Ji i kënaqur kur t’i lexosh fëmijës
Kur fëmija yt të kërkon t’i lexosh një tregim ose nga një libër dhe ti vendos t’i përgjigjesh kërkesës së tij, sigurohu se atë e bën me një ndjejë të kënaqësisë dhe me një shpirt të ndritur, ji i sigurt se po e bën atë me gatishmëri.
“Nëse ndjen se nuk je i gatshëm ta bësh atë, kërkoji falje fëmijës dhe caktoje një kohë tjetër, thuaj brenda pesë minutash ose gjashtë orëve, mirëpo mos harro kohën e caktuar.”
Mund t’i thuash bashkëshortes ose të birit apo të bijës më të madhe ta bëj këtë. Këtë e them, sepse ndjenja e mërzitjes ose plogështisë kur ti lexosh fëmijës do ta bëjë të lexuarit jointeresant dhe ia humb vlerën. Kjo gjithashtu mund t’i jep idenë se të lexuarit është i parëndësishëm.
Të rinjtë nuk pëlqejnë t’u mbahen ligjërata
Për hir të korrektësisë duhet të pranojmë se as të rinjtë e as të rriturit nuk pëlqejnë t’u mbahen ligjërata. Predikimi vërtet jep një sinjal negativ te personi, të cilit i predikojmë. Ai i ndien dy mesazhe shqetësuese: se atij i predikohet për shkak se ka të meta në një çështje të caktuar dhe tjetra është se predikuesi është më superior se ai dhe nuk e ka të metën për të cilën po i predikon. Nga kjo nxjerrim se është e domosdoshme që të japin mesazhin tërthorazi, në mënyrë të qetë dhe modeste.
Një i ri tregon përvojën e tij: “Kur isha shtatë vjeçar, isha i begatuar me thesarin e tregimeve të bukura të nënës sime, mirëpo pastaj nëna ime u angazhua me fëmijën tjetër që i lindi, vëllanë tim të porsalindur. Babai e mori përsipër leximin e librave për mua. Në të vërtetë, ai m’i bënte gjërat tërheqëse dhe të qarta. Mirëpo pas çdo tregimi, ai më bënte test për çdo tregim që më rrëfente.
Ai kurrë nuk harronte të më thoshte: “Tani të dëgjojmë se si e përmbledh tregimin që sapo e dëgjove!” Një herë mendjen e kisha te vizita që dëshiroja ti bëja tezes, pasi djali i tezës e kishte blerë një lojë elektronike të re. Nuk po i kushtoja vëmendje dhe në përmbledhjen time isha shumë i dobët. Babai më qortoi për atë dhe pastaj më tha: “Herën tjetër, duhet të dëgjosh me vëmendje atë që e lexoj. Përndryshe nuk do t’ju lexoj në të ardhmen.”
Një vit ose dy vjet më vonë, babai më tha: “Lexoje këtë tregim dhe eja pasi ta mbarosh.” Shkova ta takoja pas perëndimit të diellit, por u befasova kur më pyeti: “Çka mësojmë nga ky tregim?” Ishte një goditje për mua, sepse tregimi nuk ishte tërheqës, ndoshta nuk ishte për nivelin tim. Vërtet nuk mund ta kuptoja, e lëre më të nxirrja mësime dhe urtësi prej tij. Mirëpo, babai më qortoi dhe më tha: “Ti këtë po e merr joseriozisht. E sheh Ahmedin, edhe pse është më i vogël se ti ka më tepër interesim në lexim.”
I riu shtoi: “Prej asaj dite lidhja ime me librin u përkeqësua, sepse sa herë që e hapja librin, kujtoja se si më kishte qortuar babai. Thosha me vete: ‘Mjafton suksesi im në shkollë. Nuk është babai im, por janë mësuesit të cilët vlerësojnë aftësitë e mia në lexim, pyetjet e tyre janë më të lehta dhe ata nuk më qortojnë.”
Tri metodat më efektive dhe më të dashura janë magjepsja, tërheqja e interesimit dhe sugjerimi. Për këtë arsye shohim se shumica e fëmijëve janë të tërhequr nga tregimet e përkthyera, të cilat kanë ilustrime me ngjyra të ndritshme dhe të cilat nuk e mërzisin lexuesin me shumë këshilla dhe predikim.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Dr. Abdulkerim Bekkar, ”Fëmija lexon”