Nëse ju jeni rritur duke mos pasur aprovim për përjetimin e ndjenjave të papërshtatshme, ka shumë gjasa që të riktheni të njëjtin model te fëmija juaj. Por, ajo që do t’ju ndalonte që të përsërisnit të njëjtin gabim, është që të ktheheni pas në kohë dhe të kujtoni se sa keq ju bënte të ndiheshit fakti që ishit të mërzitur. Veproni njësoj si Kejti. Trishtimi është pjesë e jetës.
Por nëse “ndalimi i ndjenjave të pakëndshme” jeton ende brenda jush, edhe pse i rritur, ju mund ta gjeni veten duke u justifikuar se përse qani, ndonëse mund t’ju ketë ndodhur diçka jashtëzakonisht e pakëndshme.
Nëse edhe juve, sikurse i kishte ndodhur Kejtit, ju është mo- huar nga prindërit shprehja e ndjenjave, atëherë do të jetë më e vështirë për ju të pranoni ndjenjat e fëmijës suaj dhe do të prireni t’u kërkoni atyre që të mos i shprehin ato.
Ta ndryshoni këtë metodë dhe të filloni t’i pranoni ndjenjat e fëmijës suaj, do t’ju duket sikur do të kapërceni në një terren të panjohur, dhe në të vërtetë ashtu është: ju jeni duke këputur lidhjet me zinxhirët emocionalë stërgjyshorë. Por, mbani mend: gjithashtu, jeni duke hedhur themelet e një shëndeti të mirë mendor për fëmijën tuaj. Gabimet, si edhe shpërfillja apo ekzagjerimi ndaj ndjenjave të fëmijës, veçanërisht kur ato përgjithësisht korrigjohen, nuk e shka- tërrojnë përgjithmonë një fëmijë.
Duke gjetur harmoninë me emocionet tuaja personale, sado të forta qofshin ato, do të zbuloni çelësin për të qenë i aftë që të mbështesni dhe të qetësoni fëmijën tuaj. Nëse ju i trajtoni si të parëndësishme ndjenjat tuaja personale, nuk do të jeni në gjendje të shndërroheni në një “enë” të përshtatshme për emocionet e fëmijës suaj. Nëse ju bëheni histerikë, nuk do të jeni të aftë as të qetësoni ndjenjat tuaja, për të mos folur pastaj për ndjenjat e fëmijës suaj.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Philippa Perry, “Libri që do të dëshironit të lexonin prindërit tuaj”