Në një kohë kur shkolla dhe mësimi duhet të jenë shtylla kryesore për edukimin moral dhe intelektual të fëmijëve tanë, futja e përmbajtjeve të papërshtatshme dhe denigruese në tekstet shkollore është një shqetësim i thellë për të gjithë. Libri “Njeriu dhe natyra” për nxënësit e klasës së dytë në Kosovë, ka përmbajtje që cenon ndjeshmërinë e moshës dhe materiale denigruese për fëmijët e vegjël, njofton Prinderimi.com
Përfshirja e koncepteve delikate dhe nënkuptimeve të paarsyeshme si këto të paraqitura si më poshtë janë konsideruar shqetësuese nga Rrjeti i Prindërve të Kosovës.
Sistemi arsimor i Republikës së Kosovës po përballet me skandale të mëdha të njëpasnjëshme nga MASHTI. Libri “Njeriu dhe Natyra”, i publikuar nga shtëpia botuese Albas dhe i miratuar nga Ministria e Arsimit dikaster ky që udhëhiqet nga Arbërie Nagavci, përfshin ilustrime të detajuara të organeve përgjithësisht dhe ato gjenitale mashkullore e femërore që paraqiten në mënyre eksplicite dhe kërkohet të kategorizohen veprimet dhe karakteristikat e tyre.
Në faqet e librit dhe materialet shoqëruese, si ilustrimet e trupit të fëmijëve të vegjël me etiketime për organe të ndryshme trupore, përfshihen termat “organi gjenital mashkullor” dhe “organi gjenital femëror”. Këto ilustrime paraqiten në një mënyrë të hapur dhe eksplicite, duke mos marrë parasysh moshën e ndjeshme të fëmijëve të klasës së dytë, të cilët janë vetëm 7 ose 8 vjeç. Për më tepër, plani mësimor i kësaj lënde përfshin si qëllime “dallimin e pjesëve të trupit” dhe “përdorimin e fjalëve korrekte për pjesët e trupit dhe funksionet e tyre”, duke përfshirë edhe organe shumë të ndjeshme për këtë grupmoshë.
Edukimi seksual nuk duhet të shndërrohet në proces masiv e uniform, çdo fëmijë zhvillohet me ritme të ndryshe biologjike dhe psikologjike. Detyrë e familjes, në një mjedis privat të personalizuar është të vlerësojë moshën/pjekurinë e duhur të fëmijës për këto tema.
MASHTI në miratimin e këtij materiali, duket se ka dështuar të marrë parasysh ndjeshmërinë e moshës dhe etikën arsimore, duke drejtuar kështu mësimet klasore drejt humbjes së turpit, nxitjes/cytjes dhe humbjes së ndjeshmërisë për ruajtjen e trupit e pastërtisë shpirtërore.
Këto materiale nuk janë thjesht të papërshtatshme, por në vetvete janë denigruese për fëmijët e vegjël, pasi nuk respektojnë moralin dhe ndjeshmërinë e moshës së tyre. Edukimi rreth anatomisë trupore/seksualiteti duhet të ndodhin përmes njohjes së vlerave morale, paraprakisht me vetëdijesim rreth sigurisë trupore, respektimit të trupit e turpit, përgjegjësisë shpirtërore duke shmangur nxitjet për eksplorime të parakohshme/padëshiruara.
Kujtojmë faktet se brenda programeve të akredituara nga ofertuesit dhe aprovuar nga MASHTI gjendet edhe Doracakët e shumpërfolur së fundi, si dhe ”Seksualiteti” si modul i programit ”Aftësitë për jetën” (miratuar në 2019) & ”Edukata seksuale” (miratuar në 2021). Mësojmë faktin se këta ofertues janë të akredituar, kanë ofruar programet e tyre në mënyrë të hapur, me përmbajtje dhe metodologji.
Prinderimi.com
*Klikoni KËTU për t´u bërë pjesë e kanalit zyrtar të Rrjetit të Prindërve të Kosovës në Viber.