UDHËZIM ADMINISTRATIV: nr. 01/2023 ZGJEDHJA, THEMELIMI DHE FUNKSIONIMI I KËSHILLIT TË PRINDËRVE
Republika e Kosovës
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit
UDHËZIM ADMINISTRATIV: nr. 01/2023 ZGJEDHJA, THEMELIMI DHE FUNKSIONIMI I KËSHILLIT TË PRINDËRVE
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, në mbështetje të nenit 16 paragrafi 3 dhe nenit 19 paragrafi 2 të ligjit për arsimin para-universitar (Gazeta zyrtare nr. 17 / 16 shtator 2011), nenit 8 paragrafi 1 nënparagrafi 1.4, shtojca I paragrafi 7 i Rregullores (QRK) nr. 02/2021 për fushat e përgjegjësisë administrative të Zyrës se Kryeministrit dhe Ministrive të datës 30. 03. 2021, udhëzimit administrativ nr. 03/2013 për standardet e hartimit të akteve normative (GZ, nr. 03/2013, dt. 16.05.2013), nxjerr:
UDHËZIM ADMINISTRATIV
(MASHTI) ZGJEDHJA, THEMELIMI DHE FUNKSIONIMI I KËSHILLIT TË PRINDËRVE
Neni 1
Qëllimi
Ky udhëzim administrativ rregullon zgjedhjen, rolin, detyrat dhe përgjegjësitë, themelimin dhe funksionimin e Këshillit të Prindërve të Kosovës, Këshillit të Prindërve në nivel të Komunës dhe Këshillit të Prindërve të Shkollës.
Neni 2
Përkufizimet
- Ministria- Ministria përkatëse për Arsim.
- DKA- Drejtoria Komunale e Arsimit.
- KPK- Këshilli i Prindërve të Kosovës.
- KPNK- Këshilli i Prindërve në Nivel të Komunës.
- KPSH- Këshilli i Prindërve të Shkollës.
- Shkollë – Çdo institucion edukativo- arsimor dhe aftësues që ofron shërbime arsimore në nivelet 0,1,2 dhe 3 të ISCED.
Neni 3
Themelimi
- Ministria themelon Këshillin e Prindërve të Kosovës.
- DKA themelon Këshillin e Prindërve në nivel të Komunës.
- Shkolla themelon Këshillin e Prindërve të Shkollës.
Neni 4
Detyrat dhe përgjegjësitë
- Këshilli i Prindërve të Kosovës:
1.1. Përfaqëson prindërit dhe i përcjell mendimet e tyre në ministri për të gjitha çështjet e arsimit parauniversitar në Kosovë;
1.2. Është mekanizëm i komunikimit dhe i këshillimit ndërmjet ministrisë dhe prindërve në nivel vendi;
1.3. Harton dhe zbaton planin vjetor të punës;
1.4. Dy herë në vit raporton për aktivitetet e veta në ministri;
1.5. Identifikon dhe rekomandon çështjet të cilat ndikojnë në përmirësimin e cilësisë në arsimin parauniversitar në nivel vendi;
1.6. Propozon aktivitete për përmirësimin e ambientit shkollor;
1.7. Bashkëpunon me Këshillin e Prindërve në nivel të Komunës;
1.8. Promovon aktivitete të rëndësishme në nivelin lokal për nxënësit;
1.9. Inicion dhe realizon projekte brenda funksionit, në koordinim me institucionet;
1.10. Raporton dhe ruan dosjet e projekteve të realizuara në institucionet përkatëse:
1.11. Nxjerr rregullore për punën dhe aktivitetin e saj.
- Këshilli i Prindërve në nivel të Komunës:
2.1. Përfaqëson prindërit dhe interesat e nxënësve në institucionet e arsimit paraunivesitar në nivel komune;
2.2. Komunikon dhe bashkëpunon me Këshillin e prindërve në nivel shkolle dhe vendi
2.3. Harton dhe zbaton planin vjetor të punës në harmoni me planin vjetor të KPK;
2.4. Promovon aktivitete të rëndësishme për fushën e arsimit për shkollat;
2.5. Nxjerr rregullore për punën dhe aktivitetin e saj.
- Këshilli i Prindërve të Shkollës:
3.1. Përfaqëson prindërit dhe interesat e nxënësve në nivel shkolle;
3.2. Bashkëpunon në të mirë të përmirësimit të cilësisë në mësimdhënie dhe mësimnxënie;
3.3. Ndihmon në krijimin e shkollave mike për fëmijë dhe më atraktive për mësimdhënie dhe mësimnxënie;
3.4. Gjen përkrahje për realizimin e projekteve të caktuara brenda funksionit;
3.5. Delegon prindërit në organet e shkollës;
3.6. Nxjerr rregullore për punën dhe aktivitetin e saj.
- Prindi:
4.1. Komunikon në mënyrë aktive dhe të vazhdueshme me shkollën;
4.2. Prindi është pjesë integrale në procesin edukativo-arsimor;
4.3. Informohet rreth aktiviteteve të klasës dhe për çështje që kanë të bëjnë me cilësinë e mësimdhënies dhe mësimnxënies;
4.4. Prindërit delegojnë përfaqësuesit e tyre të cilët zgjidhen me votë të fshehtë në Këshillin drejtues të shkollës.
Neni 5
Komunikimi dhe raportimi
- Anëtarët e Këshillit të Prindërve të Kosovës, për punën e tyre, i raportojnë ministrisë dhe bazës deleguese nga niveli komunal;
- Anëtarët e Këshillit të Prindërve të Komunës, i raportojnë Drejtorisë komunale të arsimit dhe bazës së tyre deleguese në nivel shkolle;
- Anëtarët e Këshillit të Prindërve të Shkollës, i raportojnë bazës deleguese.
Neni 6
Përfaqësimi në Këshillin e Prindërve
- Kandidimi u mundësohet (të gjitha palëve të cilët marrin pjesë në themelimin e Këshillit të Prindërve të Kosovës, Këshilli i Prindërve në nivel të Komunës dhe Këshilli i Prindërve të Shkollës;
- Anëtar i Këshillit, mund të jetë çdo prind ose kujdestar ligjor që ka fëmijë në shkollë, pa diskriminim në bazë të kombësisë apo lidhjes me ndonjë komunitet, origjinës sociale apo kombëtare, racës, etnisë, ngjyrës, lindjes, origjinës, seksit, gjinisë, identitetit gjinor, orientimit seksual, gjuhës, shtetësisë, besimit fetar dhe besimit, përkatësisë politike, mendimit politik apo mendimeve të tjera, gjendjes sociale ose personale, moshës, gjendjes familjare ose martesore, shtatzënisë, lehonisë, gjendjes pasurore, gjendjes shëndetësore, aftësisë së kufizuar, trashëgimisë gjenetike ose ndonjë baze tjetër.
- Anëtar i Këshillit të Prindërve nuk mund të jetë personi i dënuar me burgim me vendim të formës së prerë sipas Kodit penal të Republikës së Kosovës.
- Anëtar i Këshillit të Prindërve nuk mund të jenë personat aktiv në struktura udhëheqëse në subjekte politike apo lista zgjedhore të partive politike në tri vitet e fundit.
- Anëtar i Këshillit të Prindërve në nivel qendror dhe komunal nuk mund të jenë prindërit mësimdhënës ose udhëheqës të shkollës.
- Anëtar i Këshillit të Prindërve në nivel shkolle nuk mund të jetë mësimdhënësi ose udhëheqësi i shkollës përkatëse.
Neni 7
Organizimi i zgjedhjeve të Këshillit
- Zgjedhjet organizohen gjatë muajit maj ose në fillim të muajit shtator.
1.1. Përjashtim nga paragrafi 1 i këtij neni, zgjedhjet e parakohshme mund të organizohen edhe në njërin nga muajt e tjerë të vitit.
- Drejtori i shkollës nuk është anëtar i Këshillit të Prindërve të shkollës, nuk ka të drejtë vote, por merr pjesë në mbledhje dhe bashkëpunon për çështje me interes për shkollën.
- Drejtori i shkollës është përgjegjës për mbikëqyrjen e procesit të zgjedhjeve të Këshillit të prindërve të shkollës.
- DKA është përgjegjëse për mbështetjen në organizimin dhe mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve të Këshillit të Prindërve në nivel komune.
- Ministria përmes departamentit të arsimit parauniversitar mbështet mbarëvajtjen e procesit të zgjedhjeve të Këshillit të Prindërve të Kosovës.
- Gjatë procesit të zgjedhjeve në të tri nivelet e Këshillit të Prindërve mbahet procesverbal.
- Pas përfundimit të procesit zgjedhor dhe bazuar në procesverbalin nga procesi zgjedhor në të tri nivelet, nxirret vendimi i për themelim të Këshillit të Prindërve.
Neni 8
Procedura e zgjedhjes dhe përbërja e Këshillit të Prindërve të Shkollës
- Këshilli i prindërve të shkollës, zgjidhet me sistem të delegimit duke filluar nga paralelet e së cilës klasë.
- Secila paralele e çdo klase zgjedhë kryesinë e paraleles në përbërje:
2.1. Kryetari;
2.2. Nënkryetari;
2.3. Sekretari.
- Mbledhjen e prindërve të paraleles e thërret mësuesi ose kujdestari i klasës.
- Secili institucion edukativo-arsimor dhe secila klasë nga zero deri në klasën e dymbëdhjetë zgjedhë me votë të fshehtë përfaqësuesin e paraleleve për përfaqësim në Këshillin e prindërve të shkollës.
- Mbledhjen e prindërve të klasave e thërret drejtori i shkollës;
- Anëtarët e këshillit të prindërve të shkollës, zgjedhin kryesinë e këshillit të prindërve sipas niveleve varësisht nga numri i klasave që ka shkolla, me këtë përbërje:
6.1. Për nivelin parashkollor 0-6 kryesia përbëhet nga:
6.1.1. Kryetari;
6.1.2. Nënkryetari;
6.1.3. Sekretari.
6.2. Për nivelin fillor dhe të mesëm të ulët kryesia përbëhet nga:
6.2.1. Kryetari:
6.2.2. Nënkryetari për nivelin fillor:
6.2.3. Nënkryetari për nivelin e mesëm të ulët;
6.2.4. Sekretari.
6.3. Për nivelin e mesëm të lartë kryesia përbëhet nga:
6.3.1. Kryetari;
6.3.2. Nënkryetari;
6.3.3. Sekretari.
- Mbledhjen e prindërve të klasave e thërret drejtori i shkollës.
- Anëtarët e Këshillit të Prindërve të shkollës, zgjidhen me votë të fshehtë .
- Këshilli i Prindërve të Shkollës, zgjedh përfaqësuesit të deleguar nga prindërit për përfaqësim në Këshillin drejtues të shkollës.
- Kryetari i Këshillit të Prindërve të shkollës, përfaqëson shkollën në Këshillin e prindërve të komunës në nivel komunal.
Neni 9
Procedura e zgjedhjes dhe përbërja e Këshillit të Prindërve të Komunës
- Këshilli i prindërve të komunës përbëhet nga kryetari i këshillit të prindërve të secilës shkollë.
- Kryesia e këshillit të prindërve përbëhet nga 7 anëtarë.
- Kryesia e këshillit (të prindërve të komunës zgjidhet me vota të fshehta nga anëtarët e këshillit.
- Kryesinë e përbëjnë:
4.1. Kryetari;
4.2. Dy nënkryetarë;
4.3. Sekretari dhe anëtarët e kryesisë.
- Kryesia siguron përfaqësim gjinor në përbërjee të saj.
- Kuorumi i mbledhjes së Këshillit të Prindërve (të Komunës arrihet me prezencë të mbi 50% të anëtarëve të këshillit.
- Kryetari, nënkryetarët, sekretari dhe anëtarët e tjerë të kryesisë do të zgjidhen sipas numrit të votave të fshehta të fituara.
- Kryetari i këshillit të prindërve të komunës, përfaqëson komunën në Këshillin e prindërve të Kosovës.
Neni 10
Procedura e zgjedhjes dhe përbërja e Këshillit të Prindërve të Kosovës
- Këshilli i prindërve të Kosovës përbëhet nga kryetari i këshillit të prindërve të secilës komunë.
- Kryesia e Këshillit të prindërve të Kosovës përbëhet nga 9 anëtarë përfshirë edhe komunitetet jo shumicë.
- Kryesia Këshillit të prindërve të Kosovës zgjidhet me vota të fshehta nga anëtarët e këshillit.
- Kryesinë e përbëjnë:
4.1. Kryetari;
4.2. Dy nënkryetarë;
4.3. Sekretari dhe anëtarët e kryesisë.
- Kryesia siguron përfaqësim gjinor në përbërje të saj.
- Kuorumi i mbledhjes së Këshillit të Prindërve të Komunës, arrihet me prczencë të mbi 50% të anëtarëve të Këshillit.
- Kryetari, nënkryetarët, sekretari dhe anëtarët e tjerë të kryesisë, do të zgjidhen sipas numrit të votave të fituara.
- Kryetari i Këshillit të prindërvc të komunës, përfaqëson komunën në Këshillin e prindërve të Kosovës.
Neni 11
Mandati i përfaqësuesve
- Mandati i përfaqësuesve në Këshillin e Prindërve të Kosovës, Këshillin e Prindërve të Komunës dhe Këshillin e Prindërve të Shkollës, zgjat 4 vjet.
- Nëse ndryshon përbërja e këshillit më shumë se 50% zhvillohet proces zgjedhor i parakohshëm për kryesinë e Këshillit.
- Kryetari i KPK, KPK, KPSH-së, nuk mund të zgjedhet më shumë se dy mandate.
- Nëse kryetari i këshillit të prindërve delegohet në njërën nga strukturat përfaqësuese, nënkryetari i parë me automatizëm merr pozitën e kryetarit.
Neni 12
Shkarkimi dhe pushimi i mandatit
- Anëtari i Këshillit të Prindërve mund të shkarkohet me shumicën e votave të anëtarëve të këshillit.
- Anëtari i Këshillit shkarkohet në rast se:
2.1. Nuk i përmbush detyrat dhe përgjegjësitë;
2.2. Mungon me shumë se dy herë radhazi pa arsye në mbledhjet e këshillit;
2.3. Bie ndesh me ligjin sipas nenit 6 paragrafi 3.
- Anëtarit të Këshillit, i pushon mandati në rast se:
3.1. Fëmijës së tij/saj i përfundon statusi i nxënësit në shkollën përkatëse;
3.2. Jep dorëheqje.
Neni 13
Buxheti
- Ministria siguron buxhetin vjetor për mbështetjen logjistike që mundësojnë punën efektive të Këshillit të Prindërve të Kosovës.
- Komuna siguron mbështetje logjistike dhe mund të ndajë buxhet për punën efektive të Këshillit të Prindërve të Komunës.
- Shkolla siguron mbështetje logjistike për realizimin e aktiviteteve të Këshillit të Prindërve të Shkollës.