Do të ishte fillim i mirë nëse do t’i konsideronim grindjet e dëmshme dhe të rrezikshme si një simptomë e të metave tona në kujdesin ndaj tyre. Kjo qasje do të na ndihmonte të shqyrtonin shumë prej metodave tona edukative dhe do të na ndihmonte në mësimin e metodave të reja edukative. Para se të jap një listë me sugjerime për masat që duhet t’i marrim në raport me grindjet e fëmijëve, do të them diçka të rëndësishme.
Nuk ia vlen të këmbëngulim që në mesin e fëmijëve tonë të ekzistojë një lloj specifik i marrëdhënieve. Ne vërtet duhet t’i lëmë ata ta zhvillojnë shprehinë e mbështetjes në vetveten, për aq sa është e mundur, në zgjidhjen e problemeve të tyre. Për më tepër, ndërhyrja e tepërt nga ana e familjes do të bëjë disiplinën të ashpër dhe do të humbë tërë atraktivitetin e saj. Për pasojë, fëmijët do të kërkojnë një pjesë të lirisë së tyre në rrugë. Ato që pasojnë janë sugjerimet e mia që do t’u ndihmojnë të zbusni grindjet në mesin e fëmijëve:
1. Rritja e fëmijëve në pajtim me standardet më të mira e ka koston e vet. Megjithatë, më llogari keni ta paguani këtë kosto sesa ta la lini veten nga t’ju çojnë valët.
2. Ndjeshmëria e fëmijës për padrejtësinë është e njëjtë me atë të një të rrituri, prandaj të jeni të kujdesshëm se si i trajtoni fëmijët. Duhet të kuptojmë se sa kategorik dhe i prerë ka qenë i Dërguari a.s. në vënien e bazave të drejtësisë me fëmijët. Në një incident, Numan ibn Beshiri r.a., një shok i të Dërguarit a.s., tregon se babai e solli tek i Dërguari a.s. një ditë dhe i tha: “Të lutem bëhu dëshmitar se këtij djali tim po ja dhuroj një rob.” I Dërguari a.s. i tha: “A u ke dhënë të njëjtën edhe fëmijëve të tjerë?” Ai u përgjigj: “Jo, o i Dërguar i Allahut, nuk u kam dhënë.” Kështu i Dërguari as, e këshillot: “Atëherë, nuk ke mundësi t’i japësh vetëm atij. Ke frikë Allahun dhe të jesh i drejtë ndaj të gjithë fëmijëve njësoj.”
Sipas një transmetimi tjetër të këtij incidenti, i Dërguari a.s. shtoi: “Atëherë, nuk bëhem dëshmitar i juaji, sepse nuk pranoj të bëhem dëshmitar i një padrejtësie.”
Nga hadithe të tilla, disa dijetarë insistojnë se babai duhet të jetë i drejtë, madje edhe në puthjen e fëmijëve të tij. Kjo është e vërtetë, sepse një fëmijë ndien padrejtësi nëse një fëmijë tjetër merr më tepër kujdes ose dashuri. Pasojat e një sjelljeje të tillë do të jenë më të mëdha kur babai i do më shumë fëmijët e gruas së re. Në këtë rast fëmijët e gruas së parë do të kenë mjaft keqdashje dhe inat në zemrat e tyre për vëllezërit dhe motrat e tyre nga babai. Prandaj për të arritur drejtësi në mesin e fëmijëve duhet të kemi parasysh këto pika:
– Prindërit të mos mbajnë një fëmijë si model për tjetrin. Një i ri e tregon përvojën e tij me këto fjalë: “Kur isha në shkollën fillore, vëllai im ishte në shkollën e mesme. Ai kishte një gjuhë të ëmbël dhe e dinte si të fitonte zemrën e babait. Unë nuk e kisha atë talent, mirëpo mund të them se isha më i drejtpërdrejtë. Unë i shërbeja familjes më tepër. Mirëpo ishte e çuditshme nga ana e babait se ai nuk shihte asgjë te vëllai im përveç meritave të tij dhe më nxiste ta merrja shembullin e tij, duke i kopjuar tiparet dhe sjelljen e tij.
Natyrisht se më shqetësonte kur babai shihte çdo gjë të mirë te vëllai im dhe nuk shihte asgjë përveç pikave të mia të dobëta.
Kjo zgjati deri një ditë kur policia thirri në shtëpi për t’i kërkuar babait të vinte në stacionin policor për t’i treguar për një shkelje të ligjit që e kishte bërë vëllai. Për pasojë, babai i ndryshoi plotësisht qëndrimet e tij. Vëllai im e mori ndëshkimin dhe të gjitha privilegjet e tij iu mohuan, ndërsa mua tani më konsideronin djalin ideal, që nuk isha edhe ashtu.” Babai dhe nëna duhet të kenë kujdes të mos priviligjojnë ndonjë fëmijë, duke e thirrur me ndonjë emër përkëdhelës. Sa herë dëgjojmë prindin duke e thirrur fëmijën e vogël me emra përkë dhelës si i ëmbël, i dashur’, ‘mjaltë’, ‘shpirti im’, ndërsa me fëmijën më të madh përdor gjuhë të ashpër për ndonjë lëshim në kryerjen e ndonjë pune.
– Ndaje kohën që e kalon me ta në mënyrë të barabartë. Nuk është e drejtë që prindi të zgjedhë një fëmijë të veçantë për ta shoqëruar herë pas here kur shkon në vizitë te të afërmit, kur del në treg ose kur shkon në punë, ndërsa fëmijët e tjerë nuk e kanë këtë privilegj. As nuk bën që të kalohet kohë e gjatë në bisedë dhe shaka me një fëmijë ose disa, ndërsa të tjerët të përjashtohen prej kësaj. Fëmija i preferuar do të shihet nga fëmijët e tjerë si një fëmijë që përfiton privilegje të padrejta dhe meriton ndëshkimin e vëllezërve dhe motrave të tij.
Prindi duhet të jetë i kujdesshëm të mos bëjë vlerësim të ulët të dukjes, talenteve ose shprehive të njërit prej fëmijëve. Një baba u thoshte tre fëmijëve të tij: “Ti”, -duke bërë me gisht kah njëri prej tyre “sigurisht se do të bëhesh gjykatës, dhe ti,” duke iu drejtuar të dytit, “do të punosh në shërbimet civile, ndërsa ti,” duke iu drejtuar të tretit, “nuk do të kesh asnjë pozitë, ti do të më ndihmosh në fermë.”
Kur flasim për drejtësinë dhe paanshmërinë në mesin e fëmijëve, kjo nuk do të thotë që ata të marrin hise të barabarta në çdo gjë. Kjo do të thotë se secili e merr atë që i nevojitet në mënyrë mesatare pa teprime. Një fëmijë i vogël bie të flejë para një fëmijë më të madh. Nëse një fëmijë është me çrregullime psikologjike ose një fëmijë kalon nëpër një krizë, ata kanë nevojë për kujdes dhe mirësi të veçantë, e kështu me radhë. Intuita e prindërve nuk mjafton për të vlerësuar se si ndihen fëmijët në raport me drejtësinë, ata kanë nevojë ti pyesin fëmijët herë pas here nëse ndiejnë se po trajtohen në mënyrë të barabartë.
3. Shumë grindje lindin në mesin e fëmijëve, sepse ata nuk e kuptojnë se çdo qenies njerëzore i takon ‘zona personale, një zonë personale që duhet të mos shkelet madje edhe nga prindërit. Prindërit janë ata që duhet t’u japin shembull të gjallë fëmijëve në respektimin e privatësisë. Të birit ose të bijës më të madhe duhet t’i jepet shumë privatësi dhe të kenë respekt për gjërat e tyre personale. Më të vegjlit do të mësojnë nga kjo, në mënyrë praktike, shprehinë e respektimit të privatësisë dhe shprehinë e përmbajtjes së vetes nga përzierja në gjërat personale të njerëzve të tjerë. Prindërit nganjëherë duhet t’ua ndajnë gjërat fëmijëve, për shembull të thonë: “Kjo lodër është e vëllait tuaj”, “Nuk bën të shikoni vëllanë kur i ndërron të brendshmet”, “Asnjërit nuk i lejohet të flasë me zë të lartë në dhomën ku fle tjetri,” “nuk bën të hapni sirtarin e personit tjetër”, e kështu me radhë.
4. Ka familje, të cilat në jetën e tyre nuk kanë raste gëzimi ose zbavitjeje. Ato nuk kanë aktivitete të dobishme, nuk dalin në park, në fshat ose në ndonjë vend të bukur. Ky lloj i jetesës do të ketë efekt depresionues në anëtarët e familjes. Është e natyrshme që kjo familje të ketë lidhje të thata dhe të zbehta. Fëmija i një familjeje të tillë do të jetë monoton dhe energjinë negative do ta zbrazë te vëllezërit dhe motrat e tij. Prandaj, një shkathtësi që duhet ta mësojnë prindërit është të iniciojnë aktivitete të këndshme dhe zbavitëse në familje, aktivitete kolektive në të cilat të gjithë anëtarët ose shumica e anëtarëve të familjes do të marrin pjesë. Kjo është esenciale për largimin e shqetësimeve që shpesh dominojnë në familje.
5. Paqartësia në detyrat dhe përgjegjësitë e fëmijëve dhe paqartësia se kujt çka i takon shpesh rezulton në provokimin e armiqësisë në mesin e fëmijëve. Për shembull, kur nëna i ndan detyrat e shtëpisë në mesin e bijave të saj, ajo duhet ta bëjë mjaft të qartë se kujt çka i takon dhe të zbatojë një sistem, i cili mundëson që fëmijët ti shkëmbejnë punët. Nëse njëra prej bijave e fshin shtëpinë me fshesë elektrike për një kohë, ajo i jep këtë detyrë një vajze tjetër, ndërsa vajza që ka pasur detyrë fshirjen me fshesë elektrike, e bën punën e motrës së saj. Detyrat e tyre bëhen me rotacion. Duhet të vendosen disa rregulla për kohëzgjatjen e përdorimit të telefonit fiks dhe për përdorimin e disa lodrave.
Ne shpesh i dëgjojmë fëmijët duke u ankuar se vëllezërit ose motrat e tyre nuk e lëshojnë telefonin prej dore ose luajnë me biçikletë tërë kohën.
6. Kemi thënë se grindjet e vogla në mes të fëmijëve janë më tepër të dobishme sesa të dëmshme. Kështu prindërit le t’i mbyllin veshët ndaj fjalosjeve dhe llafosjeve të vogla, të mos ua varim veshin raportimeve përgojuese të fëmijëve për njëri-tjetrin.
“Është mjaft e rëndomtë që fëmijët të raportojnë për sulme të dhunshme, të cilat nuk kanë ndodhur në realitet, vetëm për të parë ndëshkimin e vëllezërve të tyre.”
7. Disa baballarë dhe nëna i autorizojnë fëmijët e tyre më të mëdhenj për t’u kujdesur për fëmijët më të vegjël. Këta fëmijë shërbejnë si kujdestarë ndaj atyre fëmijëve ndërsa prindërit e tyre shpesh mbyllin sytë ndaj sjelljeve të këqija dhe abuzimit të autoritetit mbi vëllezërit dhe motrat më të vegjël. Kjo mund të shpie në armiqësi në mesin e fëmijëve dhe tregon se ky autorizim është i gabueshëm. Autorizimi i vëllait ose motrës më të madhe për t’i mbikëqyrur më të vegjlit duhet të jetë vetëm i pjesshëm dhe prindërit duhet të jenë të informuar për situatën kështu që të mos kryhet asnjë gabim i rëndë. Rreziku i autorizimit të një fëmijë më të madh për të mbikëqyrur më të vegjlit do të jetë më i madh nëse ai ndodh të jetë vëlla ose motër vetëm prej babe. Ai mund të jetë i prirë për të bërë padrejtësi dhe abuzim.8. Fëmijët kanë një shkathtësi të shquar në vendosjen e rregullave për organizimin e radhëve të tyre në lojën me gjërat dhe lojërat e tyre. Mund të vëresh se posa të vendosin të luajnë një lojë, ata diskutojnë mënyrën më të mirë për të participuar në lojë. Është e vërtetë se disa shpesh do t’i shkelin rregullat, mirëpo ata zakonisht gjejnë një mirëkuptim. Mirëpo, kjo nuk është ajo që gjithmonë ndodh në shtëpi, sepse fëmijët ndeshen dhe dështojnë të kuptojnë njëri-tjetrin në shumë aktivitete. Në këtë rast, prindërit duhet të ndërhyjnë duke i mësuar fëmijët se si të luajnë sipas radhës ose si të jenë tolerant kur t’i shikojnë disa programe. Kjo shpesh funksionon kur fëmijët paralajmërohen se nëse dështojnë të jenë tolerantë dhe të kenë shpirtin e ndarjes së gjërave me njëri-tjetrin, ata nuk do të shikojnë programe të nesërmen. Kjo shpesh ndihmon fëmijët të kenë vetëkontroll dhe të heshtin.
9. Babai duhet të shpallë mjaft vendosmërisht se nuk do të lejojë që ndonjë grindje të zbresë në gjuhë të pasjellshme, se goditja e tjetrit, sharja, thirrja me emra të këqij ose bezdisja e qëllimshme nuk do të kalojë pa u ndëshkuar. Një baba u thoshte fëmijëve të tij: “Çdo fjalë që e sheh të papërshtatshme ta përdorësh me një të huaj, nuk duhet ta përdorësh me vëllanë tënd.” Me këtë ai synonte që njohja në mesin e fëmijëve të mos shpinte në gjuhë të fëlliqur ose në dëmtim të njëri-tjetrit.