat e flokëve dhe i bën ato të bien.
5. Peshku
Peshqit janë një tjetër burim i mirë i jodit. Një porcion prej 3 ons me merluc të pjekur përmban rreth 158 mikrogramë jod (mjaftueshëm për të plotësuar nevojat tuaja ditore), thotë NIH.
6. Butakët
Si rregull i përgjithshëm, butakët si karavidhe dhe karkalecat janë burime të mira të jodit. Vetëm 4 ose 5 karkaleca përmbajnë afërsisht 10% të sasisë së rekomanduar, sipas NIH.
Butakët gjithashtu mund të jenë një burim i mirë i zinkut.
7. Vezë
Një vezë e madhe përmban rreth 16% të jodit ditor – dhe 20% të selenit ditor që ju nevojitet, duke i bërë vezët një superushqim për tiroidet.
8. Manaferrat
Dieta më e mirë për tiroiden tuaj kërkon më shumë sesa jod, selen dhe vitaminë D. Ushqimet e pasura me antioksidantë (substanca që gjenden në ushqime të caktuara që ndihmojnë në luftimin e dëmtimit të qelizave) janë gjithashtu të mira për tiroiden tuaj. Sipas një studimi të vitit 2022 në Biomedicine & Farmacotherapy, antioksidantët mund të ndihmojnë në menaxhimin e mosfunksionimit të tiroides.
Manaferrat e të gjitha llojeve janë të pasura me antioksidantë, sipas Johns Hopkins Medicine, ku “më të mirat” janë mjedrat e zeza. Mjedrat ofrojnë nivele shumë të larta antioksidante, fibra dhe relativisht pak sheqer natyral.
Disa ushqime përgjithësisht nuk rekomandohen për shëndetin e tiroides.
- Gluteni
- Ushqimet e përpunuara
- Ushqimi i shpejtë
Disa ushqime ndihmojnë shëndetin e tiroides. Për shembull, ushqimet me përmbajtje të lartë jodi – duke përfshirë algat e detit, arrat braziliane, peshkun dhe vezët – ndihmojnë në funksionimin efektiv të tiroides. Manaferrat dhe perimet krucifere gjithashtu ndihmojnë tiroiden. Ushqimet e përpunuara dhe të shpejta nuk rekomandohen.
Kontaktoni një ofrues të kujdesit shëndetësor nëse dëshironi të mësoni më shumë se si të forconi shëndetin e tiroides tuaj dhe gjithmonë konsultohuni me të përpara se të përdorni suplemente./Health.com
Përktheu: Griselda Ozuni