Të mos jenë më poshtë se të shkëlqyeshëm
Këtë duhet ta mbajë në mend çdo baba dhe nënë dhe duhet ta ngulisim në mendjet e të gjithë fëmijëve. Koha për të zakonshmen ka shkuar, të paktën në shumë vende. Gara do të jetë e nxehtë dhe më e nxehtë në të ardhmen. Burimet po zvogëlohen çdo ditë, dhe mbijetesa do të jetë vetëm për më të shpejtin, më të mirin dhe më të përgatiturin. Shumë adoleshentë besojnë se mund t’ia dalin të kalojnë pushimet e verës duke fjetur shumë dhe duke mos bërë asgjë. Shumë prej tyre mendojnë se kanë zgjidhjen të jenë të suksesshëm në studime ose të jenë të dobët. Disa thjesht thonë se urrejnë librat dhe leximin. Një adoleshent mund të supozojë se është i lirë të zgjedhë për të arritur atë që është e zakonshme dhe disa thonë: “Unë jam lindur i këtillë, dhe asnjë përpjekje e imja ose e juaja nuk do të më ndryshojë!” Mirëpo, kjo thjesht nuk është e vërtetë.
Është e pritur që babai ta drejtojë të birin e tij në atë që është e mirë ta bëjë dhe ta shtyjë që të bindet. Gjithashtu duhet të jetë e qartë se dëshirat e njerëzve mund të kontrollohen dhe të mani pulohen nëpërmjet trajnimit. Çdonjëri prej nesh mund të bëjë shumë për t’i ndryshuar shprehitë dhe dëshirat dhe mund të përfitojë shprehi më të dobishme. Mund të shohim se shumica e fëmijëve, të cilët janë rritur në familje të arsimuara e duan shkollimin dhe punojnë për të arritur kualifikime më të larta. Në anën tjetër, mund të shohim se si në shumicën e familjeve të paarsimuara fëmijët nuk kanë shumë motiv për të studiuar ose mbaruar shkollimin e tyre. Është detyrë e prindërve të këmbëngulin që fëmijët e tyre të jenë të shkëlqyeshëm në studimet e tyre. Për të arritur këtë, të ndiqen këshillat vijuese:
– Përpiqu të regjistrosh fëmijën në një shkollë të mirë. Një shkollë e mirë është ajo që kujdeset për etikë të lartë dhe arsimimin e merr seriozisht. Kjo do të thotë se nxënësi e gjen veten mjaft të angazhuar në mësime dhe mëson praktikisht se për të marrë nota të mira duhet punë e zellshme.
Mbaje të birin larg nxënësve përtacë dhe të pakujdesshëm dhe nga ata që ia vënë syrin trashëgimit të profesionit të babait. Këtë e them sepse shokët kanë jo pak ndikim në uljen e interesimit për mësim te adoleshentët.
Të jesh i shkëlqyeshëm është ngushtë e lidhur me punën e zellshme dhe përqendrimin. Është me rëndësi të zbulohet fusha që e tërheq të birin të bijën, në të cilën ata mund të arrijnë sukses. Nëse e zgjedhim atë fushë, mundësia do të jetë më e madhe që ata do të studiojnë dhe do të jenë më të koncentruar. Nuk ka dyshim se notat e fëmijëve tanë së bashku me opinionin e mësuesve do të jenë ndihmesë e madhe në përcaktimin e fushës së interesit të tyre.
Për shkak se gjërat po ngushtohen dita-ditës, është e nevojshme që sa më herët të bëjmë atë që është e kërkuar nga ne: “Hapi i parë në planifikimin për fëmijët është të kemi një shumë të caktuar parash të depozituara për atë qëllim dhe këtë shumë ta depozitojmë në një llogari të veçantë.”
Disa familje e kanë përdorur këtë praktikë dhe e kanë gjetur shumë të dobishme. Një pikë tjetër është se për të qenë i shkël- qyeshëm nevojitet të ndiqen kurse të caktuara shkencore, udhëtime jashtë vendi dhe gjëra të tjera të këtij lloji. Ne duhet të jemi bujarë në mbështetjen e fëmijëve tanë. Çfarëdo që shpenzojnë për Allahun, do të na kthehet. Për më tepër, ky është investimi më i frytshëm.
Sigurohu që gjithmonë të hapësh me të birin tema për të ardhmen. Bisedo me të për nevojën e Umetit musliman për burra të jashtëzakonshëm dhe për dijetarë të aftë; lexo me ta tregime për burrat e mëdhenj të këtij Umeti dhe për të tjerë nga kombet e tjera. Bisedo me ta për moralin dhe edukatën e tyre dhe për këmbënguljen e tyre në rrugën drejt qëllimeve të mëdha. Nëse ke mundësi, lëre t’ju shoqëroj gjatë vizitave te disa njerëz të mëdhenj, sepse kjo do ta ndihmojë shumë. Ata që kanë përvoja do t’i çmojnë vizitat e tilla. Mund të thuhet shumë më tepër për të drejtuarit e adoleshentëve. Arsyeja e vetme që nuk po zgjerohem më tepër është që libri të jetë sa më i shkurtër. E lus Allahun të na udhëzojë në atë që është më e mirë.
Prinderimi.com
Prof. Dr. Abdul Kerim Bekkar, “Adoleshentët”
(Vështrime mbi adoleshentët, si t’i kuptojmë, si t’u qasemi dhe si të ndërveprojmë me ta)