Sjellja destruktive
Agresiviteti mund të shfaqet në formën e sjelljes destruktive ku fëmija mund të shkatërrojë gjërat me qëllim, të thyejë enët dhe pjatat, të çrregullojë gjërat pasi i ka rregulluar e ëma, të mos merakoset nëse në tepih derdhet ujë ose ushqim, ai madje mund të shkojë edhe më larg duke e dëmtuar veten ose kafshën shtëpiake. Hasim në fëmijë që e godasin kokën për muri, dyshemeje ose për çdo gjë që u del në rrugë. Ky lloj i agresivitetit është i përhapur më së shumti sot.
Çka e shkakton agresivitetin te fëmijët? (Detaje shtesë)
1. Ashpërsia në raport me fëmijën, duke i lënë vetëm një liri të ngushtë, privimi i tij nga gjërat e dashura, në të gjitha këto raste në karakterin e fëmijës zhvillohet shpirti i hakmarrjes. Kur nuk mund t’u bëjnë asgjë atyre që besojnë se janë përgjegjës për lëndimet shpirtërore që u shkaktojnë, ose për gjërat prej të cilave i privojnë, ata e zbrazin zemërimin e tyre në vëllezër dhe motra më të reja, në shokët e shkollës ose në fëmijët e fqinjëve. Fëmija gjithashtu mund të dëmtojë veten ose të shkatërrojë gjërat përreth.
Nganjëherë fëmijët jetojnë në një shtëpi të vogël dhe pa kopsht. Meqenëse fëmijët nuk gjejnë hapësirë të lojës, ata bëhen agresivë. Kjo zakonisht do të gjendet më së shpeshti te fëmijët e varfër.
2. Një fëmijë që ndihet inferior do të përpiqet të kapërcejë atë ndjenjë duke u përpjekur të dëshmojë para atyre që janë përreth tij se ai mund të bëjë një sensacion dhe të tërheq vëmendje. Me këtë ai dëshiron të thotë: “Unë jam këtul Duhet të më llogarisni!”
Ndjenja e inferioritetit zë vend në shpirtin e fëmijës si rezultat i ndonjë hendikepi, i dështimit të vazhdueshëm në provimet e shkollës, ose nëse dikush nga familja, një mësues ose shok i shkollës i thotë se është budalla, përtac ose i shëmtuar. Atë që të rinjtë ose madje të miturit e dinë për vete është shumë e papërsosur dhe për këtë arsye ata shpesh janë të përgatitur të besojnë për atë që thuhet për ta.
3. Fëmija ka nevojë të shprehë nevojat dhe ndjenjat e tij sa më spontanisht dhe sa më lirshëm që është e mundur. Nëse kjo i mohohet, ai mund të dëmtojë dikë si shfryrje të asaj që i sillet në mendje. Metoda autokratike e familjes për rritjen e fëmijëve e pengon fëmijën të shprehë veten.
Në ato familje liria e veprimit për fëmijët është shumë e ngushtë dhe nuk ka vend për kritika. Në të gjitha këto raste fëmija nuk e gjen një mënyrë të përshtatshme për të shprehur veten. Ndoshta mësuesi ose shokët e klasës nuk e pëlqejnë mënyrën se si flet dhe e përqeshin ose mësuesi e ndalon të shprehet dhe kjo e bën të mbushet me negativitet.
4. Shpërfillja e familjes për agresivitetin e fëmijës, dështimi i tyre për të ndaluar një sjellje të tillë, është në fakt një përforcim i një sjelljeje të tillë. Për më tepër, disa familje në mënyrë të drejtpërdrejtë e inkurajojnë fëmijën të bëjë agresion ndaj të tjerëve për shkak të konceptit të gabuar të tyre të burrërisë dhe forcës. Kjo është një gjë e rëndomtë te familjet me një fëmijë ose me një djalë. Një rastin e fundit, fëmija mashkull lejohet, si pjesë e llastimit të tij dhe gëzimit që e kanë vetëm një djalë, të torturojë motrat e tij me të gjitha llojet e agresivitetit. Madje edhe jashtë shtëpisë hasim në baballarë, të cilët i inkurajojnë djemtë e tyre të bëjnë atë që e mendojnë se është e drejtë e tyre, madje edhe me shokët e shkollës.
Ata u thonë tërthorazi dhe direkt se është dobësi të pranohet një kompromis ose paqe ose të dërgohet rasti në administratën e shkollës. Sikur të veprojnë ashtu, dinjiteti i tyre do të cungohet. 5. Imitimi është një shkak kryesor i agresivitetit. Një fëmijë i cili rritet në një shtëpi ku babai sillet në mënyrë agresive ndaj nënës së fëmijës, ose vëllai sillet në mënyrë agresive ndaj motrës së tij, do të marrë këtë si normale dhe do të përvetësojë atë. Përveç kësaj, janë bërë shumë studime që tregojnë se shikimi i dhunës dhe terrorit në televizor e ngjallë te fëmija prirjen për sjellje të dhunshme.
Përgatiti: Prinderimi.com
Autor: Prof. Dr. Abdul Kerim Bekkar, “Problemet e fëmijëve”